Mustafa: Rugova e fiton Istogun sepse e ka përkrahjen e partisë më të madhe në vend

Zgjedhjet lokale 2017 November 15, 2017 - 19:15

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në një tubim në Istog, se kandidati i LDK-së për rizgjedhje kryetar i komunës, Haki Rugova, pa asnjë dyshim do të fitojë zgjedhjet ditën e diel, sepse është më meritori dhe ka përkrahjen e partisë më të madhe në Kosovës, Lidhjes Demokratike.

Ai ka thënë se Haki Rugova dhe ekipi fitues që ai drejton, udhëhiqen nga vlerat më sublime të vendit tonë, vlerat e Presidentit historik Ibrahim Rugova.

“As Istogu dhe asnjë vend në Kosovë nuk meriton vlera tjera, përveç aty të sublimuara nga Presidenti Rugova. Istogu meriton njerëz të profilit të Haki Rugovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se Programi i Rugovës në Istog do të zbatohet në bashkëpunim me një qeveri të re në nivel të Kosovës të drejtuar nga LDK-ja, si partia më e madhe në vend, pasi që qeveria aktuale i ka ditët e numëruara.

Kreu i LDK-së ju ka bërë thirrje gjithë banorëve të Istogut që ditën e diele të dalin në votime dhe të rizgjedhin kryetarin Rugova edhe për një mandat në shërbim të qytetarëve.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, ndërkaq ka kërkuar dalje masive të qytetarëve të Istogut në zgjedhjet e 19 nëntorit  dhe zmbrapsje të atyre që ai ka thënë se nëpërmjet mashtrimeve po duan të zaptojnë Istogun.

“Mbështetja e madhe për LDK-në që po shoh këto ditë, sidomos e të rinjve, më bën të jem i bindur se Istogu nuk do të ketë nevojë për balotazh. Ne do të fitojmë me të parën”, ka thënë Rugova.

Ai ka premtuar realizimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të kësaj komune, të përfshira në projektin e tij dhe LDK-së për qeverisjen e Istogut në 4 vitet e ardhshme. “Ne do të punojmë në të gjitha sferat, si shtyllë e parë, zhvillimin më dinamik ekonomik lokal, me theks në bujqësi e turizëm, që të krijojmë vende të reja të punës”, ka thënë Rugova, i cili ka premtuar zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë për të gjithë banorët si dhe zgjidhjen e problemit të rrjetit të ujitjes së tokave bujqësore.

Rugova ka premtuar edhe ndërtimin e palestrave sportive në të gjitha qendrat urbane si dhe aktivizimin e Bjeshkëve të Istogut, për t’i ndërlidhur ato me aktivitete që e ndihmojnë zhvillimin ekonomik të komunës së Istogut.

Gjatë mandatit të ardhshëm, Rugova ka premtuar ndërtimin e dy shkollave të reja, pajisjen e qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulancave si dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Ai ka premtuar zhvillimin e Istogut bazuar në planet zhvillimore dhe hartat zonale, duke theksuar se gjatë mandatit të ardhshëm, përparësi do t’u jepet edhe zonave ekonomike apo parqeve industriale. Rugova ka theksuar se qeverisja që ai do të drejtojë do t’u krijojë kushte investitorëve për të investuar në këtë komunë. 

Të rekomanduara