Mos fryni aty ku s’ka zjarr!
Kryeministri Rama nuk ka folur “për Kosovën” në Serbi, por “në interes të Kosovës”. Kështu ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë dhënë “Zërit”. Për më tepër, sa i përket deklaratave të fundit të disa akterëve në Kosovë rreth “paternalizmit” të Shqipërisë ndaj Kosovës, ambasadori Minxhozi ka bërë thirrje për qetësi dhe racionalitet e të mos i fryhet “një zjarri, i cili nuk ekziston”
Shqipëria nuk ka kurrfarë qëllimi që të marrë rol paternalist ndaj Kosovës. Për më tepër Shqipëria e dëshiron marrëdhënien e ndërsjellë me Kosovën si dy shtete të pavarura.
Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, sipas të cilit vorbulla e deklaratave dhe kundërthënieve nga disa akterë në Kosovë në drejtim të kryeministrit Rama është e padrejtë.
“Kryeministri Rama nuk foli në emër të Kosovës, por në interes të Kosovës. Ma do mendja që është një lapsus, i cili mund të jetë përcjellë nga akterë të ndryshëm në Kosovë. Kosova ka institucionet e veta, është një shtet i pavarur, një shtet demokrat, është një shtet sikur edhe Shqipëria. Por kjo nuk do të thotë që Rama nuk mund të flasë edhe për interesat e Kosovës, interesat e Shqipërisë apo të gjithë rajonit”, ka thënë ambasadori Minxhozi.
Duke bërë thirrje për kujdes dhe racionalitet, ambasadori Minxhozi ka folur edhe për izolimin e Kosovës, raportin ekonomik dhe politik në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, njohjen e saj nga Serbia, shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe shumë çështje të tjera.
Zëri: Si e patë ju takimin e kryeministrit Rama me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq?
Minxhozi: Unë e pashë me shumë interes. Natyrisht një takim që duhet të sjellë shtensionime. Një raport i mirë me Serbinë do të ishte shumë i mirë edhe për Kosovën. Natyrisht ne nuk lëvizim nga kërkesat legjitime që ka populli apo Qeveria e Kosovës siç janë pavarësia, që është e panegociueshme dhe zotëri Rama vetëm bëri një rikonfirmim të asaj që bëri para dy vjetësh, gjë e cila u prit me shumë entuziazëm edhe në Kosovë. Zotëri Rama foli për “Trepçën”, që është një temë e ditës duke thënë se është një pronë e popullit të Kosovës. Zotëri Rama po ashtu foli edhe për problemin e interkonjuksionit. Zotëri Rama nuk mori ndonjë vendim. Zotëri Rama shprehu mendime sesi mund të ecet përpara. Në këtë vorbull deklaratash dhe kundërthëniesh ne duhet të jemi më të kujdesshëm. Duhet të jemi bashkëpunues sepse nuk është në interes as të Shqipërisë, as të Kosovës e pastaj më gjerë as të rajonit.
Zëri: Në Kosovë u tha se kryeministri Rama foli në emër të Kosovës dhe me këtë ka anashkaluar Kosovën?
Minxhozi: Kryeministri Rama nuk foli në emër të Kosovës, por në interes të Kosovës. Dhe këtu duhet të jemi shumë të saktë. Ma do mendja që është një lapsus, i cili mund të jetë përcjellë nga akterë të ndryshëm këtu në Kosovë. Kosova ka institucionet e veta, është një shtet i pavarur, një shtet demokrat, është një shtet sikur edhe Shqipëria. Por kjo nuk do të thotë që Rama nuk mund të flasë edhe për interesat e Kosovës, interesat e Shqipërisë apo të gjithë rajonit. Po ju jap një shembull më praktik që nuk ka të bëjë fare me këtë tymnajë që po ngrihet. Në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka një intensifikim të marrëdhënieve në dy vjetët e fundit. Këtë e tha edhe presidenti Thaçi gjatë takimeve që pati para tri javësh në Tiranë. Vlerësoi angazhimin e dy qeverive për një bashkëpunim real, substancial në mes nesh. Është bërë mbledhja e dy qeverive në muajin qershor, e cila nxori në pah gjithë këtë bashkëpunim që ne kemi. Dhe ajo që është me rëndësishmja në mes të Shqipërisë dhe Kosovës në dy vjetët e fundit ka pasur një rritje shkëmbimi gati 20 për qind. Nëse në vitin 2013 kishim një shkëmbim mallrash në masën 120 milionë euro, sot ne kemi 200 milionë euro.
Dhe kjo falë vullneteve të të dyja vendeve tona. Në anën tjetër ka edhe disa probleme që ia vlen të diskutohen edhe më drejtpërdrejt.
Të marrim çështjen e interkonjeksionit për të cilën Rama foli në Serbi. A e kuptoni që është një investim i një aleati të madh të Kosovës dhe Shqipërisë prej 70 milionë eurosh siç është Gjermania. Ky projekt po bllokohet nga Serbia. Zyrtarë të Kosovës kanë kërkuar nga ne për të interferuar që të zgjidhet ky problem. Jo më larg se para 10 ditësh unë kam pasur një takim me zyrtarë të lartë këtu ku u thamë se kjo çështje duhet të shtyrë për t’u zgjidhur. E si të mos flasë Rama për këtë? Se është interes edhe i Shqipërisë, edhe i Kosovës dhe mendoj që nuk duhet të trembemi.
Zëri: A ekziston frika në Kosovë se Shqipëria po merr rol paternalist ndaj Kosovës?
Minxhozi: Absolutisht jo. Kjo nuk po ndodh në praktikë. Ne duhet të qetësohemi nga këto mendime. Nuk ka asnjë shqetësim në marrëdhënien që ne kemi pasur. Prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm. Kryeministri Rama e ka thënë disa herë që unë flas për diçka që të gjithë jemi të interesuar që të ndodhë. Nëse Rama nuk do të kishte folur para dy vjetësh në Serbi edhe për Kosovën, cili do të ishte reagimi këtu? Pse nuk foli?! Prandaj mendoj se nuk ka nevojë të bëjmë deklarata. Ka nevojë që të jemi më racionalë në kuptimin që të fokusohemi në një bashkëpunim në radhë të parë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, që duhet të jetë më intensivë dhe pse jo më pas në rajon.
Zëri: A e ka atë qëllim Shqipëria, rolin paternalist ndaj Kosovës?
Minxhozi: Në mënyrë absolute jo. Shqipëria e dëshiron marrëdhënien me Kosovën dhe këtë e ka treguar disa herë. Shqipëria ka qenë në të njëjtin krahë me Qeverinë e Kosovës edhe për të realizuar objektivat e saja. Për shembull, kemi bërë përpjekje të përbashkëta në Këshillin e Evropës që delegacionet t’i koordinojnë punët në mes tyre. Ose për UNESCO-n për shembull. I dini përpjekjet që ka bërë Shqipëria. Ose edhe për futbollin në FIFA. Pra, në rrafshin e përditshëm marrëdhëniet në mes të Shqipërisë dhe Kosovës natyrisht me problematika të vogla po ecin dhe ka një rritje. Ne me Kosovën kemi marrëdhënie konkrete-strategjike dhe zhvillimore mes nesh. Pra çdo gjë që kontribuon në përmirësimin e këtyre marrëdhënieve është një aset shumë i madh dhe nuk duhet ta harrojmë.
Zëri: Pse kjo frikë te Kosova?
Minxhozi: Nuk do të thosha frikë. Mendoj që gjërat do të qetësohen dhe është një momentum që duhet ta përdorim në të mirë të marrëdhënieve.
Zëri: Sa po ndikon izolimi i Kosovës dhe qytetarëve të saj që kohë pas kohe të kemi frustrime dhe pakënaqësi të ndryshme rreth shumë çështjeve?
Minxhozi: Edhe sa i përket mosliberalizimit të vizave për Kosovën Qeveria e Shqipërisë ka bërë deklarata të avancuara në këtë drejtim. Por atëherë askush nuk tha pse zotëri Rama ka folur. Prandaj mendoj se ka nevojë për një qetësi dhe për të qenë më racionalë. Pra, nuk duhet t’i fryjmë zjarrit sepse realisht nuk ka zjarr.
Zëri: Një forcim i raporteve ekonomike apo politike në mes të Shqipërisë dhe Serbisë, a i shërben edhe Kosovës?
Minxhozi: Jo vetëm Kosovës, por edhe rajonit. Jemi vende të vogla. Ne duhet t’i rrisim përpjekjet për të pasur një treg të përbashkët, mirëpo nëse ky treg zgjerohet më pas, aq më mirë. Jemi shumë të vegjël për të bërë politika zhvillimore individuale. Shqipëria do të jetë më e fortë nëse ka një bashkëpunim më efikas me Kosovën. Kosova do të jetë më e fortë nëse ka një bashkëpunim më efikas me Shqipërinë. Pastaj ka edhe diçka tjetër. Edhe Kosova ka një bashkëpunim me Serbinë dhe askush nuk thotë pse bashkëpunojnë. Janë rreth 400 milionë euro. Serbia është partneri kryesor i Kosovës. Këto nuk janë tabu që preken për herë të parë. Bizneset kanë nevojë të lëvizin, të punojnë.
Zëri: Çfarë do të thoshte njohja e Kosovës nga Serbia për dy vendet dhe rajonin?
