Në veri mund të votohet me letërnjoftime të Serbisë

Zgjedhjet lokale 2017 October 21, 2017 - 08:05

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se të dielën do t’i kenë 220 përfaqësues nga ky mision në komunat veriore të Kosovës. Sipas tij, sipas udhëzimeve të KQZ-së qytetarët e veriut do të mundë të votojnë edhe me letërnjoftim të vlefshëm të Serbisë

Fakti që Kosova ka më shumë votues sesa banorë është pasojë e mospastrimit të regjistrit civil, me ç’rast as lista e votuesve nuk mund të ndryshohet pa u ndryshuar regjistri.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, duke shtuar se ka gjithmonë rrezik për parregullsi në proces nëse të vdekurit figurojnë në listën e votuesve.

Ambasadori Braathu ka bërë të ditur se edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, i kanë bërë dy rekomandime për institucionet e Kosovës: të bëhet përpjekje e madhe që të hiqen personat e vdekur nga regjistri civil dhe më pas edhe nga lista e votuesve, si dhe të ekzistojë një sistem i unifikuar i adresave në Kosovë.

Misioni i OSBE-së në zgjedhjet lokale të së dielës do t’i dërgojë 220 përfaqësues në komunat veriore të Kosovës, të cilët do t’i ofrojnë këshilla teknike komisioneve komunale.

Sa i përket mundësisë së serbëve të veriut të Kosovës që në ditën e zgjedhjeve të votojnë me dokumente të Serbisë ambasadori Braathu gjatë kësaj interviste për “Zërin” ka thënë se sipas udhëzimeve të KQZ-së një gjë e tillë është e mundur. “Ne ndjekim udhëzimet e KQZ-së dhe kjo e fundit ka marrë një vendim për të ndjekur Ligjin Zgjedhor.

Në Ligjin Zgjedhor ka një listë të dokumenteve të pranuara: letërnjoftimet e vlefshme, që do të thotë, edhe para dialogut të Brukselit por që është rikonfirmuar edhe në dialogun e Brukselit, identitete të vlefshme serbe, patentën e shoferit. Është e shkruar qartë ashtu”, ka thënë Braathu.

Kosova ka shënuar progres në organizimin e zgjedhjeve

Zëri: Z. Ambasador, tani jemi në prag të zgjedhjeve lokale, a keni parë progres deri më tani në Kosovë në proceset zgjedhore dhe pjekuri të partive politike?

Braathu: Po, mendoj se po shohim përparim dhe nëse shikojmë gjatë tri cikleve të fundit të zgjedhjeve 2013-2014 dhe ato të qershorit 2017 ka pasur përparim të qartë. Ne shohim se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për çdo rund qëndron shumë më mirë teknikisht dhe nuk duhet harruar se ekipet monitoruese të BE-së kanë thënë fjalë mjaft të mira për aspektet teknike të zgjedhjeve në të gjitha këto tri cikle, fjalë të mira për progresin e organizimit të zgjedhjeve në aspektin teknik. Pra, po, mendoj se ne kemi parë progres, kemi parë një palë zgjedhjesh më të mira, kështu që njerëzit po përgjigjen duke dalë për të votuar, prandaj mendoj se e gjithë kjo është gjë e mirë dhe ju e dini që zgjedhjet janë një nga aranzhimet më të komplikuara në jetën politike. Ato janë operacione jashtëzakonisht komplekse logjistike dhe politikisht jashtëzakonisht të ndjeshme. Pas rundit të fundit të zgjedhjeve nuk kemi dëgjuar asnjë ankesë nga partitë politike, nuk kanë kundërshtuar rezultatet, për shembull, në ato të vitit 2014 dhe të qershorit 2017 partitë politike nuk po akuzojnë njëra-tjetrën për mashtrime apo për gjëra të tilla, ato po i pranojnë rezultatet. Vëzhguesit e BE-së dhe vëzhguesit e tjerë po thonë se gjërat janë më mirë, asgjë nuk është perfekte, por ne po përpiqemi ta përmirësojmë procesin çdoherë e më shumë.

Zëri:Z. Ambasador, OSBE-ja ka njoftuar se do ta ndihmojë KQZ-në në ditën e zgjedhjeve, a mund të na tregoni se për çfarë lloj ndihme bëhet fjalë?

Braathu: Po, ne kemi marrë një kërkesë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të ofruar këshilla teknike për komisionet komunale zgjedhore dhe mbështetje teknike për komisionet e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve. Ekipet e OSBE-së që nga 1shtatori janë duke punuar në baza ditore me komisionet komunale zgjedhore në katër komunat veriore dhe në ditën e zgjedhjeve do të kemi më shumë se 220 pjesëtarë të stafit të OSBE-së të përfshirë në të katra komunat veriore, që do të thotë në të gjitha 86 vendvotimet në të katër komunat veriore të Kosovës.

Zëri: A jeni informuar nga KQZ-ja rreth përgatitjeve, a jeni të kënaqur me to dhe a mendoni se këto përgatitje do të jenë të mjaftueshme për të pasur zgjedhje të mira?

Braathu: Po, shkurt dhe thjesht po. Përgjigjja është po. Siç e përmenda që nga fillimi i shtatorit ne kemi pasur kolegët tanë që punojnë çdo ditë me komisionet komunale zgjedhore, të cilët janë duke përgatitur zgjedhjet në secilën prej katër komunave në veri. Përgjigjet që po marr nga kolegët e mi është se gjërat po ecin më mirë tani sesa që ishin në qershor dhe jemi mjaft të kënaqur me procedurat e përgatitjeve, po zbatohen procedurat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nuk duhet lejuar mashtrimi zgjedhor

Zëri: Kosova ka treguar përparim në organizimin e procesit zgjedhor, por ende ka një hapësirë për përmirësim. Në këto zgjedhje çfarë lloj përmirësimesh do të dëshironit të shihni dhe çfarë nuk duhet të ndodhë?

Braathu: Sigurisht që nuk duhet të ndodhë mashtrimi elektoral dhe ne e dimë në të kaluarën ka pasur disa probleme, por siç theksova në vitin 2014 dhe përsëri tani më 2017-n nuk kemi pasur probleme të tilla të theksuara me mashtrimin elektoral, por e dini se mënyra më e mirë për parandalimin e mashtrimit zgjedhor është që partitë politike të angazhohen për të mos kryer mashtrime zgjedhore. Është në dorën e partive politike që të thonë se këtë nuk do të bëjmë, se do t'i ndjekim rregullat dhe praktikat më të mira.

1000 të dënuar për mashtrim zgjedhor

Zëri: A keni pasur ndonjë takim me partitë politike dhe a ju kanë premtuar ndonjë gjë në këtë drejtim?

Braathu: Nuk kemi pasur takime specifike me ta, por ata e dinë shumë mirë se çfarë mendojmë për këtë. Kemi parë rezultatet dhe sjelljen e tyre në vitin 2014 dhe në vitin 2017, ne shohim se ata e kanë marrë mesazhin, por e dini se çfarë e dërgon mesazhin më të mirë, ajo është ndjekja penale. Ligji Zgjedhor është forcuar, është më i ashpër dhe në katër vjetët e fundit më shumë se 1,000 njerëz janë dënuar, jo vetëm paditur, por janë dënuar për mashtrim zgjedhor dhe shumica kanë marrë dënime me 6 muaj burg dhe më shumë.

Zëri: A mendoni se kjo do të pasqyrohet në këto zgjedhje?

Braathu: Absolutisht, më shumë se katërqind njerëz ende janë të paditur nga zgjedhjet e kaluara dhe ju e dini njerëzit dëgjojnë se çfarë ndodh nëse kapeni. Shikoni, në këto zgjedhje do të ketë më shumë se 30,000 vëzhgues në mbarë Kosovën, më shumë se 400 vëzhgues ndërkombëtarë, gjithashtu edhe mediet.

Zëri: A kemi nevojë për kaq shumë vëzhgues?

Braathu: Në çdo vend është normale të kesh vëzhgues dhe nëse njerëzit dëshirojnë të vëzhgojnë është mirë, sepse e dini se çfarë ka të bëjë me besimin. Le të përballemi me vitin 2010. Nuk ishte një vit i mirë për zgjedhjet, por ato po bëhen gjithnjë më të mira dhe me të gjithë këta vëzhgues ato japin një rezultat më të mirë dhe njerëzit bëhen më shumë të  kujdesshëm, pastaj fillojnë të besojnë në zgjedhje dhe mendoj se kjo është jetike për suksesin e vërtetë të një sistemi zgjedhor.

Zëri: Z. Ambasador, paradoksi është që ne këtu kemi më shumë votues sesa banorë, kjo për shkak se nuk janë pastruar listat e votuesve?

Braathu: Po, tani ky është një problem dhe është ngritur shumë herë, por është me të vërtetë më shumë sesa vetëm çështja e listës së votuesve, është në lidhje me regjistrin civil. Lista e votuesve bazohet në regjistrin civil, lista e votuesve nuk mund të ndryshohet pa ndryshuar regjistrin civil. Janë bërë përpjekje dhe disa emra janë hequr, por jo mjaftueshëm. Nëse shikoni rekomandimet e ekipeve vëzhguese të BE-së për zgjedhjet e qershorit, ata bëjnë dy sugjerime: një përpjekje më e madhe duhet të bëhet për t’i hequr personat e vdekur nga regjistri civil dhe më pas nga lista e votuesve dhe së dyti një sistem i unifikuar i adresave në tërë Kosovën, që do të thotë emra dhe numra rrugësh. Kjo po ndodh gjithnjë e më shumë, ne shohim këto shenjat blu në tërë Kosovën, me emrat e rrugëve dhe shtëpitë me numra, mendoj se kjo është pjesë e një procesi. Më është thënë se heqja e personave të vdekur nga regjistri civil është diçka e komplikuar, duhen të kompletohen dokumente dhe ndoshta disa familje janë paksa të ngadalshme në heqjen e emrave të të afërmve të vdekur për çfarëdo arsyeje. Nuk e di, por duhet të punohet në këtë drejtim.

Zëri: Për shkak të kësaj a mund të prisni ndonjë parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve?

Braathu: Ka gjithmonë rrezik nëse ekziston një person i vdekur në listën e votuesve, gjithmonë ekziston rreziku që dikush mund të përpiqet të përdorë atë emër për votim. Por ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe ne në trajnimin për anëtarët e Komisionit në Qendrën e Votimit dhe për vëzhguesit dhe gjithashtu për stafin e OSBE-së, ne nuk jemi vëzhgues, ne jemi mbështetës, po fokusohemi shumë në këtë. Kështu që mendoj se kemi arritur të kapim shumë, ndoshta jo të gjitha, por ne kapëm pjesën më të madhe dhe shohim se më shumë se një mijë vetë janë dënuar me burg , janë dënuar për mashtrim. Ndër ato raste mashtrimi janë njerëzit që përpiqen të votojnë disa herë duke përdorur ID të ndryshme. Mesazhi po plasohet se nëse e bëni këtë ju mund të kapeni dhe do të përfundoni në telashe, në burg.

Zëri: Por disa nga kandidatët ishin në burg dhe prapë kanë kandiduar në këtë proces?

Braathu: Po, kjo me të vërtetë është një problem. Në Ligjin Zgjedhor thuhet shumë qartë që nëse ju jeni dënuar përfundimisht me burgim brenda 3 vjetëve të fundit për çfarëdo shkeljeje nuk mund të jeni kandidat. Tani vendet e QUINT-it dhe gjithashtu OSBE-ja i rekomanduan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ata duhet të kryejnë verifikimin e të gjithë kandidatëve në këtë rund, në këtë cikël zgjedhor. Ata e bënë këtë dhe ekzistonte një listë me 87 emra, disa prej tyre janë ankuar para Panelit të Ankesave Zgjedhore dhe ata u refuzuan, por pastaj shkuan në Gjykatën Supreme dhe Gjykata Supreme kishte një kuptim të ndryshëm të Kushtetutës dhe të Kodit Penal, kështu që tani ka tri akte ligjore nëse mund të themi në këtë aspekt: Kushtetuta, Kodi Penal dhe Ligji Zgjedhor. Unë nuk dua të komentoj në lidhje me  Gjykatën e Lartë sepse ky nuk është roli ynë, por ata kishin një mendim tjetër nga ne dhe të tjerët.

Zëri: Një çështje tjetër në zgjedhjet e kaluara, në emër të OJQ-ve zyrtarë të partive gjithashtu janë paraqitur si vëzhgues. A jeni të vetëdijshëm për këtë dhe a keni marrë masa për të parandaluar këtë?

Braathu: Me të vërtetë jemi të vetëdijshëm se ka ndodhur dhe këtë herë për aq sa dimë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm. Ata kanë zbatuar saktësisht dispozitat ligjore dhe ne po vëzhgojmë këtë dhe nuk po shohim se është duke ndodhur përsëri.

Zëri: Çfarë mund të dëmtojnë zgjedhjet lokale, a keni arritur të identifikoni ndonjë dështim që ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2013?

Braathu: Pra, e dini si shkoi rundi i parë në vitin 2000 dhe viti 2013 ishte një rund i vështirë dhe duhej të rishkruhej, por kur u rishkrua gjithashtu në vitin 2014 nuk kemi parë probleme serioze. Ishte rundi i parë në veri, vetëm në pjesën veriore, pjesa tjetër e vendit në të vërtetë pati një proces të mirë zgjedhor në vitin 2013, kështu që ato u mbajtën. Kishte incidente në veri, në veri të Mitrovicës. Kjo është një çështje e Policisë dhe nuk e di, nuk mund ta komentoj, por ajo që mund të them është se në rundin e dytë në vitin 2013 dhe gjithashtu më pas në vitin 2014 nuk ka pasur incidente të tilla. Ne shohim diçka tjetër që unë mendoj se është shumë e rëndësishme, shohim se pjesëmarrja e votuesve në komunat veriore po rritet ndjeshëm. Mendoj se në vitin 2013 pjesëmarrja e votuesve në mesatare ishte rreth 23-24%, në qershor kjo ishte mesatarisht 39% që tregon se njerëzit po votojnë në zgjedhjet e Kosovës, kjo gjë është e mirë.

Zëri: A keni biseduar me zyrtarë të ndryshëm rreth organizimit të zgjedhjeve në veri, a është gati gjithçka atje për të votuar të dielën?

Braathu: Pra, siç përmenda kolegët tanë janë duke punuar në baza ditore me njerëzit atje, ata më thonë se gjërat janë në proces të duhur, ata janë të bindur se zgjedhjet nga ana teknike do të jenë të organizuara mirë, të drejtuara mirë. Tani do të duhet të presim dhe të shohim se nuk është vetëm një operacion teknik, por varet edhe nga faktorët politikë në veri dhe në tërë Kosovën se si ata sillen.

Zëri: A keni dërguar më shumë njerëz për të lehtësuar këtë proces?

Brathu: Ne kemi më shumë njerëz tani sesa kemi pasur në të kaluarën, ne kemi shtuar praninë tonë. Siç thashë, numri i personelit të OSBE-së në veri do të jetë më shumë se 220, kështu që çdo vendvotim do të ketë të paktën dy personele të OSBE-së, secila qendër e votimit do të ketë staf të OSBE-së. Ne kemi një sistem të mirë që mendoj se mund të kapim parregullsitë që në fillim, ne pastaj do t'i raportojmë ato në KQZ dhe së bashku me KQZ-në do të dakordohemi sesi të reagojmë ashtu siç bëmë në qershor.

Zëri: Z. Ambasador, a mund të votojnë qytetarët në veri me letërnjoftime të Serbisë?

Braathu: Ne ndjekim udhëzimet e KQZ-së dhe kjo e fundit ka marrë një vendim për të ndjekur Ligjin Zgjedhor, kurse në Ligjin Zgjedhor ka një listë të dokumenteve të pranuara: ID të vlefshme, që do të thotë, edhe para dialogut të Brukselit por që është rikonfirmuar edhe në dialogun e Brukselit, identitete të vlefshme serbe, patentën e shoferit. Është e shkruar qartë ashtu. Tani ka një ndryshim nga më parë sepse pas zgjedhjeve të qershorit Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme vendosën që ID-të serbe nuk mund të përdoren për votim me kusht. Kjo është për shkak se lista e zgjedhësve të Kosovës kanë referencë për numrat e letërnjoftimeve të Kosovës dhe sigurisht që numrat e tyre nuk korrespondojnë, kështu që është e vështirë, por në qoftë se keni personin që qëndroni para jush dhe foton e personit në kartën e identitetit mund ta shihni atë person, kështu që së paku edhe për këtë rund do të jetë procedura e njëjtë. Kjo ishte procedura në qershor dhe thjesht ka kuptim për të mbajtur të njëjtën procedurë tani. Çfarë do të ndodhë herën tjetër unë nuk e di pasi kjo është çështje e KQZ-së, ne zbatojmë vetëm atë që na thuhet nga KQZ-ja.

Zëri: A prisni më shumë pjesëmarrje të qytetarëve në këto zgjedhje dhe a mund të na thoni përse duhet të shkojnë dhe të votojnë në zgjedhjet e së dielës?

Braathu: Po ju e dini, unë shpresoj për më shumë pjesëmarrje sepse këto janë zgjedhje komunale dhe me të vërtetë mendoj se niveli komunal është niveli më i rëndësishëm i politikës. Kjo ka të bëjë për vendin ku jetojmë, kjo është për rrugën tonë, komunitetin tonë, fshatin tonë, qytetin tonë dhe nëse nuk na intereson të votojmë për njerëzit që do të menaxhojnë rrethinën tonë të përditshme, mendoj se ka diçka të gabuar. Unë mendoj se njerëzit duhet të mendojnë se kjo është për rrugën time, kjo është për qytetin apo për fshatin tim dhe është e rëndësishme të dalësh dhe të votosh. Zgjedhje të lira e të ndershme dhe pjesëmarrje të lirë e të ndershme dhe unë inkurajoj njerëzit të shkojnë e të votojnë, të përdorin votën e tyre, kjo është demokracia. Zakonisht gjithmonë dëgjoj njerëz duke thënë, por nuk i pëlqejmë asnjë prej tyre, ata janë të njëjtë apo gjëra të tilla. E njëjta gjë në çdo vend, nëse shkon në Norvegji do të dëgjosh njerëzit që thonë të njëjtën gjë. Por ju duhet të mendoni se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme për ju, për familjen tuaj ku jetoni dhe votoni për atë që mendoni se është opsioni që do të japë përfitim për komunitetin tuaj.


 

 

 

 

 

 

 

Të rekomanduara