Zërat
Valon Konushevci
Valon
Konushevci

Majlinda është jona, jo e Qeverisë

Zërat February 12, 2016 - 11:46

Vlerësohet si “Krenaria e Kosovës”. Këtë epitet ia ka dhënë populli i lodhur dhe i rraskapitur nga kriza ekonomike, sociale, politike, i viktimizuar nga korrupsioni. Dhe, Majlinda Kelmendi e ka arsyetuar me dhjetëra herë këtë dashuri të qytetarëve të Kosovës, pa dallim moshe e gjinie. Për këta që nuk po e dinë, ajo është “Lionel Messi i xhudos” në arenën ndërkombëtare, në kategorinë e saj.

Një fituese absolute e medaljeve. Secilën prej tyre e ka sjellë në Kosovë në momente kur paperspektiva dhe zhgënjimi i qytetarëve e ka prekur kulmin. Depresion dhe zhgënjim ai i mbjell dhe i ujitur nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i shtetit nga elita politike. Politikanë që dinë t’i prishin edhe ditët e festës.

Përfundimisht, Kosova ishte në festë këto ditë. Kjo pasi Majlinda Kelmendi ia solli medaljen e artë nga “Grand Slam – Paris”, që konsiderohet si gara më e fortë dhe më prestigjioze në xhudon ndërkombëtare, ku garojnë xhudistët e xhudistet më të dalluar në botë dhe si e tillë mbledh deri në 20 mijë shikues. I madh dhe i vogël që ishin të pranishëm në atë palestër u ngritën në komb për ta respektuar himnin e shtetit të Majlindës, të cilin vend, goxha, disa shtete po të kishin mundësi e zhbijnë prej kësaj toke.

Andaj, ato momente të ceremonisë së marrjes së medaljes nga Majlinda sollën emocione te miliona bashkëkombës të saj. “Unë jam mirë kur populli im ndihet mirë me medaljet e mia”. Kështu tha Majlinda nga Parisi. Por, kur u kthye në vendlindje nuk gjeti pritje nga ata që ajo ua mbuloi turpin e korrupsionit - prijësit e institucioneve.

Rrugëtimi i politikanëve nga objektet e dyshuara, të cilat i shfrytëzojnë partitë e tyre, deri te aeroporti po del se paska qenë i largët apo i lodhshëm dhe nuk dolën për ta pritur krenarinë e popullit të tyre.

Se po t’i kishte thirrur Federica Mogherini për t’u takuar në Bruksel me përfaqësuesit serbë, të cilët kosovarët i krahasojnë me ISIS-in, për pesë minuta ishin vizatuar në aeroport.

Ose, po t’i kishin thirrur një grup qytetarësh përfaqësuesit opozitarë në një takim në aeroport për ta bërë një strategji antiqeveritare, po ashtu për pesë minuta ishin vizatuar në Sllatinë.

Duke e injoruar Majlindën kjo elitë politike e injoroi edhe atë pak krenari të popullit. Pa dyshim, shumë ironizuese.

Për mospritjen e Majlindës a thua vallë a do të ndihen të turpëruar këta politikanë në muajin e ardhshëm kur zëvendëskryeministri i Qeverisë sonë, Branislav Stojanoviç, do ta presë ngrohtësisht midis Kosovës Kombëtaren e Serbisë në Vaterpolo?!

Të mos shkojmë më larg. Të mos e përziejmë kampionen e ndërtimit të imazhit të mirë të shtetit tonë me kampionët e shkatërrimit dhe degradimit të vendit tonë.

Politikanët larg Majlindës, vetëm populli është me të. Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë ta duan dhe ta mbështesin në çdo hap atë. Mbështetje të paparë do t’i japim edhe në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Kur ajo do ta fitojë medaljen, qytetarët bashkë me Majlindën do ta shijojnë në maksimum atë, kurse politikanët injorantë e të padijshëm le të bëjnë hyxhym në “Facebook” për ta uruar me ndonjë status.

Ju krenohuni me “Like” (të cilët edhe ashtu i merrni duke sponsorizuar me paranë publike), kurse populli do të vazhdojë të krenohet sinqerisht me Majlindën, sikurse Majlinda që motivohet vetëm për ne.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK