Zërat
Erjonë Popova
Erjonë
Popova

Mishmashi teorik e praktik

Zërat July 07, 2016 - 16:33

Premtimi parazgjedhor i kreut të LDK-së, Isa Mustafa, për 120 mijë vende të reja të punës nëse ai e merr postin e kryeministrit ishte bërë “hit” i rrjeteve sociale. Në këtë kohë, në vend që të punësohen, mijëra kosovarë ikën drejt Evropës në “eksodin” e fundvitit në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim. Kolona autobusësh dërgonin mijëra kosovarë brenda dite në rrugën e panjohur, maleve e fushave të Serbisë dhe Hungarisë, pikërisht në ditët kur Mustafa mori postin e synuar.

Të lodhur me pritjet e gjata në listat e qendrave të punësimit, por edhe jashtë tyre, dukej se durimi i kosovarëve kishte arritur kulmin. Mungesa e vendeve të reja të punës në Kosovë është fakt i pamohueshëm, njëjtë sikur mbetet edhe mungesa e matjeve të nevojave të tregut të punës. Në mungesë statistikash kemi diskrepancë/mospërputhje të asaj që ofrohet dhe asaj që kërkohet.

Janë rreth 30 mijë të rinj, që hyjnë në treg të punës brenda një viti. E meqë në Kosovë nuk ka “treg pune”, të rinjtë bëhen pjesë e përqindjes së lartë të të papunëve. Autostradat, projektet sporadike të “zbutjes së papunësisë” përmes punësimeve sezonale nuk po arrijnë ta zbusin gjendjen sado që shteti po i përdor vazhdimisht për statistika në favor të promovimit të një përshtypjeje përgjithësisht të rrejshme se “megjithatë po bëhet diçka”.

Çështja bëhet edhe më specifike, kur vjen në shprehje punësimi i të diplomuarve nga shkollat profesionale. Arsimi profesional dhe arsimi i lartë profesional është aftësim më shumë praktik se teorik. Por, ekspertë të arsimit e njohës të fushës thonë se kjo nuk ndodh në Kosovë, ngase në këto shkolla ka dominim teorik kundrejt atij praktik. Si rrjedhojë, nga këto shkolla kemi të diplomuar jo të aftë për tregun e punës. Por, edhe kur jemi të ana teorike, shkollave profesionale u mungojnë kurrikulat specifike në drejtimet specifike. Me pak dallim, arsimi profesional dhe ai i lartë profesional ka kurrikulë standarde.

E nëse kthehemi në anën praktike, aftësimi profesional kushton. Madje ai mund të jetë shumë i shtrenjtë, më i shtrenjtë se ai universitar. Domethënë ky aftësim nuk përmbush në tërësi asnjërën nga të dyja komponentët. Kjo është edhe ankesa më e madhe e punëdhënësve të kompanive të ndryshme: mungesë kuadrosh. Për cilat kuadro bëhet fjalë? Nuk ka studime e as statistika të mirëfillta të tregut të punës në Kosovë. Vendi ynë nuk e di ku ka “tepricë” e ku ka “mungesë” kuadrosh.

Tjetër problem del të jetë orientimi në karrierë, mungesa e profilizimit tutje (drejtim i njëjtë nga shkolla e mesme në fakultet). E si pasojë, në shkollimin e lartë kemi riprofilizime. Por, edhe pas riprofilizimit, e diplomimit në një fushë, prapë kemi mospërputhje mes profileve të përfunduara në shkollë dhe profesionit të ushtruar në praktikë. Kemi edhe të atillë që mendojnë se arsimi profesional nuk është shpëtim, madje si i tillë nuk i duhet vendit. Këtë ide e mbështesin më shumë në “imponimin” e direktivave të BE-së që t’i japin prioritet arsimit profesional, se në fakt nevojën e vendeve për këtë fushë.

Por, ndryshe nga dy ekstremet, ata që mendojnë se arsimi profesional është shpëtim dhe ata që e shohin si të panevojshëm, ka edhe mendime “të balancuara”. Mesi është i artë, e arsimi profesional dhe ai universitar mbeten për shumicën, plotësuese të njëra-tjetrës, thënë në gjuhën popullore “si ashti me thoin”.

Duke u bazuar në raportet ndërkombëtare, Kosova mbetet potencial i shfrytëzueshëm për fuqinë punëtore, nisur edhe nga fakti se mosha mesatare e popullsisë është e re, por vendi ynë nuk ka kapacitete (vende pune) për shfrytëzimin e këtij potenciali. Si rrjedhojë kemi profesionistë që “emigrojnë” në Evropë për të ushtruar profesionin e tyre. Kjo thuhet të jetë shqetësuese për vendin, ngase konsiderohet që Kosovës po i ikin profesionistët. 

Por, rendi i vendeve më të kërkuara të punës në botë po ndryshon me shpejtësi të madhe. Zhvillimi teknologjik ka krijuar vende pune të cilat nuk kanë ekzistuar më parë. Po ky zhvillim “ka shuar” dhe vende pune që kanë ekzistuar më parë.

Si përfundim nuk mund të flasim për tregun e punës, nëse nuk e dimë për cilin treg po flasim. Nuk mund të flasim për mungesë kuadrosh, nëse nuk e dimë në çka kemi mungesë e çka tepricë. Por, as nuk mund të flasim për cilësi nëse kërkojmë ndryshe nga çka prodhojmë.  

Për t’i rënë shkurt: gjithçka është mishmash.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK