Zërat
Behar Amërllahu
Behar
Amërllahu

Familjarizmi, ‘sëmundja ngjitëse’ e Kosovës

Zërat May 17, 2016 - 10:49

Ta gjesh një vend pune! Kjo është njëra prej sfidave më të mëdha të popullit të Kosovës së pasluftës.

Në fakt, me kalimin e viteve, në vend se të zgjerohet rrethi dhe të shtohen mundësitë e punësimit, në vendin tonë po ndodh e kundërta.

Rrethi është ngushtuar dhe vendet e punës janë reduktuar, mbi të gjitha me largimin e organizatave të huaja që vepruan në fillimvitet e pasluftës.

Kosova është vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në rajon dhe vitin e kaluar, rreth 30.0% e popullisë ishte e papunë.

Mirëpo, ka prej tyre që nuk e dinë se çka është papunësia. E gjithë kjo falë familjarizmit, apo siç po i thonë më letrarçe – nepotizmit.

Disa njerëz të pandërgjegjshëm e kanë shfrytëzuar pozitën dhe fuqinë e tyre për t’i punësuar të afërmit e tyre.

Institucionet e rëndësishme shtetërore, por edhe kompani apo biznese private, janë mbushur me familjarë apo të afërm, apo siç po u thonë së fundmi ‘parashutista’.

Me njerëz që dy fjalë nuk dinë të t’i lidhin, por që falë kushërirëve apo të afërmve të tyre të fortë, kanë përfunduar duke punuar si në zyre.

Më mirë, as që mund të ëndërronin. E në anën tjetër, dikush tjetër shkrin mend dhe i bien flokët apo ‘qorrohet’ duke mësuar dhe duke kryer fakultete dhe duke bërë master apo edhe doktoraturë, pas së cilave, s’ju mbetet tjetër veçse t’ua fshijnë pluhurin diplomave që s’ju kryejnë aspak punë.

A s’është ky një gjynah i madh? A s’po u hyjmë në hak këtyre njerëzve të shkolluar që kanë mbetur në shtëpi dhe pa kurrfarë zgjidhjeje, apo duke pranuar të punojnë kamerierë apo ndonjë zanat që s’ka të bëjë me ta?

Deri kur në këtë vend do të sundojnë të fortit? Athua kur do të ndryshojë qasja e kësaj Qeverie dhe e këtij shteti, për të fitur i drejti dhe për t’u shpërblyer me punë që e meriton ai që shkollohet dhe që është për atë punë, e jo ai që ‘pik nga qielli’ veç pse i ka familjarët e fortë?

Besomëni se ky popull është lodhur me këto padrejtësi. Edhe një fëmijë e di se si punësohen njerëzit në Kosovë, se si shkojnë ‘pazaret’ për një vend pune.

Nëse nuk e ke dikë të fortë prapa vetes, kot e ke, nuk mund ta sigurosh një vend pune. Dikujt i duhet t’i paguajë 5 apo edhe 10 mijë euro për të hyrë në punë, nëse s’ka familjarë të fortë.

Po, po, të jeni të sigurt se ndodh edhe kjo në vendin tim të dashur, ku antivlera e ‘mbyt’ vlerën.

Aspak më të lehtë s’e kanë as femrat, të cilave u kërkohen shërbime tjer ‘ekstra’ për ta siguruar një vend pune, sigurisht, nëse s’kanë të njofshëm.

Kjo sindromë e ka përshkuar Kosovën në këto 16 vjet, por fatkeqësisht është shtuar shumë së fundmi.

Kjo Qeveri e pati shansin ta ndalonte, por avazi i vjetër vazhdoi. Prandaj, tek kjo Qeveri nuk besoj më.

Shpresat më të mëdha i mbaj tek Qeveria e ardhshme, e cila shpresoj të arrijë sa më shpejt e t’i ndryshojë gjërat për mirë.

Ëndërroj që një ditë, djersa të mos i shkilet askujt dhe ata që e meritojnë, të gjenden në vendet adekuate të punës.

Vetëm në këtë mënyrë, me njerëz të shkolluar dhe inteligjentë, vendi mund të ecën përpara. Poshtë familjarizmi (nepotizmi).

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK