Ekspertët nga Shqipëria këshillojnë Kosovën të përmirësojë Ligjin për “Trepçën”

Ekspertët nga Shqipëria këshillojnë Kosovën të përmirësojë Ligjin për “Trepçën”

Aktuale tetor 09, 2016 - 15:17

Konfederata e industrive të Shqipërisë e ka sugjeruar Qeverinë e Kosovës që ta shqyrtoj me kujdes edhe një herë ligjin për Trepçën, për të shmangur të gjitha problematikat e mundshme, dhe për të qenë të suksesshëm në çfarëdo rasti të ballafaqimit të mundshëm me pretendimet e Serbisë në gjykatat ndërkombëtare.

Konfindustria, nëpërmjet një komunikate për media, ka mbështetur dhe e vlerëson si akt shumë të rëndësishëm në afatgjatë, miratimin në parim nga Kuvendi i Kosovës të ligjit për kalimin në pronësi publike të Minierës dhe Industrisë së Trepçës.

“Pasuritë nëntokësore të Trepçës janë të një rëndësie botërore për shkak të sasive dhe mineraleve te rralla në vlera prej dhjetëra miliard euro të llogaritura. Konfindustria vlerëson formën e përzgjedhur të organizimit të kompanisë si mënyra e vetme dhe më e mirë për të shpresuar në tejkalim të shpejtë ligjor të problematikave të ndërlikuara pronësore dhe financiare të deritashme të saj. 

Gjithashtu, organizimi si kompani aksionare me kapital publik dhe me hapësirën e duhur ligjore edhe për shitjen e aksioneve në bursa, është forma më e mirë në kushtet e sotme pas krizës globale financiare për të tërhequr financimet e domosdoshme, shndërrimin në pronarë të qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi dhe njëkohësisht mbajtjen e kontrollit të menaxhimit shtetëror në këtë aset të çmuar strategjik”, thuhet në komunikatën e Konfindustrisë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, në një seancë maratonike të premten e kësaj jave, ka miratuar Ligjin për Trepçën.