Brexit, referendumi britanik i parë nga Prishtina
Referendumi britanik i 23 qershorit për qëndrimin apo daljen nga Bashkimi Evropian është temë debatesh në të gjitha vendet perëndimore. Rezultati i referendumit është i pamundur për t’u parashikuar, edhe për shkak të sondazheve të ngushta.
Argumentet në diskursin publik britanik mbi referendumin përqendrohen në tri tema të mëdha: efektet në ekonomi, efekti në politikën e jashtme dhe në sigurinë kombëtare.
Rezultati i referendumit do të ketë një impakt të madh për vendet kandidate për anëtarësim në BE. Britania e Madhe ka qenë një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, pavarësisht qëndrimeve strikte për të plotësuar kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian.
Në të njëjtën kohë, procesi i zgjerimit do të pësojë ndryshim thelbësor në arkitekturën dhe brendësinë e saj si pasojë e reagimit të Bashkimit Evropian ndaj rezultatit të referendumit. Tema e zgjerimit të BE-së do të kalonte në plan të dytë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të humbin busullën e procesit integrues si pasojë e forcës transformuese.
Minimi i procesit të zgjerimit nga dalja e Britanisë së Madhe do të reduktonte mbështetjen financiare dhe politike të BE-së ndaj rajonit tonë, si dhe ritmi i vendeve kandidate apo si në rastin e Kosovës për të bërë reforma do të bllokohej në mungesë të karotës.
Kosova ka marrë mbi 2 miliardë euro ndihmë nga BE-ja që nga viti 1999. Ndërsa në fillim ishin të përqendruara në aksione emergjente dhe rindërtim, tani këto ndihma përqendrohen kryesisht në mbikëqyrjen e Kosovës në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe zhvillimit stabil ekonomik për një të ardhme të sigurt evropiane. Taksapaguesit britanikë dhe të gjithë paguesit të BE-së shpenzojnë 111 milionë euro në vit për Misionin EULEX në Kosovë.
Brexit do të shoqërohej në paqartësi në rritje në rajon. Serbia që sot ka në pamje të parë një qeveri “pro-evropiane” do të humbiste terren kundrejt partive të tjera radikale e nacionaliste që janë për një alternativë tjetër orientimi.
Alternativa politike ndaj qeverisë Vuçiq është afrimi me Rusinë dhe qeveria e re joevropiane në Beograd do të merrte mbështetje në Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të kishte impakt negativ në pavarësinë e Kosovës dhe faktorin shqiptar në rajon. Rikthimi i nacionalizmit shovinist në rajon nuk është i pamundur në mungesë të një ideje konkrete evropiane, që rrezikohet nga referendumi britanik.
Integrimi evropian i Kosovës në BE është doktrina e vetme për të cilën palët politike kosovare kanë një minimum konsensusi, edhe pse janë ndajnë këndvështrime të ndryshme në mënyrën dhe shpejtësinë për të marrë nisma pro-evropiane. Kriza e projektit të BE-së do të ulte ritmin e reformave të qeverive kosovare sepse reformat kanë kosto politike dhe elektorale. Raportet e progresit të BE-së për Kosovën janë pikënisje të reformave të mëdha në vend.
Legjitimiteti i reformave ligjore për procesin e integrimit evropian do të mungonte dhe lufta politike do të ishte edhe më e polarizuar seç është aktualisht. Përveç aspektit të reformave, dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe reagimi i kësaj të fundit me krizën më të re do të kishte edhe kosto financiare për Kosovën.
Për këto arsye, 40 mijë shqiptarët me të drejtë vote në referendumin britanik kanë shumë argumente për të votuar pro-qëndrimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian sepse kjo do të ishte një konfirmim për rrugën e duhur të ndërmarrë pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
(Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin e Evropës.)
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK