Zërat
Rexhep Hoti
Rexhep
Hoti

Filozofia putinjane përballë Lirisë së Republikës

Zërat August 10, 2018 - 09:33

1. 
Të rralla janë ato shtete që shfrenimin mbi vërtetësinë e informacionin e kanë aq të skajshëm sa e ka përtashësisht Kosova dhe Shqipëria. Kjo duket aq hapur sa të ashtuquajturat «lajmet e rreme» te republikat shqiptare janë ndër shtyllat kryesore të të bërit lajm dhe jo vetëm.
Një trillim i tillë është vetëm fillimi i një mekanizmi të madh e të gjithanshëm, i cili edhe prodhon pseudovlera pa fund, edhe dekoron pseudovlera pa fund.
Është e dukshme se vërtetësia ose jo e informacionit është vetëm faza e parë e së keqes mbi çështjen në fjalë. Më tutje se kaq pasojnë vetë “fake news”-ët e personaliteteve, të cilët pjesën dërmuese të formësimit individual e kanë ndërtuar mbi pavërtetësinë e jetës, që ata kanë bërë dhe bëjnë qoftë në raport me shoqërinë, me rrethin, me edukimin dhe arsimimin, me kombin, me fenomene të ndryshme ose edhe me vetë familjen dhe vetveten. Mbi të gjitha “e rrejshmja dhe jovlera” kanë qenë në relacione të liga me Lirinë dhe Pronën, qoftë të asaj individuale, familjare, kombëtare a shtetërore.
E pavërteta te kjo pjesë e shoqërisë bashkë me jovlerën e ka përcjellë pjesën dërmuese të akterëve nëpër institucione autonome akademike e shtetërore, në shoqërinë civile dhe veçmas te kjo dhe te media. Aspekti fetar, sidomos në Kosovë e në Maqedoni te pjesa shqiptare, kap përmasa tmerruese, e cila krijon realitete tronditëse, shkatërrimi i të cilave lë gjurmë të thella te një pjesë e konsiderueshme e rinisë. Si është e mundur që ende ligjërohet në hapësirat shqiptare «një ders» i tillë, i cili është objekt për t’u shqyrtuar ekskluzivisht ose në gjykatë, ose në klinikë.
 
2.
 
Para se ta shtjellojmë efektin e tashëm «putinjan», veçmas në Kosovë, sepse lajmi i rremë dhe pseudovlera janë aktualisht prodhime ruse te shqiptarët e jo vetëm serbe. Përmasa ruse e këtillë e zbritur në Gadishullin Ballkanik tashmë është bërë e njohur edhe nga Uashingtoni dhe Brukseli (e jo vetëm aspekti ushtarak nëpërmjet Serbisë), pos analistëve të njohur e me autoritet që e kanë pohuar një gjë të tillë nëpër analizat e tyre të vlefshme.
Me fjalë të tjera, kjo stinë putinjane që është duke prodhuar kaq shumë “fryte” për shqiptarët, pozicioni i të cilëve kurrë, kurrë në historinë shtatëqindvjeçare të ballafaqimit me serbët nuk ka qenë më i përshtatshëm dhe më i favorshëm për ta; qoftë në rrafshin e faktorit të brendshëm, me gjithë “fake neps”-et dhe jovlerat, me gjithë përmasat putinjane të disa medieve dhe të një pjese të shoqërisë civile e të politikës, me gjithë komandantët bastardë të pasluftës; qoftë në rrafshin e faktorit fqinjësor, dy prej tri shteteve me shumicë ortodokse e kanë njohur Republikën e Kosovës shtet të pavarur e sovran, me kufij të përcaktuar e të njohur ndërkombëtarë; qoftë në rrafshin rajonal, dy republikat shqiptare kurrë nuk kanë pasur marrëdhënie me të mira bilaterale me shtetet e rajonit (me Greqinë në avancim të duhur, me Kroacinë; e Slloveninë më shumë sesa marrëdhënie bilaterale mike, me Bullgarinë marrëdhënie të shkëlqyera) qoftë në raport me faktorin ndërkombëtar Shqipëria në NATO, me SHBA-në më mirë sesa republikat shqiptare ndërmjet vete, me shtet e QUINT-it gjithashtu, me të gjitha shtetet me demokraci të avancuar pa përjashtim etj. 
 
3.
 
Në rrethana të tilla të përtashme përballë një Serbie që e ka humbur luftën me Kosovën, ka bërë gjenocid së paku te tre popuj të ish-hapësirave të RSFJ-së, te kroatët, te boshnjakët dhe te shqiptarët. Me një Serbi e cila sovranitetin dhe integritetin e vet territorial e ka të varur nga sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës (Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku), me filozofinë e Pakos së Ahtisaarit, Serbia apriori është në pozita të pafavorshme në tryezën e “dialogut” kur janë në pyetje të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të komuniteteve joshumicë, Pakoja e Ahtisaarit e determinon pa ekuivokë aspektin e një OJQ-je përmbajtjen e Asociacionit.
Komuniteti joshumicë serb s’mund të marrë më shumë sesa ka në Pakon e Ahtisaarit.
Komuniteti joshumicë serb dhe jo vetëm ai me Pakon e Ahtisaarit marrin të drejta dhe liri njerëzore, qytetare, kombëtare, etnike, fetare, politike, arsimore, shëndetësore, të sigurisë, ekonomike, tregtare, sociale etj. larg më shumë sesa çdo komunitet joshumicë kudo qoftë në kuadër të Bashkimit Evropian larg Kartës Evropiane mbi vetëqeverisjen lokale.
Në drejtpeshim me këto të drejta Serbia duhet t’i ofrojë ato për Luginën e Preshevës dhe për Sanxhakun. Kjo do të thotë se serbët dhe Serbia nuk mund të kenë asnjë hap përpara në tryezën përmbyllëse të “dialogut”. Përkundrazi.
Prandaj shqetësimi në Kosovë mbi përmbylljen e “dialogut” duhet të jetë i kujdesshëm me masë dhe pa kahjen e shembjes në filozofinë putinjane.
 
4.
 
Në të vërtetë edhe pozicioni i Kosovës me gjithë vërshimin e stinës putinjane në muajt e fundit nuk mund ta shkulë trungun e së vërtetës për Kosovën, për lirinë dhe shtetin e saj të pavarur e sovran. Në proceset e zhvillimeve në Serbi për herë të parë “ka arritur befasisht” një lajtmotiv politik mbi të vërtetën, sado e pjesshme qoftë ajo.
Në qoftë se republikat shqiptare kanë telashe me filozofinë putinjane të lajmeve të pavërteta dhe me vlerat e rreme Serbia ka telashe me identitetin e saj të rremë mbi shtatëqindvjeçar. Pra, ajo ka telashe me ndërtimin dhe formësim e saj të rrejshëm historikisht. Ajo ka ardhur në një pikë ku realisht më shumë sesa interesimi i saj për Kosovën është interesimi i saj për vetveten dhe me vetveten. Në këtë drejtim e ka ndihmuar edhe mrekullia e lirive dhe e drejtave për komunitetin joshumicë serb që ekziston në Pakon e Ahtisaarit. Madje në sfond të strategjisë serbe mund të ndihet era që ajo s’dëshiron më të luftojë për më shumë të drejta e liri për komunitetin serb në Kosovë. Dhe arsyeja është e thjeshtë. Liria e tepruar e serbëve të Kosovës rrezikon ta shembë vetë Serbinë shumetnike. Një zhdrejtpeshim i tillë do ta vërë në pikëpyetje integritetin e saj territorial. Serbia më nuk ka pozicione në Gadishullin Ballkanik ashtu siç i kishte deri në fund të mijëvjeçarit të dytë. Ajo u bombardua për 78 ditë dhe Rusia në atë kohë ishte gjithashtu diku në hartën e botës.
Fillimi i mijëvjeçarit të tretë filloi me Lirinë e merituar, por të vonuar për shqiptarët. Jo vetëm të Kosovës. Ashtu siç nuk ishte as rastësi formimi i tri UÇK-ve në Ballkanin Perëndimor. Gatishmëria e shqiptarëve për t’iu qasur Lirisë edhe me aspekte të qëllimeve të skajshme solli edhe rezultatet, pavarësisht keqpërdorimeve në emirin e këtij institucioni të shenjtë. Dhe ana groteske e medaljes për serbët është se edhe mekanizmi i tyre shekullor në Kosovë e nipave dhe mbesave të saj nuk është më duke i ndihmuar e as filozofia putinjane e shpërndarë gjithandej si valët e telefonive të dyshimta nëpër Kosovë, thënë me figurë.
Në të vërtetë, Republika e Kosovës i ka “ndihmuar” Rusisë jashtëzakonisht shumë. Jo vetëm në rastin e Krimesë. Republika e Kosovës me elementin e saj paqësor e ushtarak, me të drejtat e saj dhe me filozofinë e saj nga koha e tranzicionit të viteve të ’90-ta e gjer te lufta i ka dhënë një shembull praktik federatës ruse se si ajo mund të dalë me avantazhe ndaj Ukrainës së ngathtë e të papërgatitur me revolucione groteske boksierësh. Për këtë mbase në ndonjë shqyrtim të radhës do të mundë të flasim më shumë.
 (Autori është koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK