Zërat
Jim O’Brien
Jim
O’Brien

Ndëshkimi i kapadainjve me ‘Range Rover’

Zërat November 21, 2017 - 10:49

Sokol Bashota pak ditë më parë kërkonte mandatin e katërt si kryetar i Klinës, duke qenë i bindur se deri në vitin 2030 kundërkandidatët e tij s’kanë pse të garojnë në zgjedhjet komunale.

Ata vazhdimisht marrin pjesë, ndërsa Kola i fiton zgjedhjet.

Kjo në fakt jo vetëm që ishte bindja e Bashotës, por edhe e bashkëpunëtorëve të tij, pavarësisht periudhës së palavdishme 12-vjeçare të qeverisjes me Klinën.

Komuna për më shumë se një dekadë u shndërrua në një “pashallëk” të Bashotës dhe  rrethit të tij, ku, mes shumë skandaleve tjera, vetëm për ta ndërtuar objektin e Komunës, “Shtëpinë e Bardhë”, iu dha tokë shumë e vlefshme komunale kompanive private.

Ndërsa më shumë se paga e tij vjetore i kushtonte Komunës vetëm servisimi dhe mirëmbajtja e veturës zyrtare të kryetarit e markës “Range Rover”.

Këto dhe shumë skandale të tjera përfundimisht të dielën e larguan Bashotën dhe partinë e tij (PDK) nga administrimi i Klinës, bastion ky që pas më shumë se një dekade kaloi në duart e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Edhe më e dhimbshme se Klina për partinë e Kadri Veselit ishte humbja e Prizrenit në zgjedhjet e së dielës, të cilës komunë ia kishte dhënë epitetin “Jerusalemi i PDK-së”. 

Mbi këtë tokë të shenjtë, ashtu siç vetë e quanin drejtuesit e partisë, ishte lejuar “masakra urbane”, përderisa kryetari në largim, Ramadan Muja, mandatin e fundit e ka kaluar më shumë në Gjykatë se në Komunë për shkak të dyshimeve për keqpërdorime gjatë ndarjes së tokës komunale për një kompani private, si dhe të shumë skandaleve tjera.

PDK-ja nuk arriti ta fitojë as Mitrovicën, komunë kjo e dyta për nga rëndësia pas Prizrenit për shkak të prejardhjes së kryetarit të partisë, ndërsa i mbeti të “kënaqet” vetëm me fitoren në Ferizaj, Shtimje, Kaçanik, Dragash dhe në Drenas.

***

Lëvizja “Vetëvendosje” mund të krenohet me suksesin e këtyre zgjedhjeve vetëm nëse arrin ta ruajë fitoren në Prizren, përderisa votuesit në Prishtinë dëshmuan se nuk kanë qenë sa duhet të kënaqur me punën e kryetarit Shpend Ahmeti.

Ky i fundit as nuk arriti të fitojë pa balotazh, siç pretendonte muaj më parë e as me një diferencë të madhe, siç pohonte ditëve të fundit.
Por fitorja nga kundërkandidati i tij, Arban Abrashi, varet nga hiç më shumë se 300 vota.

Shumë pak vota e bëjnë diferencën për një kryetar që pretendon se për katër vjet ka bërë punë të madhe në Prishtinë, por të cilat punë nuk i panë mbi 41 mijë votues, të cilët e favorizuan kundërkandidatin e tij.

Fitore më bindëse kjo parti shënoi në Kamenicë, ku një kandidat i ri në moshë për kryetar mposhti koalicionin LDK-PDK, parti këto që kanë qeverisur me këtë komunë që nga paslufta e këndej.

Ndërsa humbja në Kaçanik, Podujevë dhe sidomos në Gjilan i atribuohet huqjes me përzgjedhjen e kandidatin për kryetar të Komunës.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës shkëlqimin e arriti në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, ndërsa rënien e përjetoi më 19 nëntor.

Për faktin se para një muaji pa balotazh e fitoi Pejën, Vitinë, Fushë-Kosovën dhe Lipjanin, ndërsa në të dielën që lamë pas e humbi Ferizajn, Suharekën, ndonëse arriti ta rikthejë Vushtrrinë pas disa vitesh qeverisjeje nga PDK-ja.

Partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa në zgjedhjet lokale të këtij viti arriti t’i fitojë gjithsej 8 komuna në nivel vendi, por humbjen më të madhe e shënoi në Ferizaj.  

Pasardhësi i Mustafës në Qeveri, Ramush Haradinaj dhe partia e tij janë fituesit më të mëdhenj të balotazhit, pasi që nga vetëm dy komuna që i fituan në rrethin e parë, Deçanin dhe Junikun, në balotazh i fituan edhe pesë të tjera, duke u bërë kështu partia e dytë shqiptare me numrin më të madh të komunave të fituara në vend.

Dështimin e vetëm kjo parti mund ta llogarisë në Pejë, të cilën komunë më herët e kanë pasur bastion, ku kryetari aktual Gazmend Muhaxheri fitoi pa balotazh.

Përpos pakënaqësisë së qytetarëve në komunat ku garoi, AAK-ja shfrytëzoi edhe avantazhin e drejtimit të Qeverisë, me ç’rast kandidatët e saj premtonin realizimin e projekteve edhe me ndihmën e nivelit qendror.

Mesazhi nga zgjedhjet e fundit lokale ishte se votuesi nuk po shantazhohet e as s’po  joshet lehtë nga milionat apo miliardat që u premtuan në fushatë, siç ndodhte zakonisht në të kaluarën. Ata i ndëshkuan me votë bastionet ku është keqqeverisur gjatë, si dhe ua treguan vendin kryetarëve profiterë dhe dembelë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK