Zërat
Rexhep Hoti
Rexhep
Hoti

Brezi i sotëm

Zërat September 01, 2018 - 16:46
Lexo tjera detaje

1.

Brezi i sotëm shqiptar, përjashto epokën pellazge-ilire, e cila ende bashkëjeton midis realiteteve dhe mitologjisë, sado i shqyer në shumë drejtime dhe i përcjellë me kritika të mëdha, sado që nuk ka arritur ta jetësojë ende përgjegjësinë ndaj detyrave të shtëpisë kur bëhet fjalë për kulturën politike, për ndjeshmërinë e tij në raport me shtetin dhe për interesat vitale të kombit, me të drejtën, të vërtetën, me vetë lirinë dhe arritjet e veta në përgjithësi, kolektive ose individuale, është brezi më i përafruar, më i suksesshëm dhe me më shumë fat se të gjithë brezat e mëparshëm, nga koha e mbretërive ilire e gjer më sot.

Që në fillim do të dëshiroja ta përcaktoja optimizmin që del nga fjalia e parë në kontekstin e thellësisë kompakte hapësinore dhe kohore e jo në këndvështrimet e përafërta të çështjes shqiptare ose të krahasuar me ndonjë periudhë të caktuar veç e veç. Sidomos jo të ndara e të krahasuara me periudha të mëdha si: luftën e parë ndërmjet evropianëve autoktonë ilirë me barbarët e qytetëruar nën kurorën e Perandorisë Romake, që do të mundë të cilësohet si lufta e parë e qytetërimit Evropian; epokën e qytetërimit të krishterë ilirë; ballafaqimin ilir me barbarët në Gadishullin Ilirik; principatat e Arbrit, përudhen e Gjergjit, gjeneralët stratiotë shqiptarë dhe kalorësia e tyre unike, Rilindjen Kombëtare, Luftërat Ballkanike e Botërore.

Aq më pak do të ndërlidhemi me kontestet e diktaturës dhe të ekzistencës së Krahinës së Kosovë në të gjitha format e saj të mundshme. Madje, këtu nuk do ta veçoja as periudhën e tranzicionit të shqiptarëve, çlirimin e tyre prej diktaturës, ose zhvillimet e mëvonshme tutje Drinave, Kosovën, dramën e saj që ishte Kryeagjendë Botërore jorrallëherë e as çastin kur SHBA-ja e garantoi shpalljen e Republikës së dytë shqiptare, nën konceptin e karakterit të filozofisë shumetnike të Pakos së Ahtisaarit dhe të Kushtetutës.

Pesha e brezit të sotëm të republikave shqiptare ndërlidhet me arritjet e mëdha në ndryshimin e epokave globale dhe Rendin Botëror, me reflektimet e ndryshimeve në organizimin e sistemeve politike, me mënyrën e të menduarit dhe ndalimin e tij, me pushtimin dhe lirinë, me shkurtimin e rrugës së formacioneve historike të shoqërive nëpër të cilat kaluan shoqëritë evropiane, me pragzhbërjen dhe ringjalljen e Kosovës, me zyrtarizmin e Republikës së dytë shqiptare, me klimën e trendit të ri botëror të përcjellë për herë të parë edhe me shoqërimin e interesave shqiptare, me valorizimin e diasporës shqiptare, me luftën e shqiptarëve për liri dhe me krijimin e tri ushtrive (UÇK) në tri shtete për më pak se tri vjet, me zhvillimin rrënjësor të infrastrukturës e mëkëmbjes graduale ekonomik, me fuqizimin e shqiptarëve në gjashtë shtete të rajonit. Këtu nuk ndalojnë së pushuari frytet e investimeve qindvjeçare shqiptare. Këtu në të vërtetë është përkufizuar:

së pari, porta e ardhmërisë drejt integrimeve rajonale e euroatlantike, shteti bërthamë shqiptar është tashmë pjesë e NATO-s dhe,
së dyti, porta për unifikim mbarëkombëtar.

2.

Në shëtitjet e stinëve të zymta të viteve të robërisë me Ukshin Hotin e dëgjoja aq shpesh refrenin e tij mbi detyrat dhe përgjegjësitë e një brezi, sa edhe sot e dëgjoj kumbimin e atyre fjalëve «Brezi ynë duhet ta realizojë Republikën e Kosovës përfundimisht. Ne s’guxojmë t’u lëmë fëmijëve obligimet tona të pakryera». Bindja e tij, si shumë tjera që i mbronte me flijimin e investimit personale, u realizua. Por, ai, as sot, as këtë ditë, nuk e ka ende të drejtën të jetë i gjallë ose i vdekur. Ai është ende në moskund, duke mbetur në mëshirën shpërfillëse të kohës edhe filozofia politike e mendimit mbi republikat shqiptare (1994) dhe bashkimit kombëtar, si proces, me kryeqytet Prizrenin. Jorrallë i keqpërdorur nga politika skajshmërish.

Brezi i sotëm shqiptar, në kontekstin e procesit kohor, është brezi i Fatit të Madh, që e ka në duart e veta edhe mundësinë e unifikimit të kombit brenda dy republikave shqiptare, për ta funksionalizuar edhe më tutje atë drejt zhvillimit me të avancuar të shoqërisë ku Njeriu dhe Liria janë vlera supreme në shërbim të fuqizimit të stabilitetit dhe përkatësisë së perspektivës evropiane, në shërbim të njerëzimit. Shqiptarët janë sot komb me një mirëqenie të kënaqshme ekonomike, sociale, arsimore e kulturore në krahasim me të arriturat rajonale ku këmbimi i vlerave, i mallrave dhe ideve, prodhimi modest shqiptar, është duke u standardizuar në hapin e duhur drejt tregjeve rajonale dhe të BE-së.

Por, në qoftë se shqiptarët aktualisht nuk mund t’i ofrojnë ekonomi të zhvilluar botës së qytetëruar, ose në qoftë se klasa politike e saj ka devijime serioze bastarde, kjo nuk do të thotë se këtu pushon edhe qenësia e vitalitetit të kombit shqiptar. Po të mendohej kështu, atëherë do të merreshin si të mirëqena pikëpamjet histeriku të njerëzve që me ardhjen e Lirisë së shqiptarëve, ata e humbën shkëlqimin e shpirtrave prej shërbëtorëve të zellshëm, që e siguronin prej pushtuesit, duke i rënë me kazme atdheut, si shkaba kur e çante shpretkën e Prometheut të ngujuar në shkëmb, thënë me figurë.

Në kontekstin e faktorit të brendshëm, shqiptarët janë komb i dashuruar natyrshëm në kompaktësinë territoriale e etnike dhe, pavarësisht nga migrimi, ata, kudo që janë, kurrë nuk janë marrë më shumë sesa tash në mënyrë kritike me vetveten dhe shtetin, me kombin dhe zhvillimin, me mirëqenien dhe arsimimin, përgjithësisht me trungun kulturor në shërbim të së tashmes dhe ardhmërisë së brezave.

Hapësira shqiptare ofron turizëm të njëhershëm malor, detar dhe arkeologjik, pasuri tjera ujore e nëntokësore, energji. Mikpritje dhe kuzhinë të veçantë. Shqiptarët shquhen edhe me arritje individuale, vlerat e të cilave janë të respektuar në nivele botërore. Por princeshat dhe princat e Arbrit sapo kanë dalë në rrezen e Lirisë. E kuptueshme se pas tyre ende ngarend e fuqishme hija e rëndë e shtypjes, prandaj aty-këtu mund të hasësh tek ata analfabet të pastër me prierje kozmopolite. Kjo epokë vajton natyrshëm edhe për një Konicë, kur është në pyetje kultura e shkrimit dhe publicistika e tij e frymëzuar, për të mos thënë, herë-herë, poetike! E një shkrim sot, sado i arrirë qoftë nga ana e dijes, s’mund të jetë i tërë, në qoftë se në vetvete nuk e ka të mishëruar në trajtim edhe anën estetike.

3.

Në kontekstin e marrëdhënieve ndëretnike, shqiptarët janë gardianët e garantimit të marrëdhënieve të mira me komunitete e pakica kombëtare jo vetëm për shkak se ata shtrihen e jetojnë si tërësi e pandashme në gjashtë shtete të Gadishullit, për çka rasti në fjalë është shembulli i njëhershëm i botës së qytetëruar. Mbi këtë vlerë shtresohet, shumësia e bashkëjetesës së feve. Ajo është vlera praktike e jetës! Ajo ngjason me konceptet e udhërrëfyesve të një etike pedagogjike. Këtë filozofi jetësore e gjen vetëm ndër shqiptarë e askund tjetër. Ashtu siç e kanë dëshmuar filozofinë e pranimit të Lirisë për komunitet tjera etnike, për pakica kombëtare larg më shumë sesa tjerët ua pranojnë atyre. Ndërtimi dhe formësimi i lirisë shqiptare duke e pranuar në radhë të parë lirinë e të tjerëve, që bashkëjetojnë me ata, e ka fuqizuar Lirinë e tyre. Këtu ka pikëmbështetjen e vet tradita e lashtë e skipetarëve, fjala e dhënë, besimi, besa, bujaria, fisnikëria, mikpritja, toleranca shqiptare.

Në kontekstin e faktorit te jashtëm shqiptarët janë shtylla më e fuqishme e integrimeve rajonale e euroatlantike në kuadër të Ballkanit Perëndimor dhe Gadishullit Ballkanik në përgjithësi. Natyra e përkatësisë evropiane autoktone, natyra e qytetërimit të lashtë perëndimor, është përkatësia, prona prej së cilës morën të gjithë popujt rajonalë e të tjerë. Është dëshmuar se çfarë bënë shqiptarët, stërgjyshërit e tyre, për vlera universale të qytetërimit perëndimor dikur e sot. E megjithatë, ata nuk u krekosen kurrë në lidhje më këtë. Kjo do të thotë se nuk ishte i rastësishëm Atleti i Krishtit tek ata. Ashtu siç nuk është as rastësi Shën Tereza. Nuk bën kurrë luftëra pushtuese, përveçse nëpërmjet perandorive kur dhe ku ishin element i fuqishëm i ndërtimit të tyre, si te Perandoria Romake, Bizantine e Osmane. Jetuan me madhështitë dhe thjeshtësitë, sikurse me shumë aventura që i kishin kur ishte në pyetje dashuria e vallëzimit nëpër hapësirat e mëdha, për ta hedhur hapin e lojës politike tutje, ose si do të thoshte poeti për vallen shqiptare: «Kush ra midis vorbulles suaj/ Dhe s’u perzhit, dhe s’u perflak/ Ju bubullima me opinga,/ Qe neper shekuj bridhni varg». Me perandorinë e fundit (osmane) ata bënë shumë qejf, por kur ajo u shemb, humbën mbi 80 për qind të territorit që kishin. Duke se qejfi u përkthye në mallkimin e humbjes së tokave dhe pjesëve të konsiderueshme të bregdetit të bukur. Dhe u mjaftuan më pas realiteti me konstatimin: ‘Mirë, shpëtuan ca shqiptarë, shqiptarë!’. Territorin e humbën kryesisht nga luftërat që pësoi ‘perandoria e tyre’ prej rusëve. Dhe Rusët nuk do të shkoqen lehtë, as sot e ketë ditë. Dhe vazhdojnë ende të jenë rreziku numër një i tyre. Ata janë të vendosur sot në qytetin e tyre të dikurshëm Naissós?! Ata janë aty, rrinë e vëzhgojnë vazhdimisht!

 

4.

Brezi i sotëm shqiptar pothuaj gjysmën e vitalitetit të vet kombëtar e ka në diasporë. Fuqia e shqiptarëve jashtë atdheut është fuqi me potenciale të tilla që mund të krahasohet vetëm me përmasën e popullit hebre. Ajo është fuqi ekonomike, diplomatike, politike, arsimore e kulturore kudo që është në kuadër të shteteve të BE-së, në shtetet skandinave, në SHBA, në Turqi veçmas. Vetëm në qoftë se do të mundë të paramendohej një Turqi e integruar në BE, çfarë perspektive do të kishte për mbi 10 milionë shqiptarët që jetojnë atje, të cilëve ende nuk u njihet statusi i pakicës kombëtare? Një status i minoritetit shqiptar në Turqi do ta zhvendoste perspektivën e historisë ndërmjet Euroazisë e bashkë më të do të zhdukej edhe frika e turqve prej rusëve.

Pra zhvendosja do të ishte ndërkontinentale. BE-ja do të valonte fuqishëm në grykën e Bosforit ku turqit së bashku me shqiptarët e të tjerë do t’i zhvendosnin tutje kufijtë e rrezikut prej Lindjes së Afërt e të Largët për Evropën dhe botën e avancuar të shoqërive e shteteve demokratike perëndimore. Në konstelacione të tilla brezi i sotëm i shqiptarëve në krye me SHBA-në, që e ndalën realisht Serbinë dhe Rusinë në kufijtë shqiptarë të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, për të mos marshuar më tutje drejt ujërave të Perëndimit, do të kishte një peshë krejt të veçantë dhe roli i Azisë së Vogël do të vihej në dispozicion të pafund të shpalosjes së vlerave të qytetërimeve me një perspektivë krejt të veçantë. Do të dëshmohej e kundërta e filozofisë së qytetërimeve e jo siç e konceptonte nga aspekti filozofik Samuel P. Huntington, e kundërta e Rendit Botëror nën kombinimin e renditjes së flamujt të fuqive dhe të vlerave. Ky efekt do të krijonte përplasje të bukura të qytetërimeve me shumë ngjyra. Dhe aurorat e Polit të Veriut do t’i kishim kohë pas kohe edhe në vende tjera.

Por pincat e krishterë të BE-së, të frikësuar dhe të papërvojë me durimin e lashtësisë historike të qytetërimit të njëmendët evropianë dhe të qytetërimeve tjera në përgjithësi, më shumë e kishin brengën aspektin negativ të të menduarit e të vepruarit sesa e kishin primare shtytjen pozitive për t’i ofruar më shumë guxim në mbështetjen e parezervë dhe me kohë, edhe një vendi sikurse ishte dje Turqia. Ajo sot është duke u ngatërruar rrezikshëm me të tjerë dhe vetveten më shumë, për shkak se ka mbetur midis konceptit të provincës perëndimore të rregullimit shtetëror edhe pse është vend me popullatë myslimane, lakmisë neootomane, fesë dhe frikës së kamotshme prej rusëve?!

Qytetërimi i BE-së do të mundë të kishte deri në tre, katër e pesë ministra shqiptarë të Mbrojtjes, fjala vjen, ose të Punëve të Brendshme, duke përfshirë brenda vijëzimit në fjalë edhe një ministër nga shteti 81-milionësh.

E bota do të kishte të garantuar stabilitetin dhe paqen e saj edhe nga mjeshtrit e luftës që kontribuuan drejtpërdrejt në formimin e doktrinës ushtarake, të shtabit të përgjithshëm dhe të filozofisë së shtetit të sotëm evropian modern shtet/komb.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK