Gecaj: S’ka zgjedhje nëse dështon Demarkacioni

Aktuale October 07, 2016 - 08:08

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i ka deklaruar gazetës “Zëri” se Kosova nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme edhe nëse dështon miratimi i Demarkacionit në Kuvend. Sipas tij, nëse dështon kjo marrëveshje, pasojat i bartin qytetarët

Deputetët e koalicionit qeverisës, të cilët deri më tani e kanë kundërshtuar Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, nuk kanë ndryshuar qëndrim për këtë çështje. Për këtë shkak drejtuesit e Qeverisë së Kosovës ende nuk janë të sigurt nëse Demarkacioni do të mundë të kalojë në Kuvend.
Prandaj thonë se edhe nëse nuk kalon Demarkacioni në Kuvend, Kosova nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, njëherësh këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë për gazetën “Zëri” se mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje nuk rrezikon ta dërgojë vendin në zgjedhje. “Qeveria nuk frikohet nga Demarkacioni fare pasi që kjo nuk është çështje e interesit parcial, por kombëtar. Nëse nuk kalon pasojat i bart tërë shoqëria. Do të procedohet në kohën kur mendohet se është më e përshtatshme për të kaluar. Dështimi i miratimit nuk na dërgon në zgjedhje, por i ngadalëson e i ndërpret disa procese të tjera me rendësi të përgjithshme”, ka theksuar Gecaj.

Bulliqi: Jam në pozicion të njëjtë

Deputeti më i zëshëm kundër Demarkacionit i partisë së kryeministrit Mustafa, Shpejtim Bulliqi, thotë për “Zërin” se qëndrimi i tij karshi kësaj marrëveshjeje nuk ka ndryshuar.
“Në të njëjtin pozicion jam”, ka thënë për “Zërin” Bulliqi, derisa nuk ka dashur të flasë për kolegët e tij në parti nëse do ta përkrahin të gjithë apo jo.
“Për LDK-në pyete kryetarin e Grupit”, është përgjigjur shkurt Bulliqi.
Njëjtë sikur deputeti Bulliqi kundër do të votojë edhe kolegia e tij Besa Gaxherri.
Ajo javë me parë e ka konfirmuar për “Zërin” votën e saj kundër Demarkacionit.
Ndonëse nuk pranojnë të deklarojnë publikisht deputetët Vjosa Osmani e Arben Gashi do të votojnë kundër Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.
Derisa i prerë kundër kësaj marrëveshjeje është edhe deputeti Adem Salihaj.
Jo pak deputetë ka edhe PDK-ja, të cilët do të votojnë kundër Demarkacionit. Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, në një prononcim për “Zërin” nuk ka dashur ta deklarojë votën pro apo kundër Marrëveshjes për Demarkacionin.
“Nuk është në rend dite Demarkacioni, partia është përcaktuar, por vota është e fshehtë”, ka thënë shkurt Brovina.
Edhe deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela, i cili është në Grupin Parlamentar të PDK-së, është kundër kësaj Marrëveshjeje për Demarkacionin, pasi nuk ka ndryshuar qëndrim ende.

Haliti: Koalicioni s’i ka votat

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka shprehur rezervat e tij duke thënë se koalicioni nuk i ka votat për Demarkacionin. Derisa, ish-shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se ende ka rezerva ndaj kësaj marrëveshjeje, madje ka deklaruar se Mali i Zi ka hyrë 5 kilometra brenda territorit të Kosovës.

Pos deputetëve të koalicionit janë edhe një numër i deputetëve të pavarur të cilët nuk do ta përkrahin Marrëveshjen aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi.

Deputeti Shaip Muja ka thënë se Qeveria ka bërë gabime në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, duke paralajmëruar votën kundër. Kundër Demarkacionit do të votojë edhe deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi, i cili nuk ka ndryshuar qëndrim karshi kësaj çështjeje. Votën kundër duket se do ta japë edhe Ramiz Kelmendi, i cili është shprehur i rezervuar karshi kësaj Marrëveshjeje për Demarkacionin me Malin e Zi.

 Burjani: Zgjedhje, nëse nuk kalon Demarkacioni

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Blerim Burjani, thotë për gazetën “Zëri” se ekzekutivi i vendit duke e parë mungesën e votave së pari brenda vetë dy partive, PDK-së e LDK-së, e po ashtu edhe mungesën e votave të Listës Serbe po frikësohet ta riprocedojë marrëveshjen, meqë mund të dështojë. “Po frika është permanente e këtij subjekti për atë arsye ka edhe modalitete që i mendojnë se si ta kalojnë me vota në Kuvend Demarkacionin. Ky modalitet sillet që nga bisedimet me deputetët, duke i orientuar që të votojnë pro e deri te votimi i fshehtë në Kuvend. Ideja është në secilin variant ta gjejnë modelin për ta votuar Demarkacionin”, ka thënë Burjani, sipas të cilit situata është kritike pasi është bërë paralajmërimi edhe nga shtetet e BE-së se Kosova ka humbur shumë kohë dhe ka ngelur pa rezultat në këtë teme. Madje, Burjani thekson se koalicioni mund edhe të prishet dhe të shkohet në zgjedhje në qoftë se nuk kalon Demarkacioni. “Ky koalicion e ka të vështirë t’i bëjë numrat për ta kaluar Demarkacionin. Pra gjasat janë krejtësisht minimale, duke u bazuar deri në këtë kohë dhe ky koalicion rrezikon të prishet po që se nuk gjendet modaliteti për të kaluar Demarkacioni”, ka theksuar ai.