Zërat
Kenan Beqiri
Kenan
Beqiri

A janë të rinjtë më shumë apo më pak fetarë se prindërit e tyre?

Zërat May 31, 2016 - 14:00

Që nga paslufta trashëguam shumë probleme si ato politike, socio-ekonomike, të sigurisë etj. Qyteti i Mitrovicës i njohur si qytet i muzikës, sportit, kulturës, artit dhe ruajtjes së traditës, e ku për vite me radhë të rinjtë e komuniteteve të ndryshme bashkëjetuan dhe bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, mirëpo nuk është se edhe ndërvepruan apo ndërveprojnë aq shumë në mes vete në tema si kjo.

Mungesë komunikimi dhe ndërveprimi në këtë aspekt ekziston edhe në mes vetë komunitetit shqiptar si shumicë. Temat si kjo iniciohen shumë rrallë e në disa raste ato edhe politizohen dhe shkaktojnë polarizime të skajshme në shoqëri.

Mirëpo, sa në të vërtetë të rinjtë dinë për fenë dhe a janë të rinjtë tanë të informuar mjaftueshëm për fenë, a i kemi të rinjtë tanë më pak apo më shumë fetarë se prindërit e tyre?

Sa nga këta të rinj kanë pasur rastin apo edhe kanë rastin që të diskutojnë për këtë temë me prindërit dhe të afërmit e tyre, apo shumica e këtyre diskutimeve mbesin si tema diskutimi vetëm kur të rinjtë takohen me bashkëmoshatarët e tyre për një kafe, gjatë riteve fetare apo kur janë pjesë e ndonjë tryeze debatuese e që iniciohen shumë rrallë nga ta?   

Gjatë periudhës së komunizmit, të moshuarit në masë të madhe kanë qenë ata të cilët i kanë frekuentuar xhamitë, derisa te të rinjtë një gjë e tillë ka qenë më pak e vërejtur.

Në ditët e sotme nuk të duhet shumë kohë që të kuptosh se gjërat kanë ndryshuar. Po qe se qëndrojmë për një kohë afër xhamisë dhe vrojtojmë, do të shohim se të rinjtë janë ata të cilat në masë më të madhe i frekuentojnë xhamitë. Por shtrohet pyetja: A të bën vallë shkuarja në xhami për t’u falur më shumë fetar?! Siç mund të shtrohet pyetja se a të bën vallë shkolla më shumë të dijshëm, vetëm se ti e vijon atë.

Përgjigjet në pyetjet si këto janë gjithmonë ato që nxisin debat e herë-herë edhe polemika, por kjo është edhe esenca e ngritjes së çështjeve në mënyrë që të shterohen temat dhe të rinjtë të mësohen me kulturën e debatit për tema të ndryshme, të argumentojnë dhe të dëgjojnë me vëmendje kundërargumentet.

Rritja e ndjesisë fetare te të rinjtë të cilët kalojnë nëpër tranzicion në pjesë të caktuara, është një aspekt që duhet kushtuar një vëmendje e veçantë, duke pasur parasysh se tanimë kemi edhe elemente të caktuara të cilat tentojnë të devijojnë mësimin mbi fenë. Ngritja e cilësisë në arsim është po ashtu një element, të cilin në masë të madhe duhet ta kemi parasysh, sepse në momente të caktuara ndjehet edhe nevoja që këta të rinj ta kuptojnë drejt çështjen e së drejtës fetare.

Duke pasur parasysh se Kosova është shtet laik, derisa shoqëria në Kosovë nuk është e tillë, pasi që këtë qartë e reflekton Kushtetuta dhe sistemi juridik i shtetit, e ku të drejtat e besimit janë të garantuara me konventa ndërkombëtare e ligje vendore, siç është edhe ligji për lirinë fetare në Kosovë. Ne si shoqëri, duhet të kemi konsideratë si për ata që e praktikojnë fenë, ashtu edhe për ata që nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Por në realitet gjërat janë ndryshe, jemi dëshmitarë të situatave kur të rinjtë paragjykohen nga një grup ose tjetër, varësisht se a janë praktikues të fesë apo jo, dhe krejt kjo si pasojë e mungesës së komunikimit të mirëfilltë dhe tolerant për tema të tilla.

Një element tjetër po aq i rëndësishëm në këtë temë, është edhe mungesa e përfshirjes, gjegjësisht zëri i vobektë i femrës, duke marrë parasysh se përbëjnë gjysmën e popullatës së Kosovës, derisa roli i tyre si në familje e veçanërisht në shoqëri duhet të respektohet shumë më shumë.

Jemi dëshmitarë të asaj se ato jo rrallë anashkalohen, neglizhohen e besa jo rrallëherë edhe injorohen si nga gjinia e kundërt, por edhe nga vetë institucionet, përfshirë edhe ato fetare.

Edhe mediat janë ato që do të duhej të luajnë rolin e vet, duke i nxitur debatet gjithëpërfshirëse, duke mos pasur rolin paragjykues për asnjërën palë, duke krijuar hapësirë për palët e interesuara për të shfaqur dhe shprehur qartë mendimet e tyre për tema si kjo.

Një element shumë i rëndësishëm gjatë “Sallonit të së martës” ishte edhe elementi i një konsensusi në grup, se është më se e nevojshme që të rinjtë të arsimohen, të mësojnë dhe të lexojnë më shumë, në mënyrë që gjërat të mos i marrin të servuara, të mësohen të krijojnë mendimin kritik për çështje dhe tema të ndryshme, gjithmonë duke qenë të vëmendshëm që të mos paragjykojmë të tjerët, por ta mundim këtë ves duke bashkëbiseduar me njëri-tjetrin. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK