Zërat
Jim O’Brien
Jim
O’Brien

Krismat para stuhisë!

Zërat December 29, 2017 - 13:05

Festa nuk do të jetë festë sikur të mos autorizohej me dekret shtetëror ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, për ta zbrazur karikatorin e parë të pistoletës në prag të ndërrimit të moteve në sheshin e Prishtinës.

Pas tij t’i bëjnë gati armët në drejtim të qiellit edhe 21 ministrat tjerë të qeverisë “Haradinaj”, për të vazhduar me mbi 70 zëvendësministrat dhe në fund kur akrepat e orës të arrijnë tek ora 00:00 i natës ta shpenzojnë nga një “rafal” të gjithë qytetarët liridashës të Kosovës.

Gashi do të duhej t’ia niste festës i pari për një vit të mbarë, pasi që ka treguar aftësi të jashtëzakonshme në përdorimin e armëve të zjarrit në një aheng privat me kolegë qeveritarë dhe njëkohësisht është pothuajse më meritori për formimin e institucioneve të reja qendrore në Kosovë.

Tradicionalisht, siç ka deklaruar edhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj, shqiptarët kanë gjuajtur me armë në ahengje të ndryshme dhe pse kjo çështje të mos rregullohet me ligj nga Qeveria e Kosovës në një të ardhme shumë të afërt.
Fundja, falë këtyre shkathtësive luftarake para gati dy dekadave kemi arritur ta përzëmë armikun shekullor nga Kosova, në të kundërtën Serbinë do ta kishim ende “këmbëkryq” këtu.

Le të kënaqemi dhe të festojmë deri në minutat e fundit të këtij viti, pasi që prej vitit tjetër pikërisht për shkak të përdorimit të armëve në luftë do të mundë të na dalin telashe me drejtësinë ndërkombëtare.

***

Se shumë shpejt mund të nisin problemet me Gjykatën Speciale u pa para disa ditëve nga iniciativa e dyzet e tre deputetëve për ta shfuqizuar ligjin për këtë institucion të drejtësisë ndërkombëtare.

Besoj se shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk u janë gëzuar lajmit për formimin e Gjykatës Speciale, pasi që, siç është thënë, kjo do të jetë gjykatë që do të merret vetëm me krimet e shqiptarëve e jo edhe të serbëve, të cilët kanë vrarë e kanë dhunuar mijëra qytetarë të Kosovës në luftën e fundit.

Mirëpo, kanë qenë pikërisht liderët shtetërorë të Kosovës, në krye me Hashim Thaçin, në atë kohë zëvendëskryeministër dhe më pas president i Republikës së Kosovës, të cilët kanë deklaruar vazhdimisht se Specialja do t’i heqë të gjitha njollat nga lufta e pastër e UÇK-së, me ç’rast do të dëshmohet edhe pafajësia e drejtuesve të kësaj lufte, siç është dëshmuar në të kaluarën në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (ICTY).

Por pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Themelimin e Gjykatës Speciale, pasi janë arritur shumë marrëveshje ndërkombëtare shfuqizimi i një ligji të tillë do të ishte gabimi më i madh për vendin dhe njëkohësisht mesazh refuzimi për drejtësinë ndërkombëtare.

Kosova do të izolohej ndërkombëtarisht, ashtu siç alarmuan ambasadorët e shteteve të QUINT-it, apo siç u tha jozyrtarisht se nëse merret një hap i tillë drejt shfuqizimit të Ligjit për Specialen një shtet shumë i rëndësishëm i BE-së është i gatshëm ta tërheqë njohjen dhe se nuk dihet se ku do të përfundojë kjo katrahurë. Ndoshta ndonjëri nga liderët ka menduar se kështu do ta shpëtonte veten, por përfundimisht kjo do ta fundoste Kosovën.

***

Përpos rrezikut në aspektin politik, Kosova po rrëshqet edhe drejt një jostabiliteti financiar. Kjo për shkak të rritjes së shpenzimeve buxhetore për dhjetëra-mija veteranë të luftës, shumë më shumë sesa që kanë marrë pjesë në luftë, nga rritja e pagave në disa sektorë, si dhe nga ngarkimi i administratës shtetërore me një numër të madh të ministrave, me një “batalion” zëvendësministrash, këshilltarësh politikë dhe asistentësh administrativë.

Pa dyshim se Kosova është e vogël për një Qeveri kaq të madhe sa kjo e Ramush Haradinajt dhe njëkohësisht është shumë e varfër për paga aq të larta të drejtuesve të institucioneve të vendit, madje më të lartat se në të gjitha shtetet e rajonit dhe shumë nga shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian.

Asnjë shtet në botë nuk është zhvilluar nga rritja e pagave të qeveritarëve, por duke implementuar politika konkrete për zhvillimin ekonomik dhe për hapjen e vendeve të reja të punës, masa këto që do të lejonin rritjen e pagave në gjithë sektorët dhe jo vetëm për “elitën” shtetërore, siç ndodhi para pak ditësh kur kryeministri e dyfishoi pagën e vet dhe të ministrave të tij.

Gjitha këto zhvillime politike që po ndodhin po kalojnë pothuajse në heshtje, pasi që po mungon reagimi opozitar. Partia më e madhe opozitare në vend, lëvizja “Vetëvendosje”, vetëm sa nuk u nda në dysh dhe në vend se të merret me keqmenaxhimin e Qeverisë, po merret me problemet e brendshme. Gazin që e gjuajtën më herët në Parlament tash janë në gjendje t’ia gjuajnë njëri-tjetrin në parti, duke ua lënë luksin qeveritarëve që t’i zgjedhin kravatat firmato.

Humorin anash, normalisht se një qeverie të një shteti të ri dhe që ka pretendime për integrime euroatlantike nuk ia ka hije të ketë ministra “kauboj”, të cilët gjuajnë me armë zjarri në ahengje të ndryshme apo që ka ministra dhe zëvendësministra sa deputetë të Kuvendit. Por edhe liderë shtetërorë që për interesa personale janë të gatshëm ta shkatërrojnë shtetin ende pa i mbushur dhjetë vjet. Dhe nëse realizohet me sukses ky skenar, atëherë festën e Pavarësisë, më 17 shkurt, do të duhej ta festonim me sloganin “Bacë, s’u kry!”, të kundërtën e mesazhit që u përçua në gjithë botën me rastin e shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK