Frika nga ndëshkimi po i tremb partitë e PAN-it për marrëveshje në balotazh

Zgjedhjet lokale 2017 November 01, 2017 - 16:58

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale ishte krijuar koalicioni PDK –AAK-NISMA. Pas marrëveshjes për nivel qendror, jepej mundësi që partitë të kishin kandidatë të përbashkët e t’i ofronin njëra-tjetrës ndihmë për garën komunale më 22 tetor.

Por, nuk ndodhi kështu sepse secila nga partitë garuan me kandidatët e tyre. Kjo nga frika se elektorati mund t’i ndëshkonte partitë e PAN, sikur ndodhi më 11 qershor, në zgjedhjet parlamentare.

Memli Krasniqi thotë se partitë e koalicionit e kanë më të lehtë të bëjnë marrëveshje për balotazh, por Avni Arifi i AAK’së thotë se elektorati mund të mos i përkrah këto ujdi.

Që pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale që u mbajt më 22 tetor, pothuajse në asnjë komunë nuk është bërë publike zyrtarisht ndonjë marrëveshje për balotazh.

Avni Arifi i AAK’së tha për Gazetën Express se ndonjëherë më mirë është që të mos deklarohen marrëveshjet publikisht sepse kanë efekt të kundërt. Elektorati nuk përkrah të njëjtin që e përkrah partia.

Siç duket këtë po e ndjekin të gjitha partitë sepse të gjitha deri më tani u kanë lënë ditëve në vijim publikimin e koalicioneve.

Tani që gara vazhdon në 19 komuna, në shumicën e tyre garojnë partitë e opozitës, LDK e VV, mes vete ose njëra nga to me partitë e pushtetit,  PDK e AAK.

PDK ka shansin që të fitojë Prizrenin në përballje me Vetëvendosjen. Nga ana tjetër, edhe AAK’ja pretendon t’ia marrë Mimoza Kusarit Gjakovën.

Nënkryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, i pyetur nëse kanë marrë përkrahje në Prizren ose do t’i përkrahin AAK’në në Gjakovë, beson që ‘mes partnerëve të koalicionit është më e lehtë të krijohen aleanca edhe në nivelin lokal.

Kështu thotë për komunat e mëdha, por në përgjithësi, Krasniqi për Gazetën Express, tregon se marrëveshjet PDK’ja do t’i bëjë me rekomandimet e degëve të partisë.

Vetëm në Mitrovicë partnerët e nivelit qendror përballën me njëri-tjetrin. Agim Bahtiri nga AKR dhe Valdete Idrizi nga PDK garojnë për ta udhëhequr Mitrovicën.

Nënkryetari i AKR’së, Fatmir Matoshi, thotë se në Mitrovicë, LDK dhe Vetëvendosje, kanë dhënë përkrahjen e tyre Agim Bahtirit.

Në Prishtinë PANA janë jashtë garës. Lirak Çelaj i PDK’së, marrë parasysh kundërshimin e tij të madh ndaj qeverisjes së Shpend Ahmetit, ka thënë se partia e tij do ta përkrah Arban Abrashin për kryetar të komunës.

E AKR’ja ka turbulluar ujërat në kryeqytet. Përderisa Rrahim Pacolli u pa në një takim me Shpend Ahmetin dhe Dardan Sejdiun, në të cilin u tha se VV’ja i kishte ofruar postin e nënkryetarit. Kandidati i AKR’së, Selim Pacolli, ka mohuar se ka marrëveshje me VV, por vetëm takime miqësore.  

Blerim Kuqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë për Gazetën Express se partia e tij kanë krijuar një grup punues me marrjen dhe dhënien e përkrahjes nëpër komunat që i nënshtrohen balotazhit.

Ai tregon se vendimet për të përkrahur partitë në komunat ku AAK’ja nuk është në garë do të merren nga degët e secilës komunë, e jo nga qendra e partisë.

Së këndejmi, Kuqi tregon se parimisht nuk është vendosur për ndonjë qëndrim pozitiv ndaj PDK’së e AKR’së ose Nismës vetëm pse janë partnerë qeveritarë.

Kuqi bën të ditur se deri më tani degët e AAK’së dhe grupi punues kanë zhvilluar bisedime me partitë tjerë dhe së shpejti do të dalin me qëndrimet e tyre.

Formulën e marrjes së vendimeve ekskluzivisht nga degët e partisë po e ndjek edhe AKR’ja.

Nënkryetari i AAK’së, Fatmir Matoshi, ka thënë se për koalicionet nuk do të vendosë kryesia e AKR’së, por degët e saj.

Edhe ai pohon se nuk ka përkrahje parimore për PAN’in, nëse kjo nuk është çfarë dëshirojnë degët e partisë.

Ai përmend Mitrovicën në veçanti, ku thotë se partia e tjera kanë shprehur gatishmëri për ta përkrahur Bahtirin.

Rahoveci është komuna tjetër kur përballën partitë e koalicionit qeveritar. AAK’ja para PDK’së, dhe e treta LDK’ja që ka vendosur të mos përkrah askënd në këtë komunë.

Burimet e Gazetës Express thonë se se dega e LDK’së  në Rahovec është e interesuar ta mbështesë kandidatin e PDK’së, Idriz Vehapin, por qendra nuk po i lejon.

Në komunat e Anamoravës garojnë mes vete LDK me VV.

Gjilani edhe më tej nuk është përfolur për ndonjë koalicion, ndërsa në Kamenicë, Vetëvendosje deklaroi se ka arritur marrëveshje me AKR’në, gjë që  u demantua menjëherë nga kryetari i degës.

Gara e balotazhi mbahet më 19 nëntor dhe zhvillohet në 19 komuna. Partitë deklarojnë se nuk kanë asnjë marrëveshje finale.

Të rekomanduara