Minxhozi: Kjo do t’i shërbente në mënyrë të jashtëzakonshme stabilitetit rajonal. Do të ishte ndryshim për vetë Serbinë. Do të ecte drejt një bashkëpunimi shumë-shumë më thelbësor.
Zëri: A mendoni se procesi i dialogut do të përfundojë me njohjen reciproke në mes të Serbisë dhe Kosovës?
Minxhozi: E thatë shumë bukur tek procesi i dialogut. Shqipëria ka mbështetur të gjitha hapat që Kosova ka bërë në këtë proces dhe Shqipëria ka inkurajuar edhe direkt Qeverinë e Kosovës për këtë trend pozitiv që ecën në drejtim të tyre. Sepse e vetmja rrugë për zhvillim është zhvillimi i këtij dialogu të dyanshëm Kosovë – Serbi. Vetëm duke biseduar mund të ecet përpara. Prandaj ky është një proces i pakthyeshëm që vazhdimisht do të ketë edhe presion nga faktori ndërkombëtar që Shqipëria t’i respektojë marrëveshjet për të cilat flasin.
Zëri: Cilat janë raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë aktualisht, a ka vend për përmirësime dhe a kanë avancuar ato kohëve të fundit?
Minxhozi: Tani ne kemi një projekt shumë interesant në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. E kemi thënë edhe në mbledhjen e dy qeverive. Është vendosja në Portin e Durrësit e doganave të Kosovës. Kjo do të thotë që çdo mall që nuk ka destinacion Shqipërinë, por Kosovën do të menaxhohet nga Doganat e Kosovës. Kjo është një ide që ka hedhur Shqipëria, por që ka përkrahur edhe Kosova, pra është një iniciativë e dy vendeve tona. Ky është një shembull konkret i bashkëpunimit. Po ashtu sa i përket turizmit. Dje kam qenë në Prizren dhe kam parë shumë qytetarë të Shqipërisë që ktheheshin mbrapa sepse nuk gjenin vend nëpër hotele. Turizmi malor i Kosovës frekuentohet në masën 80 për qind nga vëllezërit dhe motrat në anën tjetër të kufirit. Pra raportet Shqipëri – Kosovë vetëm kanë pasur rritje. Ajo që është e rëndësishme se duhet bashkëpunuar më tepër, gjë që e bëjmë çdo ditë dhe duke i hequr disa barriera, duke i zbutur ato sa i përket unifikimit të tregut do të ecim përpara. Ndoshta mund të shikohet edhe TVSH-ja që të hiqet në mes dy vendeve. Pastaj për të shikuar më me efikasitet të jenë më bashkëpunues për të dalë në treg edhe jashtë Shqipërisë dhe Kosovës ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Me rritjen e lëvizjes në të dyja anët e kufirit aq më tepër po marrim nga kultura tregtare dhe nga kulturat tjera. Në jug të Shqipërisë është rritur fluksi i shqiptarëve nga Kosova, madje edhe kanë blerë banesa atje. Ashtu siç ka edhe në Sharr që kanë marrë nga Shqipëria. Në mes të muajit nëntor do të vijë nga Saranda një delegacion i madh për të diskutuar me autoritetet këtu rreth asaj se si mund të bëjmë më mirë sa i përket turizmit. Pastaj qytetet e binjakëzuara në mes qyteteve.
Zëri: Fillimi i këtij “rizbulimi” mes Kosovës dhe Shqipërisë a është një tjetër arsye që as njëra e as pala tjetër të mos frikësohen se diçka po bëhet me tendencë?
Minxhozi: Ne duhet të kemi parasysh se ne jemi një. Ne nuk mund të zhbëhemi, të ndahemi në dy pjesë. A historia e tanishme është fakt që jemi dy shtete. Duhet respektuar ky verdikt. Por jemi dy shtete të një kombi.
Zëri: A mund të ketë një shtet në të ardhmen?
Minxhozi: Më fal, sot jemi dy shtete dhe duhet të ecim si dy shtete. Por jemi dy shtete të një kombi dhe komentet e tjera janë të tepërta për mua.
Zëri: A mund të kemi më shumë përparësi kësisoj si në Evropë, si dy shtete?
Minxhozi: Më fal, unë do të jap një përgjigje ndryshe. Situata e tanishme gjeopolitike etj, është si rezultat i negociatave dhe vendimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë që bashkëpunojmë çdo ditë dhe kjo, ekzistimi i dy shteteve, është diçka e padiskutueshme. Atëherë ne do të zhvillohemi në suazën e dy shteteve. Kemi dy qeveri dhe do të zhvillohemi në këtë suazë. Janë dy shtete të pavarura. Janë dy shtete të pavarura, por që nuk na limiton që ne të bashkëpunojmë për të krijuar një treg të përbashkët ekonomik. Për të krijuar një treg vlerash e tjera me radhë. Të heqim ato barriera që mbajmë në dy anët e kufirit. Kjo është detyrë jona. Ne duhet të ecim në këtë drejtim dhe të bëhemi faktorë të rëndësishëm edhe më gjerë. Pra në Ballkan. Çështja që duhet të shtrojmë ne është se sa jemi të aftë ne të zhvillohemi në mënyrë të ndërsjellë në fushën ekonomike? Nëse flasim për autostradën energjetike. Resurset që ka Shqipëria me ujë dhe resurset që ka Kosova me thëngjill të jenë komplementare njëra me tjetrën, që ne në raste krizash të kemi Kosovën dhe Kosova të ketë Shqipërinë. Nga ana tjetër duhet të shikojmë të kemi projekte të përbashkëta në këtë drejtim në mes të dy qeverive për investimet në këtë fushë. Në këtë formë kuptoj bashkimin unë. Ka edhe diçka tjetër që ecën jashtë politikës. Lëvizjet martesore të cilat po ecin natyrshëm. Edhe vetë në familjen time, nusja e djalit është nga Kosova. Mbesa ime ka burrin nga Kosova. Pra, ne nuk na bashkon politika por të qenit shqiptarë.
Zëri: Më shumë sesa Kosova edhe Shqipëria, të cilat janë shtete të pavarura dhe mund ta mbrojnë veten, janë shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët kohë pas kohe po janë viktima të politikave diskriminuese? Kush duhet ta ngrejë zërin për ta?
Minxhozi: Ne e kemi edhe me Kushtetutë, që Shqipëria të kujdeset edhe për shqiptarët të cilët jetojnë jashtë kufijve. Nuk mund ta heqim nga Kushtetuta këtë. As nuk na është kërkuar. Megjithatë, përgjegjësia për këtë në radhë të parë bie mbi autoritetet shqiptare që jetojnë në Luginë për të rritur zërin për kërkesat e tyre. Pastaj gjithsecili duhet të kontribuojë në këtë proces. Qoftë Qeveria e Kosovës, qoftë Qeveria e Shqipërisë. Një lajm i mirë është njohja e diplomave. Është një hap përpara shumë i rëndësishëm. Prandaj po them se ne nuk kemi nevojë për t’i rënë gjoksit përditë dhe gjithsecili duhet të japë kontributin që ka mundësi.
Zëri: Së fundmi kur isha në Shqipëri për ta ndjekur ndeshjen në mes të Kosovës dhe Kroacisë pashë se kufiri ishte “unifikuar”, apo më mirë të themi kishte vetëm një ndalesë, një përparim nga herët e tjera? Kur nuk do ta kemi fare edhe atë pikë të vetme kufitare?
Minxhozi: Këtu vijmë prapë te interesat e përbashkëta. Ne kemi folur edhe me Bashkimin Evropian, strukturat përgjegjëse për kufirin. Përpara ishin dy ndalesa, tash është një. Pra është bërë një hap përpara. Kështu që, sa më tepër që t’i afrohemi Bashkimit Evropian, sikur Shqipëria, sikur Kosova, aq më pak pengesa do të kemi edhe në këtë lëvizje.
Zëri: Çka mund t’u thoni shqiptarëve andej dhe këtej kufirit që të vazhdohet ky ritëm i bashkëpunimit dhe i afrimit, cili mund të jetë roli i politikës në këtë drejtim?
Minxhozi: Ne kemi një agjendë të përditshme të bashkëpunimit, i cili po ecën në mënyrë të kënaqshme. Duhet t’i rrisim më tepër energjitë. Të vrasim më tepër mendjen që ky bashkëpunim të zgjerohet sepse mundësitë janë.
Zëri: Cilat kanë qenë aktivitetet e fundit që Ambasada e Shqipërisë ka realizuar në Kosovë?
Minxhozi: Kemi pasur një aktivitet shumë interesant para katër ditësh me Labinot Tahirin duke u solidarizuar me rastin e dy vajzave, Liridonës dhe Edonës, që janë në gjendje shumë të vështirë shëndetësore. Kërkohet një trajtim i specializuar jashtë Kosovës. Ato janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Duke biseduar me Labinot Tahirin ai deshi të dijë se ku mund të japë Ambasada ndonjë ndihmë. Ne sugjeruam që të bëjmë një emision. Një mbrëmje bamirësie. Pa përgatitje. Biseduam me kompanitë telefonike, me RTK-në, që ta bëjmë këtë mbrëmje të paparalajmëruar. Dhe çfarë ndodhi? Për një natë u mblodhën 200 mijë euro. Një reagim i jashtëzakonshëm për të ndihmuar dy vajza në nevojë. U ndiem shumë mirë që kontribuuam sadopak në këtë mënyrë.