Zërat

Halil Matoshi

Në rresht me ushtritë e paqes!

19 tetor 2018 • 11 : 13

Siguria në jetën tonë të përditshme është çelësi i mirëqenies sonë. Kosova si vend sovran themeloi ushtrinë.  Tashti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka arsye të ndihet i relaksuar, sepse arriti ta menagjojë këtë hap, sa koherent po aq të guximshëm, pa pompë propagandistike dhe krekosje mediatike të përzier me patriotizëm folkloric, duke e bërë diferencën nga burrështetasit ballkanikë…

Skeptikët po shndërrohen në optimist të matur, të frikësuarit në qytetarë të guximshëm, të gjithë në Kosovë duan paqe që u mundëson mënyrën e zgjedhur të jetesës, të sigurt dhe pa ndërhyrje nga askush. Kosovarët duan ta ndërtojnë të ardhmen tv lire nga frika.

Pas pritjes që iu bë Kryeministrit të Ramush Haradinaj në Ëest Point dhe veçanërisht pas bekimit që mori në Pentagon nga Sekretari amerikan i mbrojtjes James Norman Mattis, për ushtrinë kosovare, si garantuese e këtij sovranitetit - mund të thuhet ashiqare - se Kosova është si kurrë më parë, prioritet në agjendën e ShBA-së, për sa i përket aspektit të sigurisë dhe pacenueshmërisë së saj.

Vendimi për lexim të parë i tre ligjeve për FSK-në të miratuara në Qeveri, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përbën hapin e parë thelbësor, për themelimin e ushtrisë së Kosovës, (rrumbullakësimin e infrastrukturës ligjore), që është vepër madhore e shumë brezave dhe dëshmon pjekurinë e qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të angazhuar që të shkëputen në retorikat nacionaliste të së kaluares dhe të kthehen nga e ardhmja integruese euro-atlantike, që presupozon paqe e stabilitet, siguri dhe mirëqenie për të gjithë.

Haradinaj këtë temë e ka inicuar jo për poena politikë dhe për të mbledhur vota, as për ta pasuruar biografinë e tij patriotike, por për t’i dhënë vendit të drejtën kushtetuese dhe ligjore, të domosdoshme për ta siguruar territorin kushtetues, kufijtë e përcaktuar qartë.

Tonet e ulta dhe shtytja përpara e agjendave shtetërore pa reklamë dhe retorika të forta, do të duhej të shërbenin si mesazh edhe për komunitetet kosovare, posa[ërisht për serbët, që ata të ndihen të sigurt në shtëpinë dhe shtetin e tyre, Republikën e Kosovës.

Tre ligjet për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që sot dolën para kësaj legjislature, janë dëshmia më e mirë se ushtria kosovare, e modeluar në bazë të standardeve të NATO-s, nuk paraqet kërcënim për asnjë qytetar apo grup etnik, përkundrazi është mekanizëm që u ofron më shumë siguri dhe mbrojtje cilësore, të jetës dhe pronës. Serbët e Kosovës, të cilët mund të kenë më shumë hezitime se sa pakicat që tashmë janë mirë të integruara në shtetin e ri, me krijimin e ushtrisë kosovare ata mund të jenë të rrezikuar vetëm në situate kaosi dhe brishtësie të mekanizmave të sigurisë.

Dëshmi për këtë është marsi i vitit 2004.

Qytetarët serbë janë të vetëdijshëm se në këtë forcë, të strukturuar me standardet më të larta profesionale dhe mbi vlerat e përbashkëta europiane, si vlera të lirisë dhe dinjitetit të njeriut, nuk do të ketë kurrë veçim dhe diskriminim të çfarëdo baze a motivi, dhe në të cilën do të shërbejnë me mburrje, mbështetur në ligj, vajzat dhe djemtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Pra, serbët kosovarë e kanë të qartë se NATO-ja përmes forcës paqëkrijuese KFOR mbetët e angazhuar për një ambient të sigurt për të gjithë dhe në këto kondita, NATO do të vazhdojë të jetë e pranishme dhe kujdestare për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Haradinaj në këtë momentum politik të zgjedhur, po e bën vendin me ushtri profesionale, kur po rritet ndikimi në rajonin tonë i shteteve me qasje jo miqësore ndaj Kosovës dhe aleatëve të saj, përmes kërcënimeve hibride.

FSK-ja në udhën e saj të konsolidimit është në rresht me ushtritë e paqes, me doktrinë mbrojtëse, sipas obligimit kushtetues dhe ligjor.

Një Kryeministër si Haradinaj, me gjykim të ftohtë dhe modest, që nuk vrapon pas meritave, por që punon fort për konsolidimin e brendshëm të shtetit, arriti unitetin e shumëpritur nacional duke dhënë një mesazh historik për popullin e Kosovës, për paqe të përhershme dhe shpronësimin e secilit nga flamujt e nacionalizmave etnik.

Kosova po ndryshon. Ajo që nga sot hyn në etapën kur duhet të marrë përgjegjësi të reja, jo vetëm para qytetarëve të saj, por edhe në sfondin e sigurisë globale.

 

·        Autori është Këshilltar politik i Kryeministrit

© zëri.info