Moszbatimi i ligjit 'arsyeton' dhunën në familje

Aktuale October 23, 2016 - 08:03

Deputetët dhe njohësit e çështjeve sociale thonë se rastet e dhunës në familje mund të ulen nëse institucionet e drejtësisë janë më të efektshme. Ligjvënësit gjithashtu kërkojnë nga qeveria që të punojë më seriozisht në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në rritjen e mirëqenies sociale, si faktorë tjerë që ndikojnë në dhunën familjare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe njohësit e të drejtave dhe lirive të njeriut shprehen të shqetësuar me rastet e dhunës në familje, prandaj ata kërkojnë nga institucionet e sistemit të drejtësisë që të angazhohen më shumë për zbatimin e ligjit. Ata gjithashtu thonë se organizimi i fushatave vetëdijesuese do të ndikonte pozitivisht në uljen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Sipas tyre, gjendja e rëndë ekonomike në vend është njëri prej shkaktarëve kryesorë të dhunës, prandaj theksojnë nevojën për zhvillim ekonomik të vendit.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra ka thënë se duhet të ketë zbatim më të mirë të ligjit, në mënyrë që të ulet numri i rasteve të dhunës në familje.
“Ligji kundër dhunës, ligji kundër diskriminimit dhe Kodi Penal, megjithatë gjithmonë kanë nevojë për më shumë punë dhe për koordinim më të madh të institucioneve sidomos në rastet në të cilat po dënohen personat të cilët ushtrojnë dhunë, por mandej dënimet nuk po zbatohen si duhet. Mekanizmat institucional duhet të koordinohen më mirë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, ka filluar të ngrihet vetëdija për raportimin e dhunës, prandaj ajo thotë se edhe mbajta e fushatave vetëdijesuese kundër dhunës në familje mund të ndikojnë pozitivisht.
“Sigurisht se ka nevojë edhe për më shumë fushata vetëdijesuese, tash do të jetë edhe muaji kundër dhunës. Kohët e fundit mendoj që ka raportim të rasteve të dhunës, besoj që është ngritje e vetëdijes në krahasim me vitet e kaluara. Parandalimi i plotë është i pamundur, mirëpo duhet të punohet që të ulet numri i rasteve të tilla”, ka shtuar deputetja e PDK-së.

Fushata vetëdijesuese mbahen vetëm kur ka fondacione

Ish-avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka thënë për “Zërin” se megjithëse Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje nuk është perfekt, ai është i mjaftueshëm për luftimin e këtyre rasteve. “Ligji nuk është perfekt, mirëpo është i mjaftueshëm për ta luftuar dhunën në familje. Një mangësi e madhe e gjithë sistemit juridik, e gjithë sistemit të drejtësisë në Kosovë me të vërtetë është moszbatimi i ligjit nga institucionet që janë përgjegjëse. Mendoj që kjo është mangësia kryesore”, ka vlerësuar Kurteshi.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje më tej ka thënë se shkaktarët e dhunës janë të ndryshëm, por sipas tij, mund të ulet numri i këtyre rasteve nëse zbatohet ligji. “Çdo fenomen duhet të shikohet në mënyrë të përgjithshme dhe nuk mund të merret vetëm një faktor, sigurisht se ka shumë faktor që ndikojnë në rritjen e shkallës së dhunës... Por këtu bëhet fjalë për moszhvillim të institucioneve përgjegjëse për luftimin e dhunës në familje. Duhet të kërkohet përgjegjësi në zbatimin e ligjit”, ka thënë më tej Kurteshi.
Në fund ai ka thënë se mbajtja e fushatave vetëdijesuese do të kishte ndikim pozitiv, mirëpo sipas tij fushata të tilla ka vetëm kur ka donacione.
“Fatkeqësi është që te ne mbajtja e fushatave vetëdijesuese është çështje donacionesh. Ato organizohen kur ka donacione, ndërsa kur mungojnë donacionet institucionet e vendit tonë nuk e shohin të nevojshme që të diskutohet për dhunën në familje. Kjo dukuri e përcjell shoqërinë çdo minutë dhe nëse nuk bëhen fushata vetëdijesuese në mënyrë të rregullt pa i shikuar donacionet dhe përfitimet personale të dikujt, atëherë do të kemi atëherë do të kemi raste të tilla”, ka potencuar Kurteshi.

Haxhiu: Gjendja ekonomike, shkaktari kryesor

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se miratimi i ligjeve kundër dhunës në familje është i paefektshëm përderisa nuk ka angazhim serioz të të gjitha institucioneve. “Sigurisht që ligji nuk mjafton, pasi duhet të angazhohen maksimalisht të gjitha institucionet përgjegjëse për luftimin e dhunës. Por, për fat të keq, institucionet nuk kanë qenë mjaftueshëm të angazhuara në këtë çështje. Duhet të punohet edhe në shkolla, pasi jemi dëshmitarë të dhunës edhe në shkolla”, ka theksuar Haxhiu.
Sipas saj, gjendja e rëndë ekonomike është shkaktari kryesor i dhunës në familje, prandaj, sipas saj, qeveria duhet të angazhohet për zhvillim ekonomik të vendit.
“Fatkeqësia më e madhe është gjendja e rëndë ekonomike, nuk mund të themi se te dhuna në familje nuk ndikon gjendja materiale. Duhet të punohet shumë për të përmirësuar gjendjen ekonomike. Duhet të ketë mobilizim më të madh të institucioneve për të ndikuar në uljen e rasteve të dhunës në familje... Nuk është e logjikshme që gjysma e buxhetit të shtetit të shkojë nëpër autostrada”, ka shtuar Haxhiu.

 Po dështojnë organet e drejtësisë

Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë se dhuna në familje është e papranueshme dhe si e tillë duhet stopuar. Sipas saj, gjendja e rëndë ekonomike në vend është njëri ndër faktorët që ndikon në shfaqjen e dhunës në familje. “Gjendja e vështirë financiare, shpresat e pakta për një të ardhme më të mirë dhe papunësia janë vetëm disa nga faktorët që po i kontribuojnë kësaj dukurie negative. Ne e kemi ligjin por sa po zbatohet? Ne e dimë që ka pasur edhe tryeza të cilat janë organizuar kundër dhunës në familje, por sa kanë qenë të suksesshme?”është shprehur Bajrami.
Më tej ajo ka thënë se Qeveria do të duhej të merret edhe me këto raste, megjithatë, sipas deputetes Bajrami, që nga ardhja e këtyre partive në pushtet për asnjë çast nuk i kemi parë apo dëgjuar që këta do ta kenë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe mbrojtjen e tij.
“Edhe kjo përbërje e qeverisë ka sjellë shumë zhgënjim tek qytetarët, ju e dini që vitet e fundit kanë qenë tragjike për disa gra, tek të cilat fillimisht është ushtruar dhunë e disa kanë përfunduar të vrara nga bashkëshortët. Edhe këtu kanë dështuar organet përgjegjëse për sigurinë e jetës së qytetarëve, sepse viktimat kishin njoftuar shumë herë policinë dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë masë ndaj atyre që ushtronin dhunë dhe si lëshim i tyre, ndodhën edhe rastet tragjike që iu kushtuan me jetë të ndjerave”, ka përfunduar Bajrami.