Zërat
Hysamedin Feraj
Hysamedin
Feraj

Reduksionizmi kundër cilësisë së demokracisë

Zërat May 23, 2016 - 13:52

Përplasja mes Vetëvendosjes dhe të tjerëve ka në sfond konceptimin reduksionist (procedural) dhe konceptimin cilësor (përmbajtësor-substancial) të demokracisë. Të jerët e reduktojnë demokracinë në ndryshimin e qeverisë nëpërmjet zgjedhjeve (me votim) mes partive konkurruese (koncepti i Schumpeter). Nga ky sfond Vetëvendosjes i bëhet pyetja: pse nguteni me ardhë në pushtet? Dhe, nga ky sfond, Vetëvendosjes i jepet këshilla: prisni të vijnë zgjedhjet e rregullta. Për këtë konceptim të demokracisë, i shenjtë, i vlerësuar, është vetëm afati katërvjeçar; gjithçka tjetër që e dëmton popullin, demosin, domethënë demokracinë është e lejueshme për hir të katërvjeçarit të shenjtë e të paprekshëm.

Me këtë manifestojnë një reduktim të mëtejshëm të demokracisë: në katërvjetëshin e zgjedhjeve. Tanimë nuk është e rëndësishme që qeverisja të ndryshohet nëpërmjet zgjedhjeve, siç mendonte Schummpeter, por vetëm që zgjedhjet duhet të bëhen në krye të katër viteve. Nëse bëhen më parë ose më pas, atëherë fakti se qeverisjet zgjidhen nga populli nuk është tipar që tregon demokracinë. Sigurisht, askush në botë nuk e di pse zgjedhjet janë demokratike nëse bëhen një herë në katër vjet dhe jo një herë në pesë ose në tre vite. Ky reduktim “ala-kosovar” i demokracisë në katërvjeçar (më i shenjtë se pesëvjeçarët ekonomik të socializmit) nuk i ka shkuar ndërmend asnjë reduksionisti të demokracisë, duke përfshirë Schumpeter-in.

Është ky konceptim i demokracisë dhe vetëm në këtë provincë të shqiptarisë, që e bën “sui generis” konceptimin “kosovar” të demokracisë. Nga që këtë konceptim nuk e ka askush në botë, “kosovaristët” mbase e kanë zgjedhur me qëllim për të afirmuar “kosovarizmin” përballë “shqiptarësisë” dhe gjithë botës; dhe, mbase, duke kërkuar me të njohjen e kontributit të “kosovarëve” në teorinë dhe praktikën, shkurt, në kulturën botërore. Mirëpo suksesi duket i dyshimtë. Së paku në Evropë nuk ka vend që të ketë ndërruar më shpesh qeveritë (nëpërmjet zgjedhjeve “të parakohshme”) sesa Italia. Megjithatë deri sot, derisa të pranohet kontributi origjinal “kosovar” (“made in Kosova”) asnjë teoricieni të demokracisë dhe asnjë vendi demokratik nuk i ka shkuar mendja ta klasifikojë Italinë e pasluftës së dytë botërore si vend jodemokratik. Këtë mund ta bëjnë tani e tutje vetëm teoricienët “kosovar” të demokracisë, dhe, mbase, nën triumfin e kësaj teorie të fuqishme, këtë do ta bëjnë më vonë teoricienët botëror dhe qeveritë e tyre. Gjithsesi, sipas logjikës së tyre, iu duhet të presin e të shohin se ç’do të ndodhë me këtë teori “mbas katër vitesh”.

Përkundër tyre, Vetëvendosje flet nga sfondi i demokracisë si cilësi, si sistem politik substancial, me përmbajtje reale, që e dallon nga sisteme të tjerë jodemokratikë. Sigurisht Vetëvendosje e pranon kriterin minimal të demokracisë: ndryshimin e qeverisë nëpërmjet zgjedhjeve popullore mes partive konkurruese. Ky respekt manifestohet në faktin se Vetëvendosje “po ngutet” të vijë në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve dhe në asnjë mënyrë tjetër (për shembull atë të këshilluar nga Berisha teksa i pyet, në mënyrë retorike, pse nuk i merrnin armët e të dalin guerilë, pyetje e përsëritur, kuptohet, nga Blendi Fevziu). Mirëpo, për reduksionistët ky kriter minimal shumpeterian nuk ka asnjë vlerë demokratike sepse vlerë ka vetëm katërvjetëshi. Prandaj, për ta, se Vetëvendosje kërkon ndryshimin e qeverisjes nëpërmjet zgjedhjeve nuk është  rëndësishme dhe mund të shpërfillet krejtësisht, sepse e rëndësishme është se këtë e kërkon pa u mbushur katër vite.

Më tej, Vetëvendosje, në përputhje me vetë konceptin e demokracisë, pranon se për çështje të rëndësishme demos-i, populli, duhet të ketë të drejtën e marrjes së vendimeve përgjatë gjithë viteve dhe jo vetëm një ditë në katër vjet. Prandaj para se të ndodhnin ngjarje të rëndësishme Vetëvendosje nuk ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Mirëpo Vetëvendosje mendon se çështja e marrëveshjes me Serbinë për bashkimin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi janë të rëndësisë së veçantë sepse e rrezikojnë drejtpërdrejtë sovranitetin e vendit, dhe, nëse vërtetë sovran është populli, demos-i, e rrezikojnë pra demos-in në sovranitetin e tij; dhe Vetëvendosje e merr seriozisht se populli është realisht sovrani, jo vetëm lajkë që i bëhet për ta mashtruar një ditë në katër vjet sikur është diçka. Nga ky sfond, Vetëvendosje, para së të “ngutej me ardhë vetë në pushtet” i ka ofruar si alternativë qeverisjes demokratike-reduksioniste të organizonte një referendum dhe të pyetej populli, demos-i, për këtë dy çështje. Mirëpo reduksionistët “kosovar” të demokracisë ose “demokratët minimal” i kanë hequr popullit, demos-it, të drejtën e referendumit, të marrjes së vendimeve, me idenë e tyre origjinale se populli ka të drejtë të vendos, domethënë është sovran, vetën një ditë në katër vjet. Por, përtej këtyre dy çështjeve, Vetëvendosje e ka programuar dhe e ka kërkuar parimisht, si parim i demokracisë, njohjen kushtetuese të të drejtës së demos-it për referendum.

Në fund, këtyre dy çështjeve të rëndësishme ju shtua dhe një e tretë: shkelja e kushtetutës nga qeveria e zgjedhur. Në këto kushte, pra në urgjencën, në “ngutinë” e situatës së rrezikshme për demokracinë në Kosovë, Vetëvendosje nisi “të ngutet” për t’iu dhënë çështjeve përgjigje në mënyrë demokratike: shkuarjen e vendit në zgjedhje, ndonëse nuk janë mbushur rrafsh katër vite nga zgjedhjet e kaluara. Kjo procedurë sipas “demokratët minimal” është antidemokratike sepse demokracia nuk është zgjedhje demokratike, por vetëm nëse zgjidhjet një herë në katër vjet!

Thënë shkurt, përballë përpjekjeve të të tjerëve për ta reduktuar demokracinë në minimum, Vetëvendosje ka bërë të vetën pasurimin teorik e praktik që i është bërë demokracisë përgjatë shekujve, e ka përvetësuar demokracinë në plotësinë e saj dhe jo vetëm në një element. Gjerësia, pasuria dhe rëndësia e këtij konflikti ndërmjet Vetëvendosje dhe të tjerëve, ndërmjet demokracisë së mirëfilltë dhe përpjekjeve për minimizimin e saj, mbetet të shtjellohet në vend dhe kohë tjetër. Tani për tani mbetet urgjencë mbrojtja e demokracisë përballë përpjekjeve për ta pakësuar atë, për ta reduktuar atë, që t’i hapet rrugë Zajednicës, tjetërsimit të territorit dhe precedentit të shkeljes së kushtetutës.

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK