Zërat
Blerinë Ukshini
Blerinë
Ukshini

Gjenerata për gjeneratë: Të rinjtë e Prishtinës me shpresë tek anëtarët e rinj komunalë

Zërat February 27, 2018 - 11:18

Kafenetë e Prishtinës janë të tejmbushura që nga mëngjesi e deri në orët e vona me të rinj që qajnë hallet nga pamundësitë për vende pune ose edhe për mungesën e aktiviteteve, fakte këto të cilat i bëjnë ata çdo ditë e më pasivë dhe pesimistë.

Tash e 18 vjet që nga zgjedhjet e para për kuvend komunal në Kosovën e pasluftës përfaqësimi i të rinjve ka qenë i mangët si për nga përbërja e brendshme e kuvendit komunal, po ashtu edhe nga shtyrja përpara e interesave të rinisë.

Shumë shpesh kemi dëgjuar frazën “Rinia është e ardhmja e vendit”, por asnjëherë nuk është marrë mundi që në të vërtetë rinia të jetë e tashmja. Subjektet politike rrallëherë u kanë besuar pozita të dinjitetshme të rinjve, duke e kufizuar rolin e të rinjve dhe të rejave në gjëra krejtësisht teknike. Bartja dhe vendosja e postereve, organizimi i ngjarjeve, pjesëmarrja veç sa për ta dhënë imazhin e përfaqësimit, këto janë detyrat kryesore që u besohen të rinjve nga subjektet politike.

Instituti “D4D” ka hulumtuar hapësirën e dhënë nga partitë politike për kandidimin e të rinjve në kuvende komunale, por edhe zgjedhjen e tyre nga qytetarët, duke u bazuar në të dhënat e zgjedhjeve lokale në vitin 2013 dhe në ato të vitit 2017 në Prishtinë.

Nëse shikojmë totalin e moshës mesatare të kandiduar vërejmë një përmirësim, ku nga 42 vjet sa ka qenë mesatarja në vitin 2013 ka rënë pozitivisht në 39.9 vjet në zgjedhjet e vitit 2017. Po ashtu sa u përket anëtarëve të zgjedhur nga vetë qytetarët e Prishtinës për përfaqësim të tyre ka një rënie pozitive të moshës mesatare, ku nga 43.1 sa ka qenë në vitin 2013 ka rënë në 40 në vitin 2017.

Megjithëse mosha mesatare tani është më e re sesa në vitin 2013, përsëri 40-shi nuk mund të cilësohet një moshë e denjë për përfaqësimin e rinisë së kryeqytetit, kur vetëm 12 nga 51 këshilltarë komunalë sa janë në total janë të moshës nën 31 vjeç.

Të rinjtë janë me numër shumicë në Prishtinë, prandaj edhe ky numër duhet të jetë i përfaqësuar proporcionalisht në Kuvend Komunal. Askush më mirë se të rinjtë nuk i dinë interesat dhe nevojat e tyre sesa vetë kjo gjeneratë, andaj edhe është dashur që përfaqësimi të jetë më i madh. Si rrjedhojë e kësaj të rinjtë të cilët kanë arritur ta kalojnë pragun zgjedhor mendohet se do ta përfaqësojnë rininë dhe do ta bëjnë një Prishtinë më atraktive.

Nëse dëshirojmë që të ketë avancim në procesin e punëve dhe në inicimin e projekteve edhe më të mëdha bashkëpunimi në mes të anëtarëve komunalë të rinj duhet të jetë i pashmangshëm e madje t’i tejkalojë edhe bindjet e tyre partiake. Për një bashkëpunim dhe koordinim në mes tyre do të ishte mirë të formohet një grup që do të ngjasonte me atë të “Grupit të grave deputete”, ku anëtarët e rinjtë komunalë do të mbanin mbledhje të kohëpaskohshme për t’i shpalosur idetë e tyre dhe për ta përmirësuar gjendjen ekzistuese.

Sipas të buxhetit për vitin 2018, ka një rritje si në të hyrat totale, po ashtu edhe ndarjen në Drejtorinë e Kulturës, por edhe në sektorin e Rinisë dhe të Sportit. Të hyrat totale në vitin 2017 kanë qenë 62.023.630 euro, ndërsa sipas planifikimi të buxhetit në vitin 2018 janë 71.222.581 euro. Drejtoria e kulturës kishte 550.000 euro, ndërsa këtë vit janë të planifikuara 1.233.000 euro.

Nëse nuk do të ketë ndryshime të këtij buxheti i bie që Drejtoria e Kulturës t’i ketë këtë vit 683.000 euro më shumë sesa në vitin 2017. Ndërsa sektori i Rinisë dhe Sporteve, i cili është në kuadër të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, sipas planifikimit të buxhetit në vitin 2018 do t’i ketë 100.000 euro më shumë sesa në vitin paraprak.

Vend për përmirësim ka pothuajse në çdo aspekt, ndër to është edhe ndarja e bursave komunale, e cila në krahasim me numrin e studentëve që posedon kryeqyteti është shumë i vogël. Në bazë të rregullores për ndarjen e bursave për studentë të komunës së Prishtinës, Komuna  varësisht nga mjetet financiare që ka në dispozicion i ndan bursat.

Në vitin akademik 2015-2016 janë ndarë gjithsej 120 bursa, ndërsa në vitin akademik 2016-2017 janë ndarë 117 bursa. Duke parë një gjë të tillë, nuk mbetet të shpresohet shumë se këtë vit do të ndahen numër më i madh i bursave, pasi që trendi nuk tregon një gjë të tillë.

Megjithatë Komunës i mbetet të mendojë për një formë tjetër të stimulimit të studentëve të dalluar, por edhe atyre me kushte financiare të vështirësuara. Njëra ndër zgjidhjet potenciale mund të jetë puna praktike qoftë në institucionet të cilat janë nën ombrellën komunale, apo një marrëveshje me sektorin privat ku studentët të mundë ta përfundojnë praktikën me kontratë.

Probleme të shumta mund të renditen në formë zingjirore deri në pafundësi jo vetëm në Prishtinë, por në çdo qytet të Kosovës. Gjithsesi me punë dhe me përkushtim ato mund të minimizohen dhe zymtësisë së qyteteve t’i jepen ngjyrat që thuhet se i karakterizojnë. Shpresojmë se në këto katër vjet qeverisje pushteti lokal të jetë më efikas dhe më i orientuar në investime, ndërsa rrogat dhe mëditjet të mos jenë prioritet i tyre.  

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK