Koalicioni LDK-LVV, ja çfarë ka ndodhur

Zgjedhjet lokale 2017 October 31, 2017 - 17:58

Kandidati Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se po zhvillon takime me të gjitha partitë politike para balotazhit të 19 nëntorit.

Haskuka e ka konfirmuar për lajmi.net se me LDK-në janë dakorduar në disa pika, por që marrëveshje konkrete ende nuk ka.

“Me LDK-në jemi dakorduar në disa pika, dhe normalisht që na duhen më shumë takime që të arrihet një marrëveshje. Ka zhvillime pozitive, por marrëveshje diçka konkrete ende jo”, ka thënë kandidati i VV-së për kryetar të Prizrenit.

Haskuka gjithashtu ka bërë të ditur se takime me zyrtarë të LDK-së dhe të partive tjera pritet të ketë edhe gjatë ditëve në vijim.

Mytaher Haskuka në balotazh do ta ketë përballë kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj.

Totaj në raundin e parë ka siguruar 29.66% të votave, kurse Haskuka ka pasur 22.30%.

Në garë për Prizrenin kanë qenë edhe Hatim Baxhaku nga LDK, Lulzim Kabashi nga AAK e Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën.

Balotazhi do të zhvillohet më 19 nëntor.  

Të rekomanduara