Në 29 komuna ka më shumë votues se banorë!

Zgjedhjet lokale 2017 October 11, 2017 - 07:56
Gazeta “Zëri” ka bërë krahasime mes listës së votuesve të KQZ-së dhe numrit të banorëve të komunave që figurojnë në statistikat e ASK-së, ku shihet qartë se 29 komuna të Kosovës kanë më shumë votues sesa banorë. Gjilani ka mbi 20 mijë votues më shumë se banorë, derisa Graçanica ka për gjysmë më shumë votues se banorë, ...

Mbi 100 mijë qytetarë të Gjilanit kanë të drejtë vote në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ndonëse në këtë komunë të Anamoravës, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), jetojnë vetëm 79 mijë banorë.

Për gjysmë më shumë votues se banorë ka edhe komuna e Graçanicës, në të cilën sipas KQZ-së kanë të drejtë vote mbi 21 mijë qytetarë, derisa duke u bazuar në statistikat e ASK-së kjo komunë me shumicë serbe nuk i ka as 12 mijë banorë.

Gazeta “Zëri” ka bërë krahasime mes listës së votuesve të KQZ-së dhe numrit të banorëve që figurojnë në statistikat e ASK-së, ku shihet qartë se 29 komuna të Kosovës kanë më shumë votues sesa banorë.

Anëtarë të KQZ-së thonë se kjo ndodh për shkak se në listat e votuesve figurojnë edhe pjesëtarë të diasporës kosovare, ndonëse në Kosovë që nga paslufta janë organizuar disa procese zgjedhore lokale e qendrore dhe problemet mbesin të njëjta.

Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve zgjedhore thonë se mospastrimi i listave të votuesve lejon hapësirë për manipulime në zgjedhje.

Merovci: Lista e papastruar, potenciale për manipulime

Ish-shefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Adnan Merovci, është treguar skeptik se KQZ-ja do të arrijë ta bëjë pastrimin total të listave zgjedhore.

Me këtë rast, ai ka thënë se një listë e saktë mbetet e dëshiruar edhe në vendet e tjera të rajonit, por në Kosovë kjo paraqet sfidën më të madhe.

“Unë nuk pres që shumë shpejt të kemi një listë të besueshme të votuesve, pak nga procedurat, nga vullneti i munguar, nga neglizhenca dhe nga çështja e minoritetit serb që asnjëherë ne nuk e kemi në dorë këtë numër, gjëra të cilat nuk premtojnë se së shpejti do të kemi një listë të besueshme të votuesve”, ka thënë ai për “Zërin”.

Merovci më tutje ka vlerësuar se këto lista të papastruara që i kemi janë potenciale për manipulime, të cilat, siç thotë ai, mund ta devijojnë rezultatin real. 

“Lista jo e saktë është potenciale për manipulime. Po ashtu, kjo listë e pabesueshme devijon rezultatin që në start sepse ne i referohemi shifrave të pasakta, shifrave joreale”, ka përfunduar ai. 

Rrustemi: Në listën e KQZ-së janë të përfshirë edhe mërgimtarët

Ndërkaq Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga lëvizja “Vetëvendosje”, duke folur për numrin e madh të votuesve në raport me numrin e qytetarëve ka thënë se një gjë e tillë po ndodh për shkak se në listën e KQZ-së përfshihen edhe votuesit nga diaspora, të cilët nuk janë të përfshirë në listën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

“Është e dukshme që lista e votuesve përmban më shumë emra të personave sesa që janë në regjistrimin e popullsisë. Por në listën e votuesve janë të përfshirë edhe bashkatdhetarët e që nuk janë të përfshirë në listën e regjistrimit të popullsisë. Po ashtu ekziston edhe prania e personave të vdekur, të cilët asnjëherë nuk janë pastruar në mënyrën e duhur. Nuk është vetëm ky aspekti problematik i listës, por ka probleme edhe me adresat e pasakta të votuesve, të cilat ndikojnë në caktimin e pasaktë të votuesve nëpër qendra të votimit”, ka thënë Rrustemi. 

E si pasojë e kësaj, sipas tij, mund të ketë hapësirë për manipulime të rezultatit zgjedhor.

Gjatë bisedës Rrustemi ka thënë se KQZ-ja është dashur të bëjë më shumë, por kur bëhet fjalë për numrin e mërgimtarëve, siç ai është shprehur, përgjegjësinë e mban Agjencia e Regjistrimit Civil.

Ndërkaq Artan Murati, nga “Demokracia në Veprim” (DnV), ka konsideruar se pavarësisht deklarimeve të KQZ-së se listat janë pastruar ende ka mangësi në këtë drejtim.

“Ne si DnV kemi deklaruar që listat pavarësisht tentativave të KQZ-së ende vazhdojnë të jenë të papastruara. KQZ-ja ka marrë disa veprime që të kontribuojë në eliminimin e personave që kanë vdekur ose nuk kanë të drejtë vote, megjithatë ka probleme ende në listën e votuesve”, është shprehur ai.

Por në mospërputhjen e shifrave mes votuesve dhe banorëve përpos personave të vdekur e atyre që kanë ndërruar vendbanim, sipas Muratit, ka ndikuar edhe mosregjistrimi i diasporës, atëherë kur është bërë regjistrimi i popullsisë së Kosovës.

“Kur është bërë regjistrimi i popullsisë nuk është përfshirë diaspora, janë përfshirë vetëm personat që jetojnë në Kosovë. Tash duke pasur parasysh që ekziston një numër i madh që jetojnë jashtë vendit ose edhe komuniteti serb që  po voton nga Serbia me anë të postës, kur janë regjistruar këta persona atëherë e kanë tejkaluar numrin e përgjithshëm të banorëve, që në fakt në shikim të parë paraqet një absurditet, por unë konsideroj që kjo duhet të jetë shpjegimi i vetëm sepse numri i votuesve është më i madh sesa i banorëve”, ka nënvizuar Murati.

ASK: Diaspora nuk është regjistruar ndonëse ka mundur

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe Hazbije Qeriqi, zyrtare e lartë për komunikim me publikun në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka thënë se diaspora nuk është regjistruar, pavarësisht se e ka pasur mundësinë.

“Në regjistrimin e popullsisë kur është bërë më 2011-n ka qenë një pyetësor i veçantë për t’u regjistruar edhe diaspora, mirëpo regjistrimi ka pasur për qëllim ta regjistrojë vetëm popullsinë rezidente, banorët që banojnë këtu në Kosovë. Ata kanë mundur të regjistrohen nga një pyetësor i veçantë (ka qenë një pyetësor shtesë), mirëpo ata nuk kanë ardhur të regjistrohen të gjithë, ani pse kanë mundur”, ka sqaruar Qeriqi.

Qeriqi më tej ka bërë të ditur se sipas Ligjit mbi Regjistrimin e Popullsisë, parësore ka qenë regjistrimi i popullsisë rezidente, që jeton në Kosovë.

Nga ana tjetër ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se ka mospërputhje të numrit të votuesve që pritet të votojnë në këto zgjedhje dhe të banorëve në tërësi.

“Jo vetëm në këto zgjedhje, gjithandej Kosovës ka mospërputhje shifrash numerike sa i përket votuesve potencialë”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, sipas tij, me rregullimin e kësaj çështjeje duhet të merret ASK-ja, MPB-ja e KQZ-ja.

“Kjo është në rend të parë përgjegjësi e Agjencisë së Statistikave, është pastaj e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e KQZ-së, e cila që në bashkëpunim me Regjistrin Qendror do të duhej të punonte në mënyrë intensive në pastrimin e listave nga të gjitha anët”, ka shtuar Baraliu.

Ai më tej ka konsideruar se duhet të ketë një listë të saktë të votuesve, në mënyrë që të dihet se kush po voton.

“Duhet të ketë një listë të pastruar, një ekstrakt të pastër, ku ata të cilët kanë të drejtë të votojnë, të votojnë dhe ata që duhet të largohen, të largohen nga lista”, ka theksuar ai.  

Image

 

 

 

Të rekomanduara