Zërat
Greg Delawie
Greg
Delawie

Ëndrrat e mia për Kosovën

Zërat September 25, 2018 - 10:26

Pas tri vjetëve të ngarkuara me punë dhe të frytshme në Kosovë, jam mirënjohës që pata rastin t’i shërbejë vendit tim në partneritetin e tij me vendin tuaj. Po largohem nga këtu me ndjenja shprese, megjithatë më duhet të them se Kosova është në kryqëzim kritik dhe duhet të bëjë zgjidhje të guximshme për të nxitur rritjen e saj ekonomike, për t’i vazhduar të arriturat në sundimin e ligjit dhe për t’iu afruar edhe më shumë integrimit evropian. Potenciali i bollshëm i Kosovës mund të kontribuojë për të ardhmen e ndritur nëse udhëheqësit i bëjnë zgjidhjet e duhura.

Gjatë kohës sime këtu ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet: borxhi është në nivel të menaxhueshëm, buxheti është i baraspeshuar dhe të hyrat publike po rriten. Bizneset vendore po përfitojnë nga përmirësimi i mjedisit afarist, i nxitur nga qasja më e madhe në kredi, rregulloret e thjeshtuara dhe lidhjet më të mira në treg. Këta hapa pozitivë janë pasqyruar në ngjitjen e Kosovës në vendin e 40-të të raportit “Të bësh biznes” të Bankës Botërore.

Gjatë pesë vjetëve të shkuara bizneset kosovare kanë shtuar eksportin për 37 për qind, duke e përmirësuar imazhin e Kosovës jashtë vendit, veçanërisht në Evropë. Inkurajohem kur i shoh bizneset nga e tërë Kosova duke bashkëpunuar nën markën “Prodhuar në Kosovë” me përfitime të mëdha, si ndërmarrja e një serbi nga veriu i Kosovës që punon me ndërmarrjet e shqiptarëve kosovarë në jug për prodhimin dhe për eksportin e prodhimeve të drurit. Kosova duhet të vazhdojë që t’i bëjë këto rrëfime të suksesit të zakonshme. Në sektorin e bujqësisë, bujqit, duke përfshirë edhe bujkeshat, po fitojnë më shumë të ardhura si rezultat i eksportit të prodhimeve si mjedrat dhe bimët mjekësore.

Institucionet e sundimit të ligjit dalëngadalë po bëhen më efikase dhe më transparente. Fillimi i aplikacioneve dhe i publikimit në internet ka shtuar qasjen e publikut në informata për vendimmarrjen në Qeveri. Tani qind për qind të tenderëve publikë shpallen në mënyrë elektronike. Platforma e prokurimit elektronik dhe portali për transparencë po i dokumentojnë vendimet për prokurim për publikun, duke mundësuar vëzhgim dhe llogaridhënie më të madhe të tyre. Gjykatat i kanë publikuar më shumë se 6000 vendime përfundimtare. Qoshqet elektronike anembanë Kosovës po u ndihmojnë qytetarëve që t’i marrin dokumentet komunale dhe pronësore lehtë e shpejt.

Gjatë kohës sime këtu kam parë ndryshimin e qasjes në reagimin ndaj rasteve të dhunës në familje. Incidente të tmerrshme ka ende, por kam parë dëshmi të prekshme për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj të drejtave individuale. Viktimat janë gjithnjë e më të gatshme për t’i raportuar rastet dhe gjykatat po punojnë me mund për t’i gjykuar këto raste shpejt, drejt dhe me efikasitet. Gjykatat themelore të Kosovës po ashtu po i shqyrtojnë me kohë lëndët dhe po e zvogëlojnë numrin e lëndëve të vjetra. Për mua këto përparime janë shenjë e rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, sfidat mbesin. Të gjithë e dimë se sundimi i ligjit në Kosovë nuk është aq i fuqishëm sa mund ose sa do të duhej të jetë, veçanërisht në rastet që përfshijnë personat me ndikim politik. Kosova i ka kaluar dhjetë vjetët e para të shtetësisë së saj duke ndërtuar një sistem bashkëkohor të drejtësisë dhe duke nxjerrë ligje solide që e vënë atë përpara shumë shteteve tjera evropiane, por institucionet e drejtësisë duhet të kryejnë punën më mirë dhe të përqendrohen në aplikimin dhe në zbatimin e njëtrajtshëm të ligjit për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve. Ndërhyrja politike në sistemin e drejtësisë duhet të ndalojë. Politikanët që ndërhyjnë dhe gjyqtarët e prokurorët që e lejojnë këtë po e qëllojnë në zemër të ardhmen e vendit të tyre.

Për vazhdimin e suksesit Kosova duhet t’i pranojë plotësisht ata që nuk i ka pranuar plotësisht në të kaluarën: gratë, të rinjtë dhe komunitetet joshumicë. Edhe pse ka shembuj pozitivë në Gjykatën Kushtetuese, në Komisionin Qendror Zgjedhor dhe në Inspektoratin e Policisë gratë e talentuara të Kosovës kanë për të dhënë më shumë. Të rinjtë dhe komunitetet joshumicë, që kanë potencial të hatashëm, janë ende në margjina. Ende besoj se pajtimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë është thelbësor për të ardhmen në paqe dhe të begatshme – por ende duhet të punohet shumë për t’i përfshirë siç duhet serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera në institucionet e vendit dhe në shoqëri.

Furnizimi i pasigurt me energji elektrike vazhdon t’ia zërë frymën rritjes ekonomike. Më vjen mirë që ka lëvizje për “Kosovën e Re”, por që të vini deri te dita kur ky termocentral të fillojë prodhimin e energjisë elektrike ju duhet një qeveri e përkushtuar për t’u angazhuar në mënyrë aktive dhe me kohë, si dhe që merr vendime konstruktive për këtë projekt.

Gjithashtu, jam mjaft i brengosur se propozimet e kohëve të fundit për skema shtesë të ndihmës sociale mund ta minojnë stabilitetin fiskal për vite të tëra. Për t’u ballafaquar me sukses me këto sfida u bëj thirrje prijësve kosovarë që të jenë kujdestarë të ekonomisë dhe t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për t’u ndihmuar të gjithëve – jo vetëm atyre me lidhje të mira ose politikanëve – për të përparuar dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët e Kosovës të trashëgojnë një ekonomi të qëndrueshme dhe të begatshme.

Unë shpresoj përderisa përballeni me këto sfida. Pjesërisht sepse e kam vërejtur se organizatat e shoqërisë civile të të gjitha llojeve po rriten në numër e në madhësi dhe me sukses po u japin zë individëve me interesa dhe nevoja të përbashkëta. Organizatat si “Aktiv” dhe “Demokracia për Zhvillim”, që përqendrohen në bashkëpunimin ndëretnik, po ashtu po i ndihmojnë njerëzit nga e tërë Kosova për ta kuptuar se kanë më shumë gjëra të përbashkëta sesa mendojnë.

Sa i përket marrëdhënieve të vendit me shtetet fqinje, vazhdoj të besoj se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është thelbësor për ardhmërinë e Kosovës. Udhëheqja politike, e cilësdo parti, duhet të gjejë pikat e përbashkëta për qëllimet e Kosovës dhe të gjejë mënyrën për të ecur përpara duke i pasqyruar interesat e tërë popullit. Kosova ka nevojë shumë të madhe dhe urgjente për këtë frymë të bashkëpunimit nga prijësit e saj për të arritur përparim.

Kosova nuk ka kohë për të humbur duke u marrë me sfidat e saj. Ajo duhet t’ia demonstrojë bashkësisë skeptike ndërkombëtare se mund të jetë partnere e besueshme që i përqafon vlerat transatlantike. Ajo do të jetë vazhdimisht nën vëzhgim, jo vetëm nga jashtë, por edhe nga vetë qytetarët e Kosovës, veçanërisht të rinjtë. Udhëheqësit, si në politikë, edhe të shoqërisë civile, duhet të vendosin çfarë Kosove duan të shohin. Qytetarët duhet të kuptojnë se ata luajnë rol thelbësor për ta kërkuar ndryshimin që duan ta shohin, por edhe për t’i prirë atij ndryshimi. Nëse nuk e bëjnë këtë, ky ndryshim nuk do të vijë.

Koha ime këtu pothuajse mori fund, por shpresoj që do të kthehem në Kosovë për ta parë një vend që po ndërtohet mbi fitoret e hershme dhe që po ecën drejt të ardhmes edhe më të ndritshme. E paramendoj një vend ku ka ndarje të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe të njëtrajtshme, ku ligji i mbron të gjithë në mënyrë të barabartë. Ku bizneset mund të përparojnë me punë të mundimshme dhe me inovacion. Ku komunitetet shohin përtej dallimeve për të parë çka kanë të përbashkët dhe për të ndërtuar mbi to. Ku rinia e vendit ka zë të njëmendtë dhe interes të vërtetë për të ardhmen pikërisht këtu. Këto janë ëndrrat e mia për Kosovën.

( Autori është ambasador në largim i SHBA-së në Kosovë. Editoriali është shkruar enkas për gazetën “Zëri”)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK