Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Kundërmon ashpër ky vend

Zërat December 31, 2017 - 13:02

Më bëri shumë përshtypje lutja e një shefi të sallës, e vendosur në një copë letre në murin e një objekti hotelier. Po e ndaj me ju tekstin e lutjes pa as më të voglën ndërhyrje gjuhësore a logjike: "Të dashtun miq, për shkak të problemeve me kanalizim dhe gypa të qenefit, ju kishim lutë pashë çka keni gjallë e dekë mos me gjujt: letra, ulloshka, pampersa dhe mjete tjera rrënqethëse (këto elemente i shënon me ngjyrë të kuqe që të bëhen më të dallueshme) në guacë të tualetit!!! Ju falemnedrit për mirëkuptim. Shefi i sallës: Burimi".

Në dukje të parë kjo lutje e shefit të sallës tingëllon si shumë ironike, madje edhe groteske, por nuk është kështu, sepse aty shkojnë kryesisht njerëzit e politikës dhe të biznesit, përkatësisht ata që kanë në dorë fatin tonë, ndërsa shumica që përballet me mbijetesën nuk i ka rendet të duket aty. Më në fund, edhe kandidatët për kryetarë komunash, që vetëm sa po japin betimet e tyre për t'ju shërbyer qytetarëve (!), gjatë fushatës paraelektorale kanalizimet i kanë pasur si prioritet numër një. Kjo është dëshmia më e mirë se ky vend kundërmon keq. Dhe nuk mund të jetë ndryshe, ndërsa ngado vidhen pusetat e kanalizimeve dhe shiten për skrap.

Në kontekst të gjithë kësaj duhet parë edhe "jashtëqitjen" nga goja të deputetes së lëvizjes "Vetëvendosje!" Aida Dërguti, me të cilën ajo e personifikoi liderin shpirtëror të kësaj Lëvizjeje, Albin Kurtin, duke ndërtuar kështu një blasfemi të paparë dhe krejtësisht të papritur. Vërtet kundërmimi u duk i madh në opinion, por ama bëri që të shihen të palarat nga dera e rrobalarëses me shenjën VV, mu si në tualetin e shefit të sallës, Burimit, pavarësisht se të hekurosurit, në këtë rast ata të LPK-së, nxituan të thërrasin një takim urgjent të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj Lëvizjeje dhe të dëshmojnë se pluralizmi nuk është uniteti në dallimi, por uniteti në njëmendimësi, i cili vetëm si i tillë mban gjallë liderin shpirtëror dhe pastërtinë e idesë së tij!

Po kundërmimi do të vazhdojë në këtë vend, përderisa vazhdojmë të jetojmë kështu të mbyllur dhe pa shpresë se një ditë do të mundnim të bëhemi pjesë e Evropës së civilizuar, së paku për të lëvizur lirshëm nëpër të dhe për të mësuar e për të fituar diçka nga ajo. Po shpresat për dalje nga kjo kënetishtë janë gjithnjë e më të vogla, ndërsa gjithnjë e më shumë po sharrojmë në butakun e saj. Njerëzit gjithnjë e më shumë po e kuptojnë këtë dhe po kërkojnë mënyra nga më të ndryshmet për të ikur nga këtu. Një taksist një ditë më tha se puna i është shtuar me bartjen e njerëzve deri në Beograd, ku shkojnë për të marrë pasaporta serbe.

Tipi, duke sharë politikanët tanë, arsyetonte hallexhinjtë që kërkonin ndihmën e hasmit. Dhe vërtet nuk mund t'i akuzosh hallexhinjtë, qytetarët e zakonshëm, ndërsa politikanët tanë kanë siguruar dy e më shumë pasaporta, madje jo vetëm për vete, por edhe për familjarët e tyre. Ndryshe edhe populli ka thënë se zori të dërgon në derë të hasmit. Dhe vërtet zori i dërgoi këta hallexhinj, të cilët dje ishin kundër Serbisë, ndërsa sot shkojnë dhe i lusin zyrtarët serbë, mbase të gatshëm që të paguajnë edhe çmim të lartë për këtë, vetëm e vetëm që të bëhen banorë të kësaj republike!   

Nuk është se politikanët tanë nuk janë të informuar për këtë fenomen, i cili po bën që heshtazi të zbrazet Kosova, por ata fusin veshët në lesh dhe bëhen sikur nuk dëgjojnë dhe nuk shohin gjë. Ata nuk janë aty që të zgjidhin hallet e qytetarëve, por të individëve dhe grupeve të strukturuara nëpër të ashtuquajtura parti politike që më shumë ngjajnë në banda plaçkitëse.

Si të tillë nuk janë aty që të kujdesen për shtetin, por për pushtetin, i cili u sjell të mira të pakufishme. Po për fatin tonë të keq jo vetëm që si subjekte politike u kriminalizuan, por kriminalizuan edhe gjithë shoqërinë. Tani në politikën tonë është instaluar modeli i hajnit dhe i kriminelit. Me të drejtë është bërë e popullarizuar shprehja hajn patriotik, hajn që vjedh atdheun. Për më keq, kjo frymë do të vazhdojë të bëhet edhe më dominuese, madje krejt sipas shembullit të Tiranës, mbështetur në një etnospsikologji të njëjtë.

Shiheni kryeministrin dhe veprimet në njëqindditëshin e qeverisjes së tij: u falë borxhin milionësh ambalazhuesve të ujit, miliona derdh në Shipitullë për ndërtuesit pa leje, paguan për mbrojtjen e të akuzuarve në rastin “Kumanova”, paguan miliona shtesë për “Bechtel-Enka”-n, madje paguan edhe mashtruesin e bankave, kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit!

E kur gjithë kësaj ia shtojmë shpenzimet që bën me kabinetin e tij qeveritar, të fryrë në mënyrë kriminale për rrethanat tona, madje edhe duke ua dyfishuar pagat, nuk mund të mos shohësh një ditë edhe më të errët se kjo që po e jetojmë. Një president i mbërthyer në ankthin e frikës, një kryeparlamentar që nuk mund të sigurojë as kuorumin e Kryesisë së Kuvendit, le më të kuvendarëve, një kryeministër të ekzaltuar deri në marrëzi, nuk mund të mos jenë shenja të dukshme të një gjendjeje edhe më të keqe se kjo.

Dhe për më keq, kjo duket shumë normale për shoqërinë tonë, për shoqërinë e cila vazhdon të manipulohet me teza të shpifura patriotike kinse për mbrojtje të interesit të vendit, siç janë në këtë rast Demarkacioni,  Asociacioni dhe Gjykata Speciale.

Madje nuk ka reagim qytetar as ndaj përpjekjeve të liderëve kryesorë që, nëpërmjet Kuvendit, natën ta shfuqizojnë Ligjin për Gjykatën Speciale dhe atë nëpërmjet mashtrimit ordiner, metodë kjo që u funksionon më së miri që nga paslufta. Për këtë nuk u ndihmon as alarmi që lëshojnë ambasadorët e vendeve mike.

Kjo sepse këto banda politike, për gjithë këto vite, kanë arritur ta gjunjëzojnë qytetarinë e këtij vendi dhe madje ta fusin në një gjendje apatie të thellë. Në emër të kësaj qytetarie apatike flasin të ashtuquajturat organizata joqeveritare, të cilat në emër ë shoqërisë civile bëhen sikur angazhohen për interesin publik, ndërsa në fakt paturpshëm koketojnë me politikën, duke u shndërruar në trampolina prej nga gjuhen në politikë.

Në emër të këtyre organizatave veprojnë edhe strukturat e njerëzve të dalë nga lufta, të cilët veprojnë si subjekte parapolitike në mbrojtje të pushtetit të kriminalizuar, i cili themelet e veta i ka ngritur mbi gënjeshtrën dhe mashtrimin.      

Në kontekst të kësaj nuk ke si të mos sjellësh në mendje thënien lapidare të Sami Frashërit: "Kalben njerëzit e ndershëm, atje ku lartësohen kriminelët".

Dhe nuk mund të jetë ndryshe; njerëzit e ndershëm janë shtyrë në margjina të jetës dhe luftojnë për mbijetesë. Nga ta kërkohet vetëm t'i paguajnë taksat shtetit dhe të jenë të nënshtruar ligjeve që janë bërë për ta, ndërsa vetë janë mbi ligjet dhe tallen me drejtësinë, e cila dëshmon pabarazi të tmerrshme, rrjedhimisht edhe mungesë lirie për ta.

Në një gjendje të tillë, shefi i sallës, Burimi, do të ketë probleme të vazhdueshme me nevojtoren e tij, sepse politika vazhdon të kundërmojë ashpër! 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK