Zërat
Kaltrina Beqiri
Kaltrina
Beqiri

Prizreni në mes të një mini-'Silicon Valley' dhe Universiteti pa kampus të mirëfilltë

Zërat November 15, 2017 - 13:33

Premtimi i krijimit të vendeve të reja të punës duhet të jetë i lidhur me një plan konkret. Së pari të idesë se çfarë vendesh të reja të punës do të hapen, pasi që ato duhet të jenë edhe në harmoni me kërkesat e të rinjve. Pastaj edhe se si planifikohet të arrihet kjo.

Përndryshe, premtimi se përmes zhvillimit ekonomik do të krijohen vende të reja të punës është një bllof i vjetruar. Në programet e partive politike del se nuk ka asgjë konkrete për rritjen e mirëqenies për rininë, por rinia do të përfitojë në kuadër të pikave të ndryshme të programit.

Për shembull, në kuadër të projekteve për zhvillim ekonomik do të angazhohen të rinjtë, por nuk ceket se si apo sa, apo në çfarë projektesh konkretisht. Lind pyetja se çfarë vendesh të reja të punës do të krijohen? Sipas planeve dhe projekteve të kandidatëve, fokusi kryesor do të jetë në hapjen e zonës industriale (për industri të lehtë) dhe tokave bujqësore.

Duke marrë parasysh se po flasim për punësimin e të rinjve shumica e të cilëve janë të diplomuar, hapja e zonës industriale dhe tokave bujqësore problem se do të ishin të përshtatshme për punësimin e një numri të madh të tyre. 

 

Nga programet e kandidatëve inovacioni rezulton të jetë ndër shtyllat më të rëndësishme për punësimin e të rinjve në Prizren. Sipas tyre, qyteti i Prizreni do të shndërrohet në një “Silicon Valley” të Kosovës. Investime jo vetëm në hapjen e zyrave dhe objekteve të inovacionit, por edhe bursa të veçanta për studentët e Informatikës, si dhe krijimi i një “Hacker Space” në Prizren.

Mbështetja dhe investimi në fushën e inovacionit është një e mirë e madhe për të rinjtë e interesuar në këtë fushë, por sa do të mund t’i mbulojë komuna kërkesat e të rinjve në këtë fushë mbetet të shihet. Megjithatë rezulton që inovacioni është ndër pikat më konkrete e kandidatëve. Në kuadër të Kulturës është një pajtueshmëri e gjerë se “Dokufest”-i duhet të përfitojë më shumë mbështetje institucionale, ashtu edhe financiare nga organet komunale të Prizrenit.

“Dokufest”-i pa dyshim që është një pasuri e Prizrenit jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë turistik dhe ekonomik. Mbështetja e “Dokufest”it nga komuna nuk duhet të shihet si një akt heroik, por si një domosdoshmëri e padiskutueshme.

Fusha tjera të rëndësishme cilësohen edhe sporti dhe arsimi. Këtu fillojmë nga renovimi i studionit dhe krijimi i fushave të reja sportive, tek aktivitetet dhe garat e ndryshme sportive për zbulim e talenteve të rinj.

Sipas premtimeve të kandidatëve, të rinjtë e të rejat e Prizrenit mund t’i gëzohen një ringjalljeje të sportit në qytet si në objekte, ashtu edhe në aktivitete. Të njëjtin fat nuk duket ta ketë edhe fusha e arsimit, idetë e kandidatëve rreth arsimit duken të jenë shumë të improvizuara. Ndonëse nxënësit e shkollave fillore do të përfitojnë në kuadër të garave sportive ndërshkollore për zbulimin e talenteve, ata problem se do të përfitojnë edhe në cilësinë e arsimit.

Që biblioteka ndërkomunale ka probleme të shumta si në mungesë të librave, hapësira të pamjaftueshme për lexues dhe financa për mirëmbajtje, etj., janë dakord të gjithë.

Gjithashtu të gjithë pajtohen që do të ndërtohet një objekt i ri për bibliotekën ndërkomunale në 2018-ën, por se ku saktësisht do të ndërtohet për këtë nuk ka ndonjë plan konkret. Të premtosh se biblioteka do të ndërtohet në vitin 2018 pa pasur ndonjë plan të saktë se ku është më se irracionale. Problemin e mungesës së hapësirës e vuajnë edhe studentët e Universitetit të Prizrenit.

Ky problem do të mund të zgjidhej ose duke ndërtuar një kampus të ri universitar, ose duke u zhvendosur në kampin e KFOR-it Gjerman, i cili përpos objekteve për ligjërime ka gjithashtu edhe ndërtesa banimi me kapacitete deri në 1200 persona.

Por, ky duket të jetë një problem i marrë jo shumë seriozisht nga kandidatët, pasi që nuk ka asnjë plan konkret për të ardhmen e kampusit të Universitetit të Prizrenit.

Në plan janë edhe hapja e qendrave rinore në çdo lagje të qytetit, por sikurse edhe projektet tjera, edhe për këtë nuk është treguar se me çfarë fondesh do të financohet ndërtimi dhe mirëmbajtja e tyre. Partitë politike të cilat pretendojnë ta qeverisin qytetin e Prizrenit duhet të ofrojnë plane, strategji dhe politika konkrete për rritjen e mirëqenies së të rinjve.

Projekte për punësimin e të rinjve dhe për rritjen e cilësisë në arsim ka, ndonëse pikat kyçe të interesit të tyre për mirëqenie duket të jenë joserioze dhe të improvizuara. Premtimet joserioze dhe planet abstrakte nuk zgjidhin problemet e të rinjve, përkundrazi ato kontribuojnë në krijimin e problemeve të reja.

Vetëdijesimi i të rinjve për rëndësinë e votës së tyre, analizimi i programeve i partive politike dhe angazhimi i tyre aktiv në jetën politike edhe jashtë fushatës zgjedhore është shtyllë kruciale e zhvillimit të politikave për rritjen e mirëqenies te të rinjtë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK