Zërat
Etnik Dautaga
Etnik
Dautaga

Koha për agjendë të punës së dinjitetshme

Zërat February 06, 2018 - 12:01

Dhjetë vjet pas pavarësisë Kosova vazhdon ende të ketë probleme të mëdha me ekonominë e  qëndrueshme, këto probleme janë reale dhe të prekshme duke parë numrin e madh të papunësuarve në vend, sidomos tek të rinjtë dhe gratë.

Ekonomia jostabile është “përparësi” vetëm për “korporatat” e mëdha, të cilat punësojnë punëtorë pa kritere dhe pa kontrata, kjo do të thotë që me një ekonomi jostabile “humbësi” më i madh është klasa punëtore, e cila nuk është e informuar për mundësitë e punësimit dhe për të drejtat e tyre. 

Cili është problemi që klasa punëtore në Kosovë nuk është e informuar për të drejtat e tyre?

Nevojat dhe kërkesat për arsim cilësor janë gjithmonë evidente kur një shtet është në tranzicion dhe po kalon një periudhë të rëndë ekonomike dhe sociale. Rëndësia e një shoqërie të arsimuar dhe mirë të informuar për të drejtat e tyre dhe interesat shtetërore është një domosdoshmëri për të pasur një shtet të zhvilluar dhe të qëndrueshëm. Në këtë rast kërkesa për një dialog social trepalësh ndërmjet Qeverisë, punëdhënësit dhe sindikatave është shumë e rëndësishme.

Problem mjaft i madh mbetet mospërfshirja e të rinjve dhe e grave në sindikata. Duke parë sindikatat, të cilat janë aktive dhe të gjitha udhëhiqen nga burrat, ajo që vërehet më së shumti është që shumë pak të rinj kanë informacion për sindikata e aq më tepër të jenë të përfshirë në proceset vendimmarrëse.

Arsyeja që shumë punëtorë nuk janë të informuar për mundësitë e punësimit dhe për të drejtat e tyre qëndron tek edukimi jocilësor, duke përfshirë kurrikulat e pareformuara në sistemin e edukimit të Kosovës, përgatitja dhe niveli mediokër i mësimdhënësve, pedagogëve dhe personelit akademik. Si faktor tjetër mund të jenë kushtet e vështira ekonomike, që i detyrojnë këta punëtorë t’i pranojnë të gjitha kushtet e punës.

Ky edukim jocilësor dhe arsye të tjera që kanë të bëjnë me punën e dinjitetshme kanë detyruar shumë të rinj që të mos e shohin Kosovën si një vend atraktiv për të jetuar dhe për të punuar, kjo gjë më së miri po vërehet në qytetet jashtë Prishtinës, si të atij të Gjakovës, qytet i cili ishte fuqi ekonomike në regjimin jugosllav, kurse tani po shndërrohet në një qytet të “boshatisur” nga të rinjtë që të ardhmen e tyre e shohin përtej Gjakovës dhe Kosovës.

Sfidat e të rinjve për një vend pune janë shumë të mëdha, duke filluar nga paragjykimet në baza gjinore, kulturore dhe fetare, mospërgatitja adekuate, edhe pse përfundimi i një universiteti tashmë nuk ka ndonjë vlerë të rëndësishme, sepse ajo nuk është garantues për ty e deri tek përvoja e kërkuar nga punëdhënësi që nganjëherë është kontradiktore me përshkrimin e punës. Niveli i lartë i korrupsionit dhe i nepotizmit, që me vite preokupon shoqërinë tonë, po vazhdon ta paralizojë çdo zhvillim të mundshëm, duke bërë që të rinjtë ta humbin besimin në institucionet qeveritare, të cilat vazhdojnë t’i shpërfillin kërkesat për planifikim strategjik për rininë.

Çfarë realisht duhet bërë për ta ndryshuar këtë situatë? 

Fillimisht ne duhet të “mësojmë si të mësojmë”, gjërat teorike t’i shndërrojmë në mësime praktike,  të zhvillojmë degët e klasave të profilizuara, të krijomë hapësirë për edukimin joformal, të informojmë më shumë rreth mundësive për punë dhe rreth të drejtave të punëtorëve, të përkrahim dhe të zhvillojmë ndërmarrësinë dhe të përkrahen idetë kreative në teknologji.

Sepse tregun e punës e ndryshojnë punëkërkuesit dhe jo punëdhënësit, duke pasur një klasë punëtore të përgatitur edhe kushtet për punë të dinjitetshme do të jenë në nivel të duhur. Ky ndryshim i situatës  aktuale kërkon kohë, por më shumë se kohë kërkon analizë të detajuar të gjendjes së tanishme dhe planifikim adekuat të bazuar në nevojat e përgjithshme të Kosovës si shtet dhe jo të mirën e servuar nga vendet e jashtme. 

Përkundër kësaj, në qytetet në Kosovë po bëjnë përpjekje për ta ndryshuar këtë realitet me anë të zyrës për punësim dhe qendrave inovative, të cilat ofrojnë ndërmjetësim me biznese të ndryshme, një trend pozitiv në këto qendra janë kërkesat e grave, të rinjve dhe të komuniteteve pakicë në Kosovë që kërkojnë punë, por përveç punës kërkojnë këshillim profesional, aftësim dhe riaftësim që të jenë të gatshëm për tregun e punës. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK