Fushata në 'Republikën Serbe të Veriut'! (VIDEO&FOTO)
Sheshi qendror i Mitrovicës së Veriut është mbushur me flamuj të Serbisë dhe posterë të drejtuesve të Listës Serbe pak ditë para se të votohet për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Gjatë 30 ditëve fushatë asnjë nga liderët e Kosovës nuk i ka vizituar shqiptarët e veriut. Takimet me strukturat partiake i kanë zhvilluar në jug, shkruan sot, gazeta Zeri.
Me flamuj të Serbisë dhe me posterë të drejtuesve të Listës Serbe është mbushur i gjithë sheshi qendror i qytetit të Mitrovicës së Veriut, ndonëse një ditë më pas do të përmbyllet fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit që mbahen në Republikën e Kosovës, pjesë e së cilës është edhe kjo komunë.
Pikërisht në këtë shesh sot do ta përmbyllin fushatën drejtuesit e Listës Serbe dhe zyrtarë të Qeverisë së Serbisë përderisa asnjë nga liderët shtetërorë të Kosovës nuk e ka marrë guximin t’i vizitojë gjatë 30 ditëve fushatë së paku banorët shqiptarë që jetojnë në veri e të mos flasim që ta planifikojnë ndonjë organizim elektoral në këtë komunë.
“Me Kadri Veselin ditë më parë jemi takuar në jugun e Mitrovicës, përderisa kemi pasur takim në veri të Mitrovicës me Sami Lushtakun, Agim Çekun dhe me Flora Brovinën”, thotë për “Zërin” Bashkim Cimili, kandidat i PDK-së për asamblist në Mitrovicën e Veriut.
Por Goran I., 40 vjeç nga veriu i Mitrovicës, nuk e ka asnjë mëdyshje për fitoren e thellë që do ta arrijë në zgjedhjet e së dielës Lista Serbe, e cila, siç thotë ai, politikisht e shtrin pushtetin e Beogradit dhe e zvogëlon ndikimin e Prishtinës në komunat e banuara me shumicë serbe.
“Lista Serbe është projekt politik i Serbisë në Kosovë, prandaj ka përkrahje kaq të madhe mes banorëve serbë. Këtu ka vetëm simbole të Republikës së Serbisë përderisa në zgjedhjet e së dielës do të votojmë përsëri me dokumente të Serbisë”, shprehet ai.
Në ditën e nxehtë që mbretëronte të enjten në veriun e Mitrovicës nuk vërehej asnjë element që dëshmonte se kjo komunë është pjesë e Kosovës. Askund nuk shihej flamuri e as stema e Republikës së Kosovës.
Shumica e veturave në këtë qytet kalonin pa targa para syve të Policisë së Kosovës apo me tabela të vjetra (të paraluftës), përderisa bizneset promovonin artikujt e ndryshëm duke ua vendosur çmimet me dinar të Serbisë....(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Zëri, ose në versionin online me parapagim online.zeri.info...)
Shqiptarët i synojnë 7 ulëse në Asamblenë e Mitrovicës së Veriut
Partitë politike shqiptare që garojnë në veri të Mitrovicës synojnë që t’i zënë 7 ulëse në Asamblenë e kësaj Komune, prej 19 sosh sa i ka gjithsej. Ndonëse gjasat janë që të mos i fitojnë më shumë se 5. “Në veri të Mitrovicës jetojnë rreth 3000 shqiptarë, prej të cilëve 1700 kanë të drejtë vote”, bën të ditur Cimili.
Ai pranon se partitë shqiptare nuk kanë qasje dhe as që planifikojnë të bëjnë fushatë në qendër të veriut, por janë të fokusuara më shumë te “Lagjja e Boshnjakëve”, te “Tre Rrokaqiejt”, te “Kroi i Vitakut” dhe te “Kodra e Minatorëve”.
Megjithatë, sipas tij, nëse arrijnë shqiptarët të mobilizohen në ditën e votimeve (të dielën) dhe nëse i fitojnë 7 ulëse në Asamblenë Komunale, atëherë kryetari i ardhshëm do të detyrohet ta respektojë më shumë komunitetin pakicë në këtë komunë. Cimili, i cili ka qenë këshilltar në Asamblenë Komunale të Veriut, thotë se partitë shqiptare në mandatin e fundit i kanë pasur 5 këshilltarë (3 PDK-ja, 1 LDK-ja dhe 1 AAK-ja), ndonëse kryetari i Komunës Goran Rakiq e ka anashkaluar plotësisht komunitetin shqiptar. “Nga 168 punëtorë që i ka pranuar në punë kryetari Rakiq, vetëm 3 prej tyre janë shqiptarë, por që asnjëri nuk është banor i kësaj komune”.
Alushi nga AAK-ja: Kryeministri Haradinaj na anashkaloi
“Gjatë fushatës zgjedhore nuk ka pasur asnjë problem. Ne kemi bërë aktivitetin tonë zgjedhor, edhe pse u jemi shmangur pjesëve qendrore të qytetit që të mos shihet si provokim nga ana jonë”, ka thënë Gëzim Alushi, bartës i listës së AAK-së në Mitrovicën Veriore.
Më tej Alushi ka folur edhe për bashkëpunimin me partitë tjera shqiptare atje. Edhe pse e pranon se kanë një bashkëpunim të mirë Alushi ka thënë se ka qenë e pamundur që edhe kësaj radhe të marrë pëlqimin e tyre për një listë të përbashkët, e cila do të ishte më efektive në këtë komunë. “Unë kam nisur këtë iniciativë, mirëpo askush nuk më ka përkrahur. Askush nuk ka dashur që të hyjë në një listë të përbashkët edhe pse kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për situatën aktuale”, ka thënë Alushi.
Në fund Alushi ka folur edhe për neglizhencën nga ana e selisë qendrore të AAK-së për këtë pjesë të Kosovës. Sipas tij, kryetari i AAK-së, tashmë kryeministri Haradinaj, ka anashkaluar pak këtë pjesë duke u kushtuar rëndësi më shumë qyteteve të mëdha.
“Nuk ka qenë kryeministri këtu. U kanë kushtuar vëmendje më shumë qyteteve më të mëdha. Ky normalisht nuk është një veprim i mirë dhe i qëllueshëm”, ka thënë ai. Megjithatë, Alushi ka thënë në fund se beson që kryeministri Haradinaj do të mbajë fjalën e tij që gjatë mandatit të tij si kryeministër të punojë në ndërtimin e shtëpive të të zhvendosurve nga pjesa veriore dhe të bëjë rikthimin e tyre.
Policia: Kemi gati 400 pjesëtarë për pjesën veriore
Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, ka thënë për “Zërin” se Policia ka marrë të gjitha masat për garantimin e ushtrimit të drejtës së qytetare për votë gjatë ditës së diel.
“Urdhri operativ vjen nga niveli qendror i Policisë dhe është i zbatueshëm për të gjitha regjionet. Ne tashmë kemi marrë të gjitha masat për ditën e diele. Urdhri operativ që vlen në nivel vendi vlen edhe tek ne që ditën e diele të gjitha pushimet ndërpriten. Ne do të kemi në dispozicion mbi 400 pjesëtarë të Policisë në nivel të Drejtorisë Rajonale të Veriut në katër stacione policore”, ka thënë Hoti.
Duke folur për fushatën e qetë zgjedhore gjatë këtij muaji dhe për incidentet e vogla në mes të partive serbe Hoti ka thënë se është bërë vlerësimi i të gjitha qendrave të votimit në bazë të të cilave analiza edhe janë marrë veprimet operative.
“Qendra e votimit është vlerësuar për nivelin e sigurisë. Megjithatë, niveli i sigurisë mund të ndryshojë sepse është diçka fleksibile. Sidoqoftë, deri më tani nuk kemi ndonjë qendër ku duhet nivel i lartë i sigurisë prandaj edhe nuk duhet të paraqitet ndonjë rrezik”, ka thënë Hoti. Ai ka përmendur se gjatë këtij viti në Mitrovicën e Veriut janë paraqitur diku rreth 30 raste të incidenteve ndëretnike, kryesisht të personave të mitur.