Zërat

Ju lutem, mos na turpëroni më shumë!

Zërat November 16, 2017 - 19:29

Meqë të dielën mbahet balotazhi dhe përkohësisht përfundon egoja për pushtet, fiton kush fiton, atëherë nga dita e hënë (dhe përditë) në agjendën e institucioneve të Republikës së Kosovës duhet vendosur çështjen e demarkacionit me Republikën e Malit të Zi! 

Kjo temë nuk duhet të merret si urgjencë për atë se Bashkimi Evropian e ka vendosur si kriter për liberalizimin e vizave, por si nevojë për të treguar seriozitet si shtet sovran dhe i pavarur përpara opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. 

Është e turpshme sesi qeveria e kaluar e ka trajtuar këtë temë dhe ka miratuar marrëveshjen me Malin e Zi, ashtu sikurse është e turpshme sesi sot institucionet e Republikës së Kosovës po e trajtojnë këtë problem përballë faktorit ndërkombëtar, në veçanti përballë atyre që ndihmuan në çlirimin dhe në pavarësimin e Kosovës. 

Nuk e di me saktësi nëse do t’i humbim 8000 hektarë tokë, më pak apo asnjë centimetër, por e di që historikisht kemi humbur sa herë që është caktuar ajo vijë kufitare!

Një marrëveshje, siç është demarkimi i kidirit, që do të duhej të ishte 100% transparente, u nënshkrua pa pasur debat paraprak, diqysh ilegalisht, dhe si e tillë, edhe sikur të ishte 100% e saktë, ishte e natyrshme të nxiste dyshime te opozita dhe te opinioni në Kosovë.

Tash pas reagimit për së dyti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është domosdo të kërkohet përgjegjësi politike prej individëve sa është e rëndësishme të mos humbet asnjë ditë deri te epilogu i kësaj çështjeje që është duke lëkundur raportet bilaterale edhe me aleatët më të mirë të Kosovës. 

Nuk është domosdo të mbahen zgjedhjet e reja, sepse në fund të fundit nuk ishte demarkacioni, por mosfunksionimi i koalicionit PDK-LDK që çoi në rrëzimin e qeverisë së kaluar. 

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj duhet të ulen të hënën bashkë, të lënë mënjanë interesat e ngushta dhe të logjikojnë pak më mirë këtë temë, sepse tashmë të gjithë e dimë se, ose njëri prej tyre (Thaçi) është manipuluar pak, ose  tjetri (Haradinaj) na ka manipuluar “pak“. 

Pranimi i gabimit në kohën e duhur (pasi mund të bëhet edhe më keq) është më lehtë i përballueshëm për Kosovën dhe mund të kalojë pa pasur nevojë as për dorëheqjen e presidentit si nënshkrues të marrëveshjes derisa ishte ministër i Punëve të Jashtme dhe as të kryeministrit, asokohe opozitar dhe njëri prej kundërshtarëve kryesor të kësaj marrëveshjeje. 

Ka një shprehje që thotë se “kufijtë ndryshohen me luftë, ndërsa në paqe pranohen ashtu si janë”. Është koha që në Kuvend të dërgohet versioni i parë i demarkimit të kufirit me Malin e Zi dhe nëse rrëzohet “Marrëveshja e Thaçit”, Haradinaj të procedojë “versionin i tij”. 

“Shumica nuk është gjithmonë e vërteta, por e vërtetë është se shumica vendos”! 

Vija kufitare duhet të pranohet ashtu siç është, mirë apo keq, të vendoset siç është vendosur për të gjitha njësitë tjera të ish-Jugosllavisë, por assesi të vendoset në dëm të Kosovës vetëm se ka bërë gabim komisioni ynë dhe tash është nënshkruar nga qeveria e kaluar, apo se rrezikohet pozita e presidentit apo e kryeministrit, apo se tash Mali i Zi është anëtar i NATO-s, apo se kështu po thonë Shtetet e Bashkuara. 

Jemi ngopur llafe kafenesh se “Amerika po i kërkon ato 8000 hektarë për survejim të hapësirës ballkanike”, se “baba më është vrarë në atë lug”, “gjyshi në atë kodër”, se malazezët e këndojnë këngën “prej Kotorrit në Çakorr!

Malazezët e kanë aneksuar dhunshëm dhe me diplomaci Tivarin, Ulqinin, Tuzin, Plavën e Gucinë dhe sa për atë se janë fqinj të mirë, do ta merrnin edhe Rugovën, edhe bjeshkët e Deçanit edhe Radavcin e Katunin e Ri. Kështu ata legjitimojnë tokat shqiptare që kanë aneksuar dhe vazhdojnë me pretendime. Derisa neve të përçarë vendnumërojmë, “ka të drejtë Mali i Zi”, “s’ka të drejtë Mali i Zi”! Për çka? Për një “copë” pushtet!

Ju lutem, mos na turpëroni më shumë! 

(Autori është gazetar, opinionist)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK