Zërat
Hivzi Islami & Arsim Ejupi
Hivzi
Islami
&
Arsim
Ejupi

Pesë fazat e përcaktimit të vijës kufitare ndërmjet shteteve

Zërat September 05, 2018 - 13:41
Lexo detajet

9. Është i njohur fakti se në kuadër të përcaktimit të vijës kufitare ndërmjet shteteve janë këto 5 faza: 1. Përkufizimi ose ndarja politike kufitare; 2. Definimi i kufirit; 3. Delimitimi i kufirit; 4. Demarkimi i kufirit dhe 5. Menaxhimi dhe mirëmbajtja e kufirit. Në fazën e parë ushtarakët, politikanët dhe diplomatët merren vesh për vendshtrirjen e kufirit. Një ndarje e tillë shpeshherë nuk është precize. Faza e dytë është definimi i kufirit. Meqenëse etapa e parë e përcaktimit të vijës kufitare përcillet shpeshherë me pasaktësi, në etapën vijuese synohet që kufiri të definohet në mënyrë më precize. Markerët janë pika karakteristike fiziko-gjeografike dhe sociale në terren. Në procesin mjaft kompleks të definimit të kufirit politikanët ndihmohen nga “arkitektët e kufirit” dhe nga “inxhinierët e kufirit”.

Etapa e tretë është delimitimi, i cili paraqet një proces ligjor përmes të cilit dy shtete sovrane përshkruajnë në formë të shkruar pozitën e kufirit të tyre të përbashkët, kryesisht si rrjedhojë e vendimmarrjes në tryezën negociuese, e cila rezulton me një marrëveshje ose traktat të nënshkruar nga palët e interesuara. Në këtë fazë “inxhinierët e kufirit” luajnë rolin kryesor. Demarkimi është etapa e katërt; ky është një operacion i terrenit dhe çështje ekzakte nga njohuritë gjeografike, fizike dhe astronomike. Qëllimi i tij është të markojë pozitën e kufirit në terren (tokë) ashtu që të jetë i dukshëm për të gjithë. Objektivi i demarkimit është vendosja e pikave fizike që përcaktojnë saktësisht kufirin e delimituar. Aty ku është e mundshme demarkimi me pika artificiale kufitare duhet të përmbajë piramida (shtylla) të vendosura drejtpërdrejt në vijën kufitare. Zakonisht formohet një komision i përbashkët i dy shteteve, i cili ka për detyrë të tërheqë vijën kufitare në varësi të gjendjes reale (relievi, hidrografia, situata shoqërore-ekonomike) në hapësirën kufitare.   

10. Gjatë procesit të demarkimit të kufirit devijimi i vijës kufitare mund të bëhet jo më shumë se 150 m² nga njëra anë ose nga  ana tjetër e kufirit (interesi i njërës palë për ndonjë burim të ujit, ndërsa nevoja e palës tjetër për qasje në një rrugë). Bëhet fjalë për shkëmbim: sa merr, aq jep në mënyrë që sipërfaqja totale e entiteteve shtetërore të mbetet e njëjtë. Faza e fundit është administrimi i kufirit në gjithë zonën kufitare (kontrolli gjatë kalimit të njerëzve dhe të mallrave, kontrolli i sigurisë, duke përfshirë kontrabandën, rrugët e mjetet e tjera të trafikut dhe të komunikacionit, i përdorimit të ujit, i tokës bujqësore dhe i pasurive të tjera).

11. Për shkak të ndryshimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare kufijtë variojnë historikisht në varësi të procesit të themelimit, të ndërtimit ose të dekompozimit të shteteve. Ngjitja e shtetit në skenën botërore është çështje e fakteve që nuk sjell automatikisht edhe pranimin e tij. Në praktikat bashkëkohore njihen rastet kur shtete të caktuara pranohen për arsye të ndryshme, por çështja e kufijve të tyre mbetet edhe shumë kohë pa u zgjidhur. Ndarja kufitare vjen në rend të ditës vetëm atëherë kur përcaktohet prania e ndonjë titullari juridik.

12. Në Ballkan dhe në territorin etnik shqiptar sot janë dy nyje neuralgjike gjeopolitike dhe gjeostrategjike, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare dhe veriu i Kosovës me shumicë serbe. Lugina shtrihet në pjesën qendrore të Ballkanit dhe paraqet një territor-korridor që lidh Luginën e Moravës në veri me Luginën e Vardarit në jug, duke mundësuar komunikim më të lehtë dhe më të shpejtë të Evropës së Mesme me atë Jugore dhe më tutje. Nëpër të kalojnë paralelisht rruga automobilistike (autostrada) dhe hekurudha me rëndësi ndërkombëtare, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturin Korridorin X, si një nga linjat më të rëndësishme të komunikacionit dhe transportit në Evropën JL.

13. Veriu i Kosovës shquhet me pasuri të mëdha minerale dhe ujore, pa të cilat Kosova nuk mund të ekzistojë. Pjesa veriore e Kosovës ka një sipërfaqe prej 1.002 km2  (komunat Leposaviq 539,05 km2 , Zubin Potok 334.38 km2, Zveçan 123,01 km2 dhe Mitrovicë Veriore 5,46 km2), me 174 vendbanime. Është e pasur me burime minerare të plumb-zingut (Bellobërdë, Koporiq dhe Zhuta Përlin, Cërnac, me rezerva të vlerësuara në rreth 6,4 milionë tonë më 1986-n, si dhe shkritorja e plumbit në Zveçan, koncentruesi në Leposaviq). Në anën tjetër, në territorin në mes të Kosovës dhe të Serbisë, në lumin Ibër është ngritur akumulimi (diga) më i madh në vend, ai i Gazivodës (Ujmanit) me kapacitet prej 390 milionë metrash kub ujë dhe që është vital jo vetëm për popullsinë e pjesës veriore të Kosovës, por për sistemin energjetik e industrial në përgjithësi.

Akumulimi është ngritur në vitet 1979-1984 dhe qëllimi i tij ishte furnizimi me ujë i popullsisë dhe ujitja e rreth 20.000 hektarëve tokë në fushën e Kosovës dhe të Drenicës. Termocentralet nuk mund të imagjinohen pa burime të sigurta ujore, sikundër edhe “Feronikeli”. TC “Kosova A” ka një harxhim mujor të ujit prej 8 milionë metrash kub, ndërsa TC “Kosova B” rreth 9 milionë metra kub. Vetëm për prodhimin e një MWh të energjisë nevojiten rreth 6 metra kub (TC Kosova A) dhe 3 metra kub ujë (TC Kosova B). Sipas të dhënave, TC “Kosova B” që është kryesori për prodhim të energjisë, furnizohet vetëm nga hidrosistemi Ibër-Lepenc, uji i të cilit vjen nga akumulimi i Ujmanit. Sot nga Ujmani furnizohen me ujë 6 komuna dhe rreth 35% e popullsisë së Prishtinës.

14. Me pozitën e saj kontinentale me asnjë kusht Serbia nuk pajtohet të humbasë hekurudhën ndërkombëtare BeogradëShkupëSelanik që kalon nëpër Bujanoc dhe Preshevë, autostradën BeogradëSelanik, bazën ushtarake të sapondërtuar në Cepotin në jug të Bujanocit, si dhe territorin e komunës së Medvegjës. Shtrohet pyetja a mund të merret hekurudha e ndërtuar në sektorin e Luginës në vitin 1889? Përgjigjja është negative, sepse për hekurudhën Serbia me aleatët e saj do të zhvillonte një luftë jo në përmasa ballkanike, por evropiane. Paralelisht me hekurudhën shkon autostrada moderne dhe Korridori X si avantazhe të mëdha për Serbinë dhe për transportin e saj në Evropën JL.

15. Ideja e Serbisë për dalje në detin Egje daton nga pjesa e dytë e shek. XIX përmes ndërtimit të kanalit Moravë-Vardar, për çka shprehën interesim disa kompani të njohura të kohës (dy franceze, një gjermane, një angleze dhe një amerikane). Për shkak të terrenit të komplikuar (për rrugën lundruese duhej të ngrihej një sistem i tërë kaskadash e kanalesh për t’i eliminuar dallimet hipsometrike prej 491,6 m – pengesë e madhe është kërrusja midis Preshevës dhe Kumanovës), kostos së lartë financiare dhe ndërhyrjes së Rusisë për të qenë sa më shumë e pranishme në Ballkan, projekti dështoi. Por në kokat e serbëve të Serbisë së atëhershme ishte e ngulitur thellë aspirata për dalje në det, sikundërqë dhe në Serbinë e sotme ende gjallojnë këto aspirata (për ndërtimin e kanalit Moravë-Vardar vetëm para disa viteve insistonte dhe presidenti i Serbisë Tomisllav Nikolliq, disa ministra të qeverisë së Serbisë, ekspertë, analistë etj).

16. “Korrigjimi” ose “rirregullimi” i territorit midis Kosovës dhe Serbisë e kthen Kosovën në fund të viteve të 40-ta, kur me ligjet për ndarjen administrative-territoriale të viteve 1947-1950, në mbështetje të Kushtetutës së R. P. të Serbisë të 17 janarit 1947, Serbia 7 fshatra të Karadakut të Preshevës ia barti rrethit të Preshevës (Stanec, Maxhere, Depcë, Peçenë, Ranatoc, Caravajkë dhe Sefer), të cilat deri atëherë i takonin rrethit të Gjilanit. Po kështu veproi edhe me fshatrat Dobrosin e Konçul të cilat para se t’i bashkoheshin komunës së Bujanocit i kishin takuar Kosovës, sikundër dhe dy fshatrat e Malësisë së Bujanocit, Zarbinca dhe Priboci.

Ka sa vite që Lutfi Haziri, sot kryetar i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetar i parë i LDK-së (më herët dhe funksionar i pushtetit qendror të Kosovës), ripërsërit kërkesën që këto 11 fshatra t’i kthehen Kosovës dhe me këtë të kthehet kufiri në vijën e vitit 1956 (sic!), gjë që është e pasaktë, sepse në këtë vit nuk ka pasur asnjë lëvizje të kufijve të jashtëm dhe të brendshëm të Kosovës, por vetëm në vitin 1959 dhe atë vetëm në veri të Kosovës, si dhe, siç theksuam, deri në vitin 1950 në lindje të saj! Si zë i vetmuar për “rishikimin” ose “rirregullimin” e kufirit Kosovë-Luginë, Haziri ose nuk e ka të qartë konceptimin hapësinor të Luginës, si shumëkush tjetër, ose pas këtij insistimi të tij qëndron ndonjë interes tjetër i brendshëm  (brenda garës ndërpartiake dhe brendapartiake lufta për votat e shqiptarëve të Luginës, që kanë mbetur në komunën e Gjilanit nga konflikti i armatosur i vitit 2000) ose edhe ndonjë pazar përtej. U kritikuan qëndrimet e Hazirit edhe nga ne të nënshkruarit, por kritika më të ashpra i drejtoi ish-kryeministri H. Thaçi, më 17 11. 2011, në Parlament teksa bisedohej për buxhetin kur tha se “Kjo është më tepër se buxheti, ndarja e territorit të Kosovës dhe çdo ide e tillë është shumë e rrezikshme”! Por sot i pari i Kosovës po pajtohet me Hazirin për “korrigjimin” e kufijve dhe për ndarjen e Kosovës, duke theksuar: “E çmoj përvojën politike të z. Hazirit. Duhet ta dëgjoj me vëmendje dhe të ndërtoj opinionin tim” (24.07. 2018). Këtu gjen vend proverbi: “E ndoqëm lepurin, na doli ujku”! 

17. Në fund të vitit 1959 Serbia bëri hapin tjetër në drejtim të organizimit më të qëndrueshëm dhe efikas territorial dhe administrativ, por që kishte për qëllim krijimin e një Kosove më heterogjene etniko-demografike. Më 26 nëntor 1959 Serbia ia “dhuroi” Kosovës 197 km2  të rrethit të Rashkës, me 45 vendbanime, që i shkuan qarkut të Zveçanit dhe në tërësi komunës së vogël, tashmë ekzistuese në Kosovë të Leposaviqit, me 26 fshatra më 3 prill 1952 me ç’rast u ndryshua pak përbërja nacionale e Kosovës. Leposaviqi si vendbanim dhe komunë e vogël pra gjithnjë ka qenë në Kosovë dhe kurrë nuk ka pasur këmbim midis Preshevës dhe Leposaviqit, siç flasin të painformuarit. Presheva me rrethinë deri në vitin 1912 ishte kaza e sanxhakut të Prishtinës brenda Vilajetit të Kosovës, pastaj deri më 1941 nën pushtetin serb, bashkë me Maqedoninë.

Ndërsa gjatë LNÇ-së kishte bashkëpunim të ngushtë me celulat e PKJ-së për Maqedoninë (komunisti i spikatur Abdulla Krashnica nga Presheva ishte delegat në mbledhjen ku lindi qenia shtetërore maqedonase, ASNOM-i, të mbajtur më 2 gusht 1944 në Manastirin Prohor Pçinjski në Serbi). Pas Luftës II, varësisht nga interesat politike dhe raporti i forcave midis Serbisë dhe Maqedonisë, Lugina mbeti nën Serbi dhe i takonte herë rrethit të Vranjës e herë të Leskovcit; fillimisht kur u suprimua rrethi i Preshevës një kohë kompetencat i mori rrethi i Bujanocit. Lugina e Preshevës dhe shqiptarët historikisht, por edhe sot e gjithë ditën mbetën të lidhur pashkëputshëm me Luginën e Kumanovës - Shkupit dhe shqiptarët e Maqedonisë në sferën familjare, ekonomike, arsimore etj. “Korrigjimi” mekanik i kufirit “i pret” këto lidhje dhe kontakte!

 18. Shtatë fshatrat e përmendura të Karadakut të komunës së Preshevës kanë një territor prej gjithsej 31.2 km2, ndërsa katër fshatrat e Bujanocit kanë 53.8 km2. Një territor prej 85 km², përveçqë nuk ka ndonjë rëndësi të posaçme për nga sipërfaqja, tanimë është buzë shpopullimit të plotë. Ndërsa sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2002 në shtatë vendbanimet e Karadakut, të cilat po lakohen në kuadër të një “shkëmbimi” të mundshëm, kanë jetuar 656 banorë, tashmë numri i tyre sillet vetëm në disa dhjetëra. Në fshatin Sefer ka vetëm 2 shtëpi të banuara, në Stanec 5, në Peçenë asnjë, në Ranatoc 3, në Caravajkë 4, në Depcë 5 dhe në Maxhere 7. Moszhvillimi ekonomik e infrastrukturor dhe rritja e presionit të hapur ushtarak në zonën kufitare me Kosovën, ku shtrihen këto vendbanime, i ka detyruar banorët të shpërngulen në drejtim të Kosovës dhe vendbanimeve fushore të Luginës. Kullosat dhe pyjet të cilat nuk dallohen për masë drusore e cila do të rriste mundësitë e shfrytëzimit dhe të përpunimit kanë bërë që popullsia të merret me blegtori ekstensive dhe prerjen e shitjen e drunjve si lëndë djegëse për ngrohje. “Erozioni” demografik në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar kishte marrë hov. Edhe fshatrat kufitare të komunës së Bujanocit (Dobrosini e Konçuli) janë përballur me shpërnguljet në drejtim të Kosovës.

Vija kufitare e Kosovës me Serbinë ngastrën e fshatit Dobrosin e pret në mes, ndërsa distanca e madhe me vendbanimet e tjera të komunës së Bujanocit dhe vetë qendrën urbane i kanë orientuar banorët e fshatit që nevojat e veta t’i plotësojnë në qytetin e Gjilanit. Këto vitet e fundit pjesa dërrmuese e banorëve të Dobrosinit janë ngulitur në Gjilan, ndërsa Zarbinca dhe Pribovci tashmë janë në prag të shuarjes së jetës. 

(Vazhdon në numrin e nesërm  të gazetës “Zëri”).

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK