LDK e bindur se do të fitojë numrin më të madh të komunave

Zgjedhjet lokale 2017 October 14, 2017 - 18:54

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kandidati i kësaj partie për kryetar të Komunës së Istogut, Haki Rugova, janë shprehur të bindur të shtunën gjatë një tubimi parazgjedhor se, jo vetëm në Istog, por në tërë Kosovën, LDK-ja do të dalë fituese e votës popullore të qytetarëve dhe partia që do të udhëheqë me më së shumti komuna, njofton Klan Kosova.

Duke folur para të pranishmëve të mbledhur në sheshin e Istogut, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur bindjen e tij se Haki Rugova do të rizgjedhet kryetar i Istogut pa balotazh, kurse Istogu i Ibrahim Rugovës dhe burimi i filozofisë së LDK-së do të jetë prijës i fitores së madhe të LDK-së në këto zgjedhje.

“Jemi të parët dhe do ta dalim të parët me votë popullore dhe të parët me numrin e komunave që do të qeverisim në mandatin e ardhshëm. Komuna e Istogut do të vazhdojë të qeveriset nga Haki Rugova dhe LDK-ja edhe në disa mandate tjera. Sepse ne realizojmë programet tona dhe punojmë me përgjegjësi”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se rivalët politikë të LDK-së do të ndëshkohen nga qytetarët e Kosovës për shkak të papërgjegjësisë së tyre.

Mustafa ka theksuar se LDK-ja ka programin më të mirë për zhvillimin e komunave dhe ka njerëzit më të mirë, më të përgatitur e më të përgjegjshëm për të qeverisur.

“Ne kemi qeverisur dhe qeverisim me program dhe me mjete demokratike. Nuk shërbehemi me akuza e gënjeshtra sikur rivalët tanë politikë. Kundërshtarët tanë politikë, të inkriminuar deri në fyt, po mendojnë se krejt njerëzit janë sikur ata. Por, qytetari na njeh të gjithëve dhe na gjykon të gjithëve”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se Haki Rugova do të përmbushë projektin e tij për Istogun me përgjegjësi të madhe.

Të rekomanduara