Zërat
Blerinë Ukshini
Blerinë
Ukshini

Aktivizimi qytetar - afër pikës zero

Zërat June 20, 2018 - 11:39
Lexo detajet

Vullneti - është kjo fjalë kyçe që mungon në shoqërinë kosovare në ditët e sodit. Paslufta ndryshoi shumë rrethanat në Kosovë, madje ndryshoi edhe qasjen e njerëzve dhe shpirtin e solidaritetit tek ta. Aktivizimi qytetar ka pësuar zbehje të madhe dhe rënie drastike, qytetarët tashmë nuk marrin shumë vetiniciativa për të kontribuuar për shoqërinë e tyre dhe komunitetin ku jetojnë, thjesht presin t’u servohen të gjitha si të gatshme nga institucionet shtetërore ose nga shoqëria civile.

Adresimi i problemeve dhe avokimi karshi nivelit qendror dhe atij lokal është më e pakta që qytetarët mund të bëjnë për të arritur deri te zgjidhja e një problemi sado i thjeshtë qoftë ai, mirëpo humbja e besimit te çdo partner i tyre bën që ata të rrinë në heshtje.

Madje për të shkuar edhe më larg, bindja se çdo vendim merret nga “lart” duke nënkuptuar nivelin qendror, ka minimizuar edhe bashkëpunimin me nivelin lokal të qytetarëve.

Në anën tjetër shteti ynë nuk është që po bën shumë mund për të bërë më të mirën për qytetarët e tij, duke përfunduar shumë punë sa për sy e faqe e duke lënë shumë punë pezull, kësisoj ata bëjnë që problemet të trashëgohen mandat pas mandati dhe përgjegjësitë e tyre të mbeten anonim.

Vend për përmirësim nga institucionet ka edhe në infrastrukturën ligjore e sidomos sa i përket vullnetarizmit, ku duhet që puna vullnetare të llogaritet si përvojë në mënyrë që të rinjtë/rejat  të jenë më të motivuar për të bërë punë vullnetare, ashtu siç do të duhej të ndodhte në rrethana normale në një shtet, sidomos në tranzicion siç është Kosova.

Ndikim të madh në këtë mes mbart edhe korrupsioni, dukuri kjo me të cilën po sfidohemi, po përballemi e po fundosemi çdo ditë e më shumë, që të lë përshtypjen se as edhe një njeri i vetëm nuk ka mbetur pa një aferë të tillë, e shpesh duke dyshuar edhe në vete që mos ndoshta pa dashje je përfshirë në një proces të ngjashëm dhe më nuk mund të kërkosh llogari nga të tjerët se përse e bëjnë një gjë të tillë.

Si shkaktar kryesor të korrupsionit dhe të nepotizmit pa dyshim se mbesin papunësia dhe  rënia e nivelit të ekonomisë në vend.

Përveç korrupsionit, si problematika qenësore të cilat kanë demotivuar qytetarët e sidomos të rinjtë/rejat janë: niveli i arsimit, sistemi i edukimit, papunësia, keqpërdorimi i besimit dhe mungesa e bashkëpunimit, andaj edhe fokusi kryesor në të ardhmen duhet të jenë përmirësimi i këtyre pikave ku kemi çaluar si shoqëri.

Sistemi i edukimit është çështja më primare me të cilën duhet të merremi, që nga fëmijëria t’u mësojmë gjeneratave të ardhshme rëndësinë e qytetarisë aktive, të vullnetarizmit dhe të mendimit kritik.

Krahas problemeve institucionale, problematike është edhe mentaliteti i krijuar te qytetarët, të cilët nuk kontribuojnë aq sa duhet në komunitetin e tyre, si dhe nuk janë mirë të organizuar për kauzat të cilat i preokupojnë.

Për këtë arsye shoqëria civile duhet të jetë një dorë e zgjatur e cila duhet t’u ndihmojë qytetarëve për të avokuar dhe për të marrë vetiniciativa, t’i ndajë përvojat e tyre dhe t’i hapë dyert për bashkëpunime më të ngushta dhe direkte.

Megjithëse në këtë pikë organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare mundohen që me anë të projekteve të ndryshme të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve, qoftë duke marrë aksione të ndryshme, duke avokuar ose duke ndarë fonde për grupe të ndryshme për të çuar kauza të caktuara përpara dhe për t’i motivuar qytetarët.

Për të ngritur shpirtin e aktivizimit qytetar, i cili duhet të jetë permanent në shoqërinë tonë, duhet që t’i bashkojmë forcat dhe të ndërmarrim iniciativa të cilat zgjojnë kureshtjen, tregojnë rezultat dhe vërtetojnë që askush më mirë se ne nuk mund të punojë për të mirën tonë, sepse ne jemi ata që më së miri i dimë hallet tona dhe e kuptojmë se ku kemi stagnuar.

Mjafton një bashkëbisedim, një vullnet dhe pak punë nga të gjithë për rezultate të suksesshme dhe konkrete, duke marrë shembuj nga rajoni, por edhe ato të vendit tonë.

Po të shtohet ky numër dhe t’i edukojmë gjeneratat e reja me shpirt solidariteti trajektorja do të pësojë prapë ndryshim, duke u larguar atëherë nga pika zero. Janë këta minutat e fundit të kohës shtesë, që ne të japim maksimumin për rezultatin më të mirë përfundimtar.

Sallonet e së Martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni ka format gjysmëformal  sipas rregullës “Chatham House” dhe pa prani të medieve. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe për të kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Fjala e hapjes postohet në  kanalin e salloneve në “YouTube”. Secili Sallon përcillet me editorial që publikohet në “Zëri” të martën e ardhshme dhe në faqen elektronike të D4D-së. Podcastet bazuar në editorial mund t’i gjeni në uebfaqen tonë. Salloni i radhës do të mbahet më 26 qershor,  nga ora 17:00 në “Dit’ e Nat’”, me temë: “Ballafaqimi me të vërtetën: Sa është e mbrojtur pronësia intelektuale?”  

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK