Vendosen marrëdhëniet diplomatike me Gambinë (Foto)
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka vazhduar agjendën në ditën e pestë të takimeve që po zhvillohen në New York në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Krahas takimeve bilaterale me shtetet njohëse dhe mos-njohëse, si dhe pjesëmarrjes në forumet multilaterale si SEECP, RCC, A5, agjenda e delegacionit shtetëror të Kosovës dhe e ministrit Hoxhaj është fokusuar edhe në rritjen e numrit të shteteve me të cilët Kosova ka marrëdhënie diplomatike.
Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, në prani edhe të Kryeministrit Mustafa, Hoxhaj ka nënshkruar në emër të Kosovës marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Gambisë.
Hoxhaj ka thënë se Kosova çdo ditë po forcohet dhe po e zgjeron sovranitetin e saj duke formalizuar edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me shtetet që e kanë njohur më herët.
“Krahas agjendës sonë të lobimit për njohje, takimeve të shumta në formate të ndryshme, një prioritet tjetër në politikën e jashtme të Kosovës është rritja e numrit të shteteve me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike si akti i parë i domosdoshëm pas njohjes. Me këtë ne zgjerojmë dhe forcojmë sovranitetin e shtetit tonë dhe hyjmë në marrëdhënie kontraktuale të pakthyeshme. Pres një dinamikë edhe më të shtuar dhe për këtë po punojmë intensivisht” ka thënë Hoxhaj.