Zërat
Rrita Ismajli
Rrita
Ismajli

Pse është e rëndësishme përfshirja qytetare në luftën “kundërkorrupsion” në politikat e prokurimit publik?

Zërat July 12, 2018 - 14:45

Performanca e prokurimit publik në institucionet e Kosovës është e palakmueshme. Kjo për shkak të një kontrolli të dobët, mosimplementimit të rekomandimeve dhe opinioneve të institucioneve mbikëqyrëse, mungesës së sanksioneve dhe moslejimit të monitorimit të plotë të prokurimit publik nga qytetarët, OJQ-të dhe mediet.

Në nivelin lokal, ku komunat e Kosovës nuk respektojnë rekomandimet e Auditorit mbi 50% dhe ku zyrtarët nuk identifikohen për shkelje ligjore, angazhimi dhe presioni i qytetarëve të Kosovës është kyç për të forcuar betejën e “kundërkorrupsionit’’.

Shoqëria civile dhe media investigative në Kosovë kanë prioritizuar zhveshjen e korrupsionit në prokurim publik. Si pjesë e këtyre iniciativave këto palë të interesuara po ashtu kanë marrë përsipër edhe aktivizimin e qytetarëve në politikat e prokurimit publik.

Mirëpo, sa po interesohen qytetarët për të zbuluar se çfarë po ndodh prapa dyerve të mbyllura të komisioneve vlerësuese të tenderëve, sa para po shpenzohen për të mirën e publikut dhe sa prej tyre po humben nga sipërfaqja e buxhetit të Kosovës?

Këto e shumë pyetje të tjera lënë hapësirë të dyshohet se tenderët e Republikës së Kosovës nuk shkojnë drejt përmirësimit të shëndetësisë, arsimit ose infrastrukturës, por fatkeqësisht u përcaktohen kompanive gjigante dhe politikanëve të vendit.

Çfarë e bën edhe më shqetësuese situatën aktuale të prokurimit publik është mungesa e angazhimit qytetar në adresimin e korrupsionit në kontrata publike. Sipas një studimi nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë 98% e bizneseve të anketuara në Kosovë vlerësojnë se korrupsioni është i pranishëm në aktivitetet e prokurimit publik. Ky nivel i lartë i perceptimit të korrupsionit do të duhej që të alarmojë institucionet rregullative dhe të iniciojë platforma shtesë në përfshirjen e sektorit privat, qytetarëve dhe shoqërisë civile në monitorimin e prokurimit publik. Institucionet rregullative si Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) duhet që të jetë kampionë në përfshirjen e qytetarëve në sistemin e prokurimit.

Po ashtu edhe të nxisë autoritetet kontraktuese në Kosovë që të angazhohen në monitorimin e prokurimit publik që prej planifikimit të aktiviteteve dhe deri te menaxhimi i kontratave publike. Është dekurajuese që në të gjithë sistemin e prokurimit publik në Kosovë, si dhe në të gjitha organizatat buxhetore nuk ekzistojnë komponentë specifikë për përfshirjen e qytetarëve në prokurim publik. Kjo mungesë e angazhimit qytetar dhe mosmbikëqyrjes nga institucionet ndjekëse ka ndikuar në rritjen e veprave penale në prokurim publik, në dëmtim të buxhetit, si dhe kualitet tejet të dobët në implementimin e projekteve.

Mungesa e monitorimit në të gjithë procesin e prokurimit publik rrit edhe më tutje mundësitë e manipulimit të parasë publike, korrupsionit dhe diskriminimit të bizneseve në baza jomeritokratike. Aktivistë të shoqërisë civile vazhdojnë monitorimin e procesit të aktiviteteve të ndryshme të prokurimit publik. Megjithatë, duhet theksuar se edhe këto hulumtime dhe monitorime kalojnë në shumë pengesa dhe në vështirësi si rezultat i rezistencës nga institucionet publike.

Prandaj, tani është koha që jo vetëm shoqëria civile, por edhe qytetarët e Kosovës dhe sektori privat të kërkojë llogari nga institucionet përkatëse dhe të ushtrojë të drejtën e tyre në monitorimin e aktiviteteve në prokurim publik.

Kjo pasi që angazhimi i më shumë palëve nga sektorë të ndryshëm në monitorimin e prokurimit rrit presionin te zyrtarët publikë. Në lidhje me mbrojtjen e interesave publike Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) avokon që sigurimi i mundësive për përfshirjen e drejtpërdrejtë të akterëve të ndryshëm dhe relevantë në sistemin e prokurimit jo vetëm që ndikon në rritjen e transparencës, por njëherësh thekson edhe integritetin e një institucioni.

Nëse analizojmë vullnetin politik për të luftuar korrupsionin, politikat publike që nuk u përshtaten të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë ose edhe përpjekjet e ngurta të politikanëve vërtetojnë se “lufta kundërkorrupsion” është vetëm edhe një tjetër imponim ose kriter i komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.

Natyrisht, edhe këtë here politikanët kanë përfshirë “kundërkorrupsionin” në agjendat e tyre politike për të treguar kinse ka seriozitet në këtë drejtim. Por, depolitizimi i administratës publike dhe më saktësisht i prokurimit publik kërkon më shumë se vetëm një agjendë dhe vullnet politik.

Prej shumë strategjive, reformave dhe përpjekjeve që janë identifikuar nga organizatat ndërkombëtare dhe institucioneve të tjera botërore, tri elemente efektive drejt depolitizimit të prokurimit publik dhe rritjes së llogaridhënies dhe efikasitetit janë: I. Mekanizma më të lartë të kontrollit dhe auditmit të aktiviteteve dhe zyrtarëve publikë, II. Sanksione, për shkak se ato çojnë peshë të madhe për të eliminuar shkelësit e ligjit dhe III. Fuqia e publikut për të rritur presionin qytetar dhe për të krijuar rrugë, që u japin atyre mjete relevante për t’u angazhuar drejt një zgjidhjeje të përbashkët.

Qëllimi përfundimtar i prokurimit publik duhet të kënaqë interesin e publikut. Sigurisht, një proces i mirë i prokurimit siguron mallra, punime ose shërbime në sasinë dhe në cilësinë e duhur, duke kontraktuar nga furnizuesit më të mirë gjithmonë me përputhje me detyrimet kontraktuale.

Pra, një prokurim i shëndoshë duhet të përmbushë nevojat publike, të sigurojë vlerën për para dhe të jetë i drejtë ndaj ofertuesve. Mirëpo në Kosovë rrallëherë përmbushen këto detyrime ligjore në aktivitetet e prokurimit publik.

Ky zinxhir i praktikave të mira, të detyrimit ligjor, por edhe të informimit të qytetarëve për procesin e aktiviteteve është pothuajse joekzistues. Edhe pse në të kaluarën në Kosovë janë iniciuar pakte të integritetit për të bashkuar Qeverinë, bizneset dhe shoqërinë civile për të luftuar korrupsionin në kontraktimin publik, ato nuk kanë qenë afatgjate dhe të qëndrueshme.

Të gjitha reformat ose mjete të tjera të “kundërkorrupsionit” nuk mund të funksionojnë pa një “Pakt Integriteti”, ku vetëm bashkimi i publikut me palët e tjera si bizneset dhe Qeveria do të mundë të krijonin një zgjidhje për korrupsionin.

Megjithatë, kjo dhe shumë iniciativa të tjera duhet të burojnë nga nevoja e qytetarëve të Kosovës që kërkojnë llogari, transparencë dhe efikasitet në sistemin e prokurimit publik. Agjendat politike duhet të përcaktohen nga kërkesat dhe interesat e publikut dhe jo të interesave personale.

Prandaj, përfshirja e qytetarëve në administratën publike e sidomos në sektorin e menaxhimit të fondeve dhe të prokurimit publik luan një rol tejet të rëndësishëm në dinamikën e luftës kundër korrupsionit. *Autorja është hulumtuese në “Demokraci Plus” (D)*

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK