Zërat
Rexhep Hoti
Rexhep
Hoti

Defekti i rëndë i Albin Kurtit

Zërat September 10, 2018 - 15:35

Pavarësisht nga përkatësia partiake, çdo personalitet me autonomi të mendimit e ka gjithmonë në vetveten e tij  ndërgjegjen e një gjithësi të vogël të komunikimit, e cila shfaqet në forma të ndryshme, të hapura a të në nënkuptuara. Në zgjedhjet e fundit kombëtare rezultati final i Vetëvendosjes, me mbi 30 deputetë, si dhe humbja e thellë e PDK-së, më e thella që prejse ajo ekziston, çuditërisht më shtyu të shihja skenën politike me një optimizëm të veçantë. Përjashtimi i trurit dhe i pjesës klasike të PDK-së nga vendimmarrja dhe “zvogëlimi” i saj në politika triviale të bonvivantëve me kohë premtonte mot të ligë për partinë. Humbjen e skajshme të PDK-së dhe fitoren e skajshme të VV-së e vlerësoja të rëndësishme për realitetin e ri politik për shkak se në vend kishin filluar të hapeshin shtigjet e konkurrencës së mirëfilltë politike, e cila nuk kishte ndodhur në përmasa të tilla që prej kohës së shembjes së LDK-së me karrige.

Suksesi i VV-së (duket se shënimi i kësaj partie me dy VV të mëdha në medie e kishte bartur në vete edhe çarjen e mallkimit të saj në dy pjesë), kishte goditur pozitivisht në shumë drejtime:

E para, e kishte rritur vetveten, jo vetëm nëpërmjet numrave me deputetë, por me pozicion në skenën politike të vendit, me strukturë, me gjithëpërfshirje, me prurje të reja dhe komunikim intensiv e të kujdesshëm, me popullizëm total. E kishte imituar praktikisht PDK-në e vitit 2014, ndonëse kishte qenë larg thelbit të programit të saj. Partia e mëdyshjeve të mëdha, e dhunës dhe e kaosit, që binte ndesh fuqishëm me ligjet e Republikës, e kishte rikthyer vetveten fitimtare dhe për herë të parë brenga s’ishte e pranishme për shëndetin e saj politik. Informacionet serioze se VV-ja ndodhej në prag të ndalimit u bën joserioze. Partitë e mirëfillta politike janë pasuri dhe vlera kombëtare pavarësisht se Kosova, shqiptarët në përgjithësi dhe vetë individi i saj, janë ende larg këtij koncepti. Fillova të besoj në ndryshimin e mirëseardhur dhe epik të Vetëvendosjes. Më në fund, një parti politike kishte një ekip kompakt, me personalitete që kishin përgatitje për të komunikuar në mënyrë brilante në Kuvendin e Republikës me politikën dhe politikat në përgjithësi për t’i shërbyer qytetarëve si një parti shembull përballë të tjerave që ishin stërkequr skajshmërish. Nga partia e politikës së zollave, e tentim rrëzimit të pushtetit me formave anarkike (enigma vazhdon kush i amnistoi në mënyrë të heshtur?!) e gazit dhe e dhunës, e keqpërdorimit të femrës në mënyrë bizare, e mbulimit dhe e shamisë kishte dalë fitorja e paimagjinueshme. Elektorati i Republikës e kishte dhënë ndëshkimin e vet maksimal dhe kjo ishte mrekullia e vogël që kishte ndodhur prej së cilës duhet të mësonin të gjithë pa përjashtim;

E dyta, fitorja e VV-së e kishte tronditur për të mirë skenën politike të mbipopulluar me mosdije, krim e klientelë të rrezikshme, sidomos partitë e mëdha popullore (PDK-në më shumë e LDK-në më pak), ishin tronditur nga themelet gjer në kulm. Dhe më duhet të them se, ky ishte shërbimi më i madh që VV-ja po ia bënte posaçërisht PDK-së, e cila e kishte harruar misionin e saj të investimit njëqindvjeçar dhe po lozte turpshëm me interesat e ngushta e meskine të individëve që e kontrollonin votën dhe gjithçka tjetër brenda saj;

E treta, me fitoren e VV-së e shihja mundësinë reale të rritjes së konkurrencës në tregun politik shqiptar të republikave shqiptare, në Maqedoni, në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës dhe jo vetëm;

E katërta, e shihja mundësinë e funksionalizimit të demokracisë dhe të shtetit si një proces të veshur me më shumë kulturë politike e njerëzore dhe valorizimin e votës si një mjet të përsosur për ndryshime demokratike. Veçmas kjo i duhej VV-së, që kishte shkelur në kufij të tillë, që mund ta nxjerrin plotësisht nga rendi dhe ligji;

E pesta, kisha bindjen se rritja e madhe e kësaj partie do ta sjellë agjendën e bashkimit kombëtar në proces normal politik, që aq shumë e proklamonte, jashtë agjendave elektorale të politikave, dhe kisha bindjen se do të ndalonin së frikësuari shqiptarët, komunitet joshumicë, fqinjët e faktorin ndërkombëtar. Me pak fjalë, mendoja se do të pushonin së dëmtuari bashkimit kombëtar, edhe si proces e edhe si agjendë me petkun e politikave të hegjemonizmit të shkollës sllave franceze.

Mund të radhisim edhe shumë pika tjera, por që të gjitha kanë një emërues: fitoren e VV-së e konceptoja si fitore për mbarë skenën politike të Republikës dhe jo vetëm.

Nuk e shoh të arsyeshme të flas shumë për dëshpërimin që ndodhi brenda kësaj pritjeje. As për faktin përse udhëheqësi shpirtëror i saj nuk arriti kompromis. Por mund të thuhet një e vërtetë boshtore: Albin Kurti do të ishte njësoj i madhi në VV, pavarësisht nga titulli i postit që mund të kishte. Ajo që ndodhi më pas dhe kush në cilën anë mbeti është pothuaj rastësi, pavarësisht se të dyja krahët e VV-së kanë potencialë të fuqishëm me njerëz të dhunshëm e të mbetur në borxh ndaj institucioneve të drejtësisë.

Për t’u kthyer te deklarimet e fundit te z. Kurti kur i drejtohet presidentit të Republikës, “duke e mësuar” atë që ta martojë djalin me vajzën e pushtuesit. Duket se këtu gjërat nuk janë më vetëm jashtë kontrolli. Njeriu i parë i VV-së po i kthehet sërish politikave dhunënxitëse dhe luftënxitëse brendashqiptare, sepse është duke e ëndërruar kthimin e elektoratit pas çarjes së saj në dy pjesë. Ai është duke provuar për t’i futur në lojë e për t’i njollosur me ligësi edhe të rinjtë, edhe fëmijët. Këtu pushon politika dhe komunikimi. Këtu pushon çdo natyrë shqiptare. Natyrisht, djali i presidentit nuk do të duhej të reagonte ndaj z. Kurti duke marrë mësim prej ligësisë së kryetarit të VV-së. Por, edukata dhe kultura nuk janë privilegje të pushtetit. Ato janë së pari bimë familjare. Ligësia e z. Kurti në këtë rast nuk duhej të merrte përgjigje me ligësi. Një përgjigje e thjeshtë e me dinjitet e djalit të presidentit do të fliste shumë. Çka do të ndodhte me njerëzit e mirë sikur të këqijtë t’ua tregonin rrugën dhe të ishin shembull për të mirët?! Bota do të kishte vetëm të këqij! Çfarë do t’i thotë z. Kurti bashkëshortes në lidhje me ligësinë e tij për një të ri të Republikës?! Apo çfarë do t’i rrëfejë nesër të bijës kur ajo të rritet?! Pa teprime, këto politika kanë qenë praktikë e shovinizmit sllav, nazizmit, racizmit, fashizmit, komunizmit e izmave tjerë të ngjashëm. Ato thjesht nuk kanë asgjë të përbashkët me njerëzinë!

E z. Kurti e do bashkimin kombëtar, por nuk e duron Republikën e Kosovës?! Pastaj e do, por duke e poshtëruar e duke e gjuajtur me top, duke e djegur e duke e rrënuar?! Pastaj dëshiron t’i krijojë tri sosh vetëm prej Kosovës. Pastaj ia mbron kufijtë me fjalë e nuk ia nderon aktin sublimit të Republikës, që është himni. E marrëzi tjera të pafundme.

Z. Kurti, Ukshin Hoti nuk e përçmonte Republikën e Kosovës. Ai e kishte konceptin e thjeshtë. Kërkonte funksionalizimin e republikave shqiptare, avancimin e tyre në emër të zhvillimit. Në emër të këtij koncepti e të vlerave të pandashme kombëtare, e kërkonte bashkimin kombëtar me Prizrenin kryeqytet të shqiptarëve. Ai kishte përçmim për njerëzit e saj që flinin në shtratin e Mirës dhe të Sllobodan Millosheviqit, por kurrë nuk e ka provuar ta fyejë e ta poshtërojë dikë vetëm e vetëm se ai ka mundur ndryshe. Ai ishte njeri që i respektonte vlerat dhe parimet fundamentale të saj. E kishte Zot Lirinë dhe asaj ia nënshtronte të gjitha interesat dhe vlerat tjera që kishte. Kjo ishte edukatë e tij, por kurrë nuk u tregonte kundërshtarëve se me kë ata duhet t’i martonin fëmijët e tyre ose cilët duhet të shkurorëzoheshin edhe atëherë kur qëndronte i lidhur me hekura në gropën serbe ose i izoluar në vendlindje.

Nuk e solla Ukshinin pa qëllim. Desha të të them se sikur të kishte fuqi z. Kurti të ngrihej mbi interesat personale për t’i pranuar egot e të tjerëve brenda partisë sot do të ishte më i nevojshëm për atdheun, për Republikën dhe për agjendën e bashkimit kombëtar. E bashkimi po ndodh. Dhe atë po e drejton aktualisht presidenti Thaçi. Dhe kjo është kryehumbja e z. Kurtit. Politika me ligësi duke i përdorur fëmijët nuk i ka ndihmuar kurrë askujt. Humbjet në politikë janë më të fuqishme sesa fitoret për ata që dinë t’i respektojnë ato, t’i vlerësojnë e të nxjerrin përfundime. Kjo ishte arsyeja boshtore e gëzimit tim kur z. Kurti me VV-në  shënoi fitore të madhe politike e kombëtare. Medet! Ajo u shua duke ardhur në pushtet. Kjo nuk është dobësi më, as vetëm humbje. Ky është defekt i rëndë, z. Kurti!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK