Ja sa ankesa janë bërë për manipulime gjatë zgjedhjeve

Zgjedhjet lokale 2017 October 26, 2017 - 08:12

Mulë Desku, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa (PZAP), ka treguar për gazetën “Zëri” se gjatë ditës së zgjedhjeve kanë pranuar 223 ankesa për manipulime gjatë zgjedhjeve të cilat janë ende në shqyrtim

Procesi zgjedhor i 22 tetorit megjithëse u cilësua si i qetë dhe pa incidente të mëdha nuk ka kaluar pa ankesa e dënime.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa (PZAP) ka treguar për gazetën Zëri se gjatë ditës së zgjedhjeve kanë pranuar 223 ankesa, të cilat janë ende në shqyrtim. PZAP-i po ashtu bëri të ditur se janë shqiptuar gjoba për pothuajse të gjitha partitë.

LEXO EDHE: Këta janë dhjetë kandidatët më të votuar për kryetar komune

Ndërkohë për këto parregullsi ka reaguar edhe shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle, i cili ka vërejtur disa parregullsi, siç janë kërcënimet e bëra gjatë fushatës mes komuniteteve me shumicë serbe, mospastrimi i listave dhe disa raste të votimit familjar.

Kujtojmë që gjatë ditës së zgjedhjeve Prokuroria e Shtetit dhe Policia kanë ndalur persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim vote.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar gjithsej 223 ankesa nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit me pretendimin se ka pasur manipulime gjatë ditës së zgjedhjeve.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për gazetën “Zëri” kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku. Ai ka thënë se të gjitha këto ankesa janë akoma në procedurë të shqyrtimit.

“Me pretendimet se ka pasur manipulime gjatë ditës së zgjedhjeve në PZAP janë dorëzuar 223 ankesa, të gjitha këto ankesa janë në procedurë të shqyrtimit dhe ende nuk janë vendosur”, ka thënë ai. Desku ka treguar se PZAP-i ka shqiptuar gjoba për pothuajse të gjitha partitë politike. “PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike si në vijim: LDK, PDK, LVV, AAK, AKR, Alternativa, Lista Serbe, KDTP, Nisma, etj”, tha ai.   

Parregullsi gjatë fushatës përveç organizatave joqeveritare që vëzhguan zgjedhjet vërejti edhe shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle.

Ai ka konsideruar se gjatë fushatës ka pasur disa parregullsi, siç janë kërcënimet e bëra gjatë fushatës mes komuniteteve me shumicë serbe.

Në mesin e këtyre parregullsive ai gjithashtu ka përmendur edhe mospastrimin e listave, ku kërkoi që të veprohet në eliminimin e kësaj dukurie.

“Misioni ynë vlerëson se kishte kërcënime gjatë fushatës mes komuniteteve me shumicë serbe dhe mes kandidatëve jashtë Listës Serbe. Dëshiroj të them se ne nuk jemi këtu për të imponuar diçka, jemi këtu që të vëzhgojmë me standardet me të cilat Kosova i respekton”, tha ai.

Ndërkaq bëri të ditur se vëzhguesit e këtij misioni kanë vërejtur edhe disa raste të votimit familjar.

“Vëzhguesit vërejtën shumë raste të votimit familjar, disa votuesve që u është refuzuar votimi në të shumtën e rasteve për shkak se nuk ishin në listën e votuesve dhe raste të votimit me asistencë”, shtoi ai.  Më tutje në vargun e parregullsive Peterle përmendi mospastrimin e listave, gjegjësisht prezencën e njerëzve të vdekur në to.

E për këtë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, tha se kjo çështje më shumë i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme sesa KQZ-së.

“Ajo është një çështje e cila duhet të zgjidhet në mënyrë institucionale, pra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil”, ka sqaruar Daka.  

Ndërkohë Prokuroria e Shtetit gjatë ditës së zgjedhjeve ka ndalur pesë persona. Dy persona tjerë janë ndaluar si të dyshuar për kryerje të veprave penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit”. 

Sipas Prokurorisë, dy të ndaluarit e parë janë nga komuna e Parteshit, i ndaluari i tretë është nga komuna e Mitrovicës së Jugut, ndërsa dy të fundit nga komuna e Mamushës.

Po ashtu edhe Policia e Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve njoftoi për katërmbëdhjetë incidente dhe tre persona serbë për mjete të dyshuara.

Policia ka njoftuar se pas verifikimit të mjeteve të dyshuara ka rezultuar të jenë dy granata dore dhe dy detonatorë elektrikë, të cilët në mënyrë të kontrolluar janë larguar nga njësitet kompetente.

Sipas Policisë, lidhur me këtë rast janë shoqëruar tre persona të dyshuar serbë në stacion policor.

 

Të rekomanduara