Zërat
Rexhep Hoti
Rexhep
Hoti

Serbia të marrë përgjegjësinë e luftës

Zërat June 04, 2018 - 13:49

Është e pritshme se në «Dialogun» e ardhshëm do të ndryshojë në radhë të parë subjekti, do të ndryshojë qasja e mbase forma e tij.

Përcaktimi i agjendës së bisedimeve në substancën e saj do të jetë një ballafaqim me të cilin Serbia për herë të parë do të përballet me pasojat e drejtpërdrejta të luftës që ka bërë në Kosovë. E kjo do të thotë se Serbia do të përballët me kërkesën e palës së Kosovës, e cila pret që në agjendën e ardhshme në tryezën e bisedimeve:

a. Serbia të marrë përgjegjësinë e pushtimit të Kosovës;
b. Të marrë përgjegjësinë për krimet e luftës së fundit në Kosovë 1998-1999;
c. Për çështjen e reparacioneve të luftës;
d. Për suksesionin në bazë të së drejtës ndërkombëtare;
e. Për të gjitha agjendat me karakter human, si dhe
f. Për agjendat e veçanta “të ndarjes” Kosovë – Serbi, Serbi – Kosovë.

Natyrisht, është e pritshme që të provohet edhe një formë tjetër e rifillimit të «Dialogut». Por edhe në këtë rast, në qoftë se do të shkohet për të hyrë në «Dialog» nëpërmjet portës së madhe e pastaj të kalohet nëpër porta e labirinte të veçanta (siç po eksperimentohet përtashësisht), që do të ishte nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje që ndërlidhet me çështjen e integrimeve evropiane ose euroatlantike, ose edhe nënshkrimi i ndonjë Traktati të Paqes, prapëseprapë forcat politike në Republikën e Kosovës që e kanë legjitimitetin e «Dialogut» do të sjellin në tryezën e bisedimeve tema prej të cilave Serbia nuk do të mundë të ngrihet prej tyre pa pikur e tëra djersë. Serbia nuk do ta ketë përballë më vetëm Hashim Thaçin.

Koha e bisedimeve të lehta Kosovë – Serbi ose Serbi – Kosovë ka perënduar. Serbia, ashtu sikurse edhe Kosova, duhet të marrë përgjegjësitë e tërësishme mbi të kaluarën e jo parciale dhe të kohëpaskohshme.

Gjykata Speciale e bërë për të provuar dyshimin e krimeve të individëve të UÇK-së do të jetë monedha magjike që do ta kreditojë klimën e përgjithshme për llogaridhënie në hapësirat e Ballkanit Perëndimor. Për këtë do të flasim kur të merremi me Gjykatën.

Ndoshta duhet ta bëjmë të qartë për lexuesit e Republikës së Serbisë se Republika e Kosovës aktualisht qeveriset nga legjitimiteti i forcave politike që përbëjnë pakicat parlamentare. Dhe, me të drejtë mund të quhet «Qeveria e pakicave». Kjo do të thotë se komunitetet joshumicë janë në Qeveri me joshumicën shqiptare. E kjo do të thotë se qeveria “Haradinaj” nuk mund të marrë asnjë vendim me fuqi vendimmarrëse të dy të tretave ose pa konsensusin e forcave politike parlamentare opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të thotë: pa Lëvizjen Vetëvendosje dhe pa LDK-në nuk ka asnjë vendimmarrje kapitale në vend.

Republika e Serbisë nuk do të ketë më përballë Republikës së Kosovës tema dhe njerëz të parapërgatitur paraprakisht për t’i orkestruar më pas Brukseli me komisionarë që rishfaqen me buzëqeshje të një suksesi të vazhdimësisë së garantuar, ku karota dhe shkopi kanë pasur një hapësirë të konsiderueshme.

Kjo epokë nuk duket të ketë më horizonte për t’u shtrirë më tutje.

«Dialogu» do të rifillojë me një formë dhe me natyrë të re. Republika e Serbisë, por dhe Brukseli dhe Uashingtoni do të kenë rastin ta shohin në rend të këtyre bisedimeve gjeneratën e re të Kosovës, e cila përfaqëson brezin e Lirisë në Kosovë. Do të jetë hera e parë që Serbia nuk do të ketë më përballë saj establishmentin, që është formësuar përgjatë sundimit të saj afër njëqindvjeçar në Kosovë. Me një fjalë, mendja e ndritur e kësaj shkolle, që është fryt i shkollës jugosllave dhe serbe për një shekull, do të jetë më tepër këshillëdhënëse sesa vendimmarrëse.

«Dialogu» do të ketë terren të vështirë dhe Republika e Serbisë nuk do të mundë të bëjë më politika me standarde të dyfishta. Thjesht do ta ketë të pamundur. Faktori kohë kësaj radhe është në anën e shqiptarëve e jo vetëm projekti i tyre perëndimor, e jo vetëm roli i tyre për të bërë roje në kufijtë ku mbaron provienca perëndimore e qytetërimit (?).

Por, kjo nuk do të thotë se Serbia ka mbetur pa fat. Përkundrazi. Ajo është pasuruar në shumë drejtime me heqjen e Kosovës nga qafa që e kishte si lak në fyt. Dhe ajo nuk kishte asnjë zgjidhje, asnjë vizion se çfarë të bënte me Kosovën gjersa e kishte të pushtuar. E kishte vetëm opsionin e dëbimit dhe të zhbërjes së shqiptarëve të hartuar e bardhë në të zezë nga politikanë, akademikë, shkrimtarë serbë. Me të njohurit ishin: Garashanin, Çubrilloviq, Andriq e deri te institucioni më i lartë i mendjes serbe, siç është ASHAS. Por, strategjia e dalë nga krerët dhe institucioni i Akademisë Serbe ishte vështirë e realizueshme, për çka betejën e fundit së bashku me luftën e fundit e humbi Slobodan Millosheviq, e humbën serbët, e humbi Serbia.

Do ta bëja një digresion ballkanik. Nuk besoj se nxënësit dhe studentët e Serbisë e dinë se një e treta e Serbisë, pa Kosovën, është e ndërtuar, jeton dhe vdes mbi varret dhe vendbanimet e shqiptarëve! Mjafton t’ua hedhin një shikim vendbanimeve dhe toponimeve poshtë pashallëkut të Beogradit dhe çdo serb do ta marrë vesh të vërtetën. Mjafton t’ua hedhin një sy shpërnguljeve të shqiptarëve nga viti 1830 dhe çdo serb do ta kuptojë se ku fillonte e ku mbaronte territori i banuar me serbë.

Madje nuk e dinë, në qoftë se Kisha Ortodokse Serbe ua ka bërë të njohur besimtarëve të vet institucionet arsimore jo se jo, se në Kosovë ekzistojnë me dhjetëra e dhjetëra kisha paleokristiane (shek. 3 – 6 e.s.), të cilat datojnë shumë shekuj para se sllavët e jugut, rrjedhimisht serbët të dyndeshin në Ballkan.

Serbia sot “lufton” ditë e natë për ta penguar Republikën e Kosovës vetëm e vetëm që ajo të mos jetë në UNESCO! E përse? A nuk janë të gjitha këto vlera monumentale të mjaftueshme për të na ngrohur të gjithëve?!

E cila vlerë shpirtërore, kulturore e materiale mbetet vetëm vlerë nacionale, lind pyetja?

Asnjë!

Vlera për të cilën po flasim është si ajri, ajo i takon të gjithë njerëzimit. Dhe nuk pyet për këtë. Vlera sado që e ka mëvetësinë e përkatësisë, origjinën, shijimin e ka gjithmonë global.

E përse është themeluar UNESCO-ja në fund të fundit. Me siguri jo për të bërë diferencime të vlerave materiale, ideore e shpirtërore mbi baza etnike, fetare, kombëtare e gjuhësore dhe për t’u kujdesur për vlera etnike serbe dhe për t’i përbuzur kishat paleokristiane të shqiptarëve, fjala vjen?!

Autonomia dhe origjinaliteti i çdo vlere fuqizohet dyfish, dhjetëfish më shumë kur ajo shfaqet brenda një diversiteti kulturor, etnik, fetar, kombëtar e gjuhësor.

Të kthehemi të rrjedha e «Dialogut». Serbia deri më tash nëpërmjet Kosovës, nëpërmjet «Dialogut» e ka garantuar ose e ka të mbështetur fuqishëm:

1. Stabilitetin dhe sovranitetin e saj territorial në Serbinë heterogjene me shumë çështje të hapura, si të ishin ato vullkane të fjetura që mund të zgjohen në çdo çast;
2. Anëtarësimin në BE;
3. Ruajtjen e lidhjes speciale me Rusinë;
4. Mbështetjen e fuqishme financiare;
5. Garantimin e komunitetit joshumicë serb në Kosovë me liri e të drejta më të avancuara sesa në Serbi.

Ka kohë që jam marrë me mendimin se një serb është më shumë serb në Kosovë sesa në Serbi, qoftë në kuptimin etnik, kombëtar, politik a fetar, qoftë në kuptimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, të atyre civile, të të drejtave politike, ekonomike, sociale etj. etj., që të gjitha të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ky mendim i bazuar në ligjshmërinë kushtetuese të vendit kam kuptuar se ka filluar të bëhet rrezik për shumë vende të BE-së, veçmas për ato që nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës. Dhe arsyeja e tyre është e habitshme e kjo do të dukej e tillë veçmas për serbët dhe Serbinë nesër.

Disa prej atyre shteteve janë të frikësuara prej pakos së të drejtave dhe të lirive që ka ofruar Republika e Kosovës për “pakica”. Prandaj ata e shohin me rrezik pranimin dhe njohjen e saj.

Para se ky “informacion” të shfaqej, e pata mbrojtur mendimin se Republika e Kosovës do ta prishë rendin kushtetues të shteteve të BE-së sa u përket komuniteteve joshumicë ose pakicave, siç quhen në ato vende. Sepse standardi i pakicave në Kosovë është një supermodel kushtetues i rregullimit të lirive dhe të drejtave të tyre jo vetëm në rrafshin e të drejtave të përgjithshme të njeriut, por veçmas për përkatësinë e tyre etnike, kombëtare, fetare, gjuhësore a të drejta të tjera krejt specifike. (vazhdon), nëntor 2017

P.S.

Vështrimi është shkruar në fillim të nëntorit të 2017-s për «Danas». Gazeta ka premtuar se do t’i botojë, por nuk e ka bërë.

(Autori është zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK