‘Zajednica’ dhe Demarkacioni kanë vdekur, të dorëhiqet Qeveria
Lëvizja Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e mënjehershme të qeverisë, të cilës tashmë përfundimisht i dështuan dy kauzat kryesore të saj: ‘Zajednica’ dhe demarkacioni me Malin e Zi. Kjo u kërkua gjatë konferencës për shtyp nga Nënkryetari i Parë Dardan Sejdiu, dhe deputetja Albulena Haxhiu.
Nënkryetari Sejdiu i quajti çështjen e “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi tema të vdekura, dhe krejt kjo si pasojë e rezistencës qytetare përmes peticionit, protestave gjithëpopullore dhe aksioneve të ndryshme politike.
Ai tha se Kryeministri dje tërhoqi nga rendi i ditës çështjen e demarkacionit, por do të duhej që bashkë më të të ofronte edhe dorëheqjen e tij. Si dhe përmendi shkeljen e 23 neneve të Kushtetutës me rastin e ‘Zajednicës’.
“Angazhimi qytetar po i tregon frytet e veta, protestat po i tregojnë frytet e veta, protestat qytetare siguruan dorëheqjen e Jabllanoviqit, protestat qytetare siguruan që ‘Zajednica’ të bie, dhe angazhimi qytetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe subjekteve tjera opozitare siguruan tërheqjen e demarkimit. Në vijim, e vetmja që mbetet është dorëheqja e kryeministrit Isa Mustafa dhe zjedhjet e parakohshme”, u tha nga Sejdiu gjatë kësaj konference.
E në fjalën e saj, deputetja Albulena Haxhiu shprehu kritikat e saj për kapjen e sistemit të drejtësisë, kritika këto që ndonëse janë bërë vazhdimësi, nuk çuan në reflektim të këtij sistemi.
Ajo tha se i gjithë sistemi është vënë në shërbim të këtij regjimi, dhe kjo po konfirmohet edhe njëherë me veprimet e fundit të policisë, prokurorisë e gjyqësisë. Ajo përmendi edhe arrestimet e ditëve të fundit, gjegjësisht 3 ditë para protestës paqësore, ku u arrestuan 6 aktivistë.
“Nuk kaloi shumë dhe u kuptua që arrestimi i tyre ishte një tendencë e ulët për frikësim të qytetarëve dhe krijimi i një gjendje fiktive duke filluar përndjekjen penale ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje duke i shtyer dyshimet dhe duke i linçuar publikisht për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës”, theksoi Haxhiu.
Më tej, ajo shtoi se sot nuk janë nëpër burgje kriminelët e klanit Pronto, por ata të cilët me tërë qenien e tyre po e mbrojnë territorin e Republikën. Konkretisht 2 deputetë dhe 4 aktivistë në mbajtje, dy deputetë dhe 3 aktivistë në arrest shtëpiak dhe 3 aktivistë në paraburgim.
Në fund iu bë thirrje organeve të drejtësisë që mos të bien nën presionin dhe ndikimin e politikave ditore, si dhe u kërkua që qeveria të japë dorëheqje.