Zërat
Ramadan Qehaja
Ramadan
Qehaja

Pasiguria, në rritje

Zërat January 01, 2018 - 13:11

Nëse e bëjmë një analizë të shkurtër, qoftë ajo edhe sipërfaqësore, të ngjarjeve dhe të ndodhive politike dhe të sigurisë në vitin që po e lëmë pas, atëherë që në fillim të këtij shkrimi duhet konstatuar se në momentin aktual bota po ballafaqohet me një përkeqësim në rritje të situatës së sigurisë.

Si rrallëherë në vitet e fundit, gjatë vitit 2017 ishim dëshmitarë të rritjes së pasigurisë fizike të qytetarëve kudo që ata ndodhën dhe rrjedhimisht rritjes së ndjenjës së frikës. Terrorizmi në nivel global ka marrë përmasa shqetësuese dhe parandalimi i tij po bëhet i vështirë përderisa vazhdon të mos ketë adresë dhe kohë.

Edhe pse në dukje veprimet e karakterit terrorist nuk patën efekt të drejtpërdrejtë në territorin e Kosovës, por në mënyrë indirekte e prekën edhe Kosovën, ato në të vërtetë reflektojnë pasigurinë në rritje edhe në vendin tonë. Këto edhe në kuadër të sfidave të tjera të sigurisë sikur ngrehën vetëdijen shoqërore dhe shtetërore për arritjen e partneritetit me shtetet e tjera. Për më shumë, u diskutua dhe u shqyrtua nevoja (si kurrë më parë) për kompletimin e sektorit të mbrojtjes dhe të sigurisë në funksion të fuqizimit të sigurisë nacionale të Kosovës.

Nëse marrim për bazë gjendjen politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kam përshtypjen sikur nganjëherë nuk i kemi kuptuar rrethanat e ndodhive dhe të tendencave destabilizuese rreth nesh. Nuk është e tepërt të thuhet se më tepër kemi qenë të zënë me marrjen me vetveten sesa t’i analizojmë dhe t’i konkretizojmë gjërat që duhet dhe mund të bëhen në funksion të sigurisë sonë.

Gjithsesi se duhet veçuar këtu rolin destruktiv të Serbisë në dy rrafshe, atë të brendshëm, ku ajo vazhdon të jetë desktruktive jo vetëm në pjesën veriore të vendit, por edhe në tërë territorin e Kosovës dhe në atë të jashtëm, e cila vazhdon ta bllokojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për më shumë aktivisht dëmton imazhin e saj.

Në anën tjetër, kur kemi të bëjmë me pjesën veriore të Kosovës, atëherë duhet theksuar se ajo pjesë është sipërfaqësisht nën kontrollin tonë, por roli destruktiv i Serbisë zyrtare atje është mjaft i theksuar dhe pasiguria e qytetarëve atje është në rritje e sipër. Pavarësisht nivelit të paralajmërimeve për rrezikshmërinë nga kjo qasja e Serbisë, establishmenti ynë politik, me bërje apo me mosbërje, ndikoi dukshëm në brishtësinë e situatës së sigurisë në Kosovë. Në këtë kontekst, nëse vetëm kalimthi e rishqyrtojmë strategjinë e sigurisë sonë kombëtare me të cilën disponojmë sot, ajo që menjëherë bie në sy është jopreciziteti dhe tendenca që të merremi vetëm me gatishmëri emergjente e me asgjë tjetër.

Fjala mbrojtje dhe vetëmbrojtje në këtë strategji thuaja se nuk përmendet fare. Dhe i gjithë vizioni strategjik shihet se është transplantuar nga ide nga jashtë, të cilat përveçse nuk përkojnë me kontekstin që ne jetojmë, kanë pasur për qëllim politik ta imponojnë vetëm anën e “butë” të sigurisë dhe jo edhe atë të “fortë”. Kjo sepse konsolidimi i sektorit të sigurisë duhet bërë në bazë të parimit të vlerësimit të kërcënimeve e rreziqeve: kjo në rastin tonë ka shpërputhur këtë parim.

Lidhur me këtë shtrohet nevoja e rishqyrtimit dhe riformulimit të saj, pavarësisht se çka do të na thonë qendrat e mëdha të vendimmarrjes ndërkombëtare, sepse kjo është çështje jona e brendshme. Kuptohet se edhe në këtë vit që po e lëmë pas kjo çështje nuk u mor në konsideratë seriozisht. Ne duhet ta shfrytëzojmë tërë potencialin tonë qoftë në njerëz të rinj, në organizim vetëmbrojtës edhe duke pasur parasysh pozitën gjeostrategjike të rrafshnaltës së Kosovës, por edhe faktorët destabilizues që veprojnë kundër saj.

Nuk mund ta lëmë e të mos e theksojmë se në këtë përkeqësim të sigurisë rajonale ndikim mjaft domethënës ka tentimi i vazhdueshëm i shtrirjes së ndikimit rus në rajonin tonë dhe atë nëpërmjet Serbisë, e cila është përkrahëse e madhe e Rusisë, që njëkohësisht shpreh ambicie për integrim në BE.

Për më shumë, Serbia kohët e fundit forcat e veta të armatosura i furnizon me avionë rusë supersonikë ushtarakë “MIG-26” të helikopterëve ushtarakë transportues dhe sistemit të mbrojtjes kundërajror dhe e cila me gjasë do të lejojë që raketat “S400” të Rusisë të stacionohen në territorin serb e që kjo domosdoshmërisht do ta paraqesë një rrezikshmëri rajonale, por edhe më gjerë.

Marrë në tërësi, ndikimi rus në rajon e në veçanti në Kosovë është mjaft prezent, sidomos në përkrahje të veprimeve destabilizuese serbe. Kur kësaj ia shtojmë gjatësinë e kufirit tonë me Serbinë (mbi 300km) rrethimi ynë me këtë shtet fqinj me gjithë pretendimet për “tu rikthyer” në Kosovë është shumë i pavolitshëm.

Kosova duhet të jetë më serioze në ndërtimin e sektorit të saj të sigurisë, sidomos të FSK-së, me aplikimin e një qasjeje tjetër qoftë në rritjen e buxhetit për sektorin tonë të sigurisë, përkatësisht avancimin e FSK-së aktuale në një gatishmëri më të lartë vepruese e sidomos të krijimit të kushteve për lëvizshmëri më të madhe, si dhe mundësisë së bartjes së shpejtë të forcave dhe mjeteve nga një pozicion në pozicionin tjetër.

Fakti më brengosës në këtë vit ishte se nuk arritëm që ta fillojmë formësimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK). Qasja jonë, qoftë ajo politike apo diplomatike, ishte joadekuate dhe më tepër në funksion propagandistik partiak, ku shpesh premtimi për themelimin e ushtrisë është përdorur për fushata elektorale dhe interesa politike sesa aktivitet konkret, duke e përmbyllur edhe këtë vit pa avancimin e FSK-së në FAK. Sipas mendimit tim, kjo është dobësia më e madhe që ka mundur të na ndodhë, pavarësisht pengesave qofshin ato edhe objektive.

Dhe për fund duhet t’i rikujtojmë disa ngjarje dhe veprime që ndodhën gjatë këtij viti, siç ishin moshapja e urës së Mitrovicës, treni serb propagandues, kërcënimi serb me luftë ndaj Kosovës, paralajmërimi i formimit të njësiteve speciale serbe për, siç thonë, “mbrojtje të serbëve të Kosovës”, tensionet politike pas zgjedhjeve parlamentare dhe ato lokale në Kosovë.

Edhe sfidat e tjera, si tensionet në rritje në pritje të arrestimeve nga Gjykata Speciale të disa personave si të dyshuar për krime lufte në periudhën 1998-2000, propaganda skajshmërisht e egër serbe kundër formimit të FAK-ut dhe disa raste të tjera, atëherë lirisht mund të themi se vitin që po e lëmë pas, vit i brishtësisë politike dhe të sigurisë, që kjo brishtësi, apo më mirë të thuhet këto tensione dhe tendenca negative, do të na përcjellin edhe në vitin që po hyjmë.

(Autori është njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë). 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK