Policia ende s’ka shqiptuar gjobë 900 euro
Policia e Kosovës ende nuk ka shqiptuar gjoba të larta financiare për shkelje të rregullave në komunikacion, ndonëse Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor ka hyrë në fuqi qe 7 ditë, në bazë të të cilit parashihen dënime “astronomike” financiare për shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion.
Sipas këtij Ligji, nëse shpejtësia e lëvizjes brenda zonës urbane është mbi pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme, atëherë shoferi dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 300 deri në 900 euro, ku përveç gjobës atij i shqiptohet masa mbrojtëse “Ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik” në kohëzgjatje prej së paku një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative.
Megjithatë, Jeton Rexhepi, drejtor i Departamentit Rrugor në Policinë e Kosovës, ka thënë për “Zërin” se prejse ka hyrë ligji në fuqi ende nuk është shqiptuar gjobë, ku vlera e saj arrin shumën deri në 900 euro.
“Për momentin nuk ka informacione se ka gjoba të tilla, mirëpo qytetarët duhet të vazhdojnë ta respektojnë kufizimin e shpejtësisë, me respektim të rregullave të trafikut duke filluar nga pajisjet për përdorim të rripit të sigurisë”, ka thënë Rexhepi.
Kreu i Departamentit Rrugor në Polici thotë se bazuar nga kontaktet me Policinë në terren dhe qytetarët, ky ligj është duke gjetur zbatim në masë, dhe qytetarëve nuk po u mungon njohuria për rregullat e reja në trafik.
Dedaj: Ligji të shfuqizohet
Ndërsa drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), institucion ky që e ka sponsorizuar ligjin, thonë se së shpejti do të organizojnë takime me institucionet, të cilat merren me implementimin e Ligjit për Trafikun Rrugor.
“Në rend të parë me Policinë e Kosovës dhe gjykatat, si dhe me subjektet tjera që merren me siguri rrugore dhe pas një analize të detajuar do të shihen se sa ka hapësirë për përmbushjen e objektivave tona”, ka deklaruar për “Zërin” Saranda Jusufi, zëdhënëse në MI.
Në anën tjetër njohësit e çështjeve të komunikacionit rrugor mendojnë se ligji nuk është duke funksionuar mirë dhe ai duhet të shfuqizohet.
Eksperti i komunikacionit rrugor, Nol Dedaj, thotë për “Zërin” se ligji është në kundërshtim me standardet evropiane për shkak të rregullave që përmban.
“Duke nisë nga pjesët e para, janë në kundërshtim me standardet evropiane p.sh. definimi i autorrugës, motorrugës, shofer i ri, shofer fillestar”, ka deklaruar ai.
Dedaj shpjegon edhe detajet tjera që dëshmojnë joefektivitetin e ligjit. Sipas tij, në këto rregulla nuk bëjnë pjesë personat me nevoja të veçanta, si dhe mënyra se si ka kaluar ky ligj në Kuvend është skandaloze, për Dedën.
Ajo që e brengos tutje njohësin e komunikacionit rrugor është mosha e re e shoferëve që ngasin mjetet e transportit publik.
“Ku definohet shoferi i ri deri në 24 vjeç, ndërsa për kategorinë D, (që drejton automjetin e udhëtarëve) mund ta marrë lejen me 21 vjeç. Pra shoferi i ri mund të drejtojë mjetin e transportit publik, kjo logjikë nuk ka, e lëre më me u definu në ligj ku dihet se i jepet gjithmonë arsyeshmëria teknike”, ka thënë Dedaj.
Ai ka shtuar se këto rregulla tregojnë se në cilin nivel kanë qenë grupet punuese, duke potencuar se zbatimi i ligjit nuk mund të jetë i zbatueshëm derisa ka të meta teknike dhe juridike.
Gjobat e larta, rrezik për korruptim të policëve
Burim Ramadani, ekspert i sigurisë, pranon se me hyrjen në fuqi të këtij Ligji, ku parashihen gjoba të larta në trafik, ka rrezik korruptimi të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Patjetër se krahas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tash Policia e Kosovës duhet të rritë mekanizmat dhe masat për kontrollin mbi policët”, ka deklaruar Ramadani.
Sipas tij, dënimet kaq ekstreme, siç i quan ai, në parim, mund të krijojnë një situatë të mundshme për korruptimin e policëve në rrugë.
Eksperti i sigurisë mendon se përcaktimet e tilla ligjore mund të kenë efekt pozitiv, bazuar në numrin jashtëzakonisht të lartë të aksidenteve në trafik.
“Por, assesi nuk duhet menduar se me këtë ligj tashmë janë ndalur aksidentet në trafik. Sepse, problemi mbetet te zbatimi i ligjit dhe kontrolli mbi zbatimin e këtij ligji”, potencoi Ramadani.
Vetëdijesimi përmes sanksionimit
Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSK), Florian Qehaja, mendon se qëllimi i këtyre rregullave të Ligjit për Trafikun Rrugor është vetëdijesimi e kontributi përmes sanksionimit, sidomos në shtetet që janë në tranzicion dhe demokracitë që janë në zhvillim.
“Sepse është dëshmuar në rastin tonë se edukimi dhe rritja e vetëdijes nëpërmjet kampanjave nuk ka ndikuar në uljen e pasojave në trafik, unë mendoj, shpresoj se kjo është një masë e përkohshme”, ka deklaruar Qehaja.
Në anën tjetër, qytetarët ankohen se me ligjin e ri gjobat në komunikacion janë shumë të larta, në mospërputhje me standardin jetësor të kosovarëve.
“Dënimet janë shumë të mëdha, me rrogën që e kemi ne nuk do mundemi t’i paguajmë ato. Prandaj po mundohemi të jemi më të kujdesshëm këto ditë në mënyrë që të shpëtojmë prej atyre dënimeve”, është shprehur E. Berisha.
Ndryshe prej këtij të fundit mendon Albulena Selmani, e cila tregon se edhe përkundër që ka hyrë ligji në fuqi ende vërehen parregullsi në trafik.
“Te semaforët në dritën e kuqe ende vazhdojnë të kalojnë vetura, si të mos kishte fare semaforë të vendosur, e as zebra”, ka thënë Selmani.