Zërat
Albulena Nrecaj
Albulena
Nrecaj

Qeverisja lokale vs. niveli qendror: Sfidat në udhëkryq

Zërat November 07, 2017 - 12:33

Pavarësia dhe efektiviteti i qeverisjes lokale janë elementet thelbësore të strukturës së shoqërive demokratike dhe elemente të domosdoshme për suksesin social dhe ekonomik.

Për të arritur këtë sukses qeveritë lokale duhet të jenë të fuqishme dhe të afta për të marrë vendime dhe të kenë shërbime sa më afër interesit të qytetarëve.

Kjo duke jua përshtatur llojin e shërbimeve sipas prioriteteve dhe nevojave lokale. Në Kosovë komunat janë njësi themelore të vetëqeverisjes lokale, të cilat sipas ligjit janë të obliguara të kujdesën për qytetarët brenda njësisë së tyre territoriale duke e ushtruar gjithë pushtetin e tyre.

Por, sa kanë pushtet komunat? Në dy vjetët e fundit në Kosovë është intensifikuar debati rreth (pa)varësisë së komunave. Madje, zgjedhjet e fundit lokale kanë kontribuuar që të zgjerohet diskutimi rreth sfidave dhe problemeve që kanë komunat për të ushtruar pushtetin e tyre vetanak. Është vërejtur qartazi se edhe natyra e premtimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e fundit lokale ishte më konkrete dhe më e bazuar në kompetenca ekskluzive të komunës.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë miratuar shumë ligje që lidhen me funksionimin e komunave, por shumëllojshmëria e legjislacionit të aplikueshëm ende nuk siguron ndarjen e qartë të kompetencave mes institucioneve qendrore dhe komunave apo pavarësinë e plotë të komunave për t’i ushtruar kompetencat e tyre.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, komunat ushtrojnë tri lloj kompetencash: kompetencat vetanake, kompetencat e deleguara dhe kompetencat e zgjeruara. Sipas këtij ligji, komuna ka pushtetin e plotë të saj për t’i ushtruar kompetencat e saj vetanake brenda territorit të saj administrativ në fusha të ndryshme, si: zhvillimi ekonomik lokal, planifikimin urban dhe rural, shfrytëzimin e tokës për zhvillim, shëndetësinë primare dhe publike, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbeturinave e deri te zhvillimi i turizmit.

Mirëpo sa arrijnë komunat t’i shtrojnë këto kompetenca? Në raporte të ndryshme të organizatave qeveritare dhe joqeveritare, të huaja dhe vendore, shumë herë është vlerësuar se komunat nuk kanë performancë të mirë të punës.

Madje shpesh akuzohen se si pasojë e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit ato po dështojnë të përmbushin misionin e tyre për përmirësimin e jetës së qytetarëve duke ofruar shërbime të mira publike dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të komunës. Deri diku është konstatuar se këto vlerësime qëndrojnë.

Mirëpo, shumë pak është diskutuar për konfliktin e kompetencave komunale në mes të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjeve të tjera në fuqi. Ndër fushat në të cilat komunat nuk kanë kompetenca të plota dhe ndërdyhen nga niveli qendror, janë zhvillimi ekonomik, furnizimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave, mbrojtja e mjedisit, shëndetësia primare dhe menaxhimi i emergjencave.

Nxitjen e zhvillimit ekomomik komunat tentojnë ta bëjnë përmes dhënies në shfrytëzim të pronës komunale investitorëve të ndryshëm, të cilët potencialisht krijojnë vende të reja pune dhe ngrenë kapacitetet ekonomike të komunës.

Mungesa e pronës komunale dhe menaxhimi i pronave shoqërore që janë në territorin e komunës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk i lë mundësi komunës për të sjellë investime të qëndrueshme në komunë.

Ligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, ka paraparë procedurat për bartjen e pronësisë nga AKP-ja te komuna, por këto procedura marrin shumë kohë dhe rrezikojnë ikjen e investitorëve.

Kompetenca vetanake komunat nuk arrijnë t’i ofrojnë, ushtrojnë në mënyrë efikase dhe efektive janë edhe furnizimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave, menaxhimi i tregjeve, menaxhimi i hapësirave publike, pasi këto kompetenca komunat i shtrojnë përmes ndërmarrjeve publike rajonale, të cilat janë nën pronësi të Qeverisë ose të ndërmarrjeve publike komunale.

Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike komunat kanë të drejtë të themelojnë ndërmarrje publike lokale, por vetëm nëse autorizohen me vendim nga Qeveria. Rrjedhimisht, komunat nuk kanë pavarësi për t’i ushtruar këto kompetenca dhe për të ofruar shërbime cilësore pasi janë nën “mëshirën” e performancës së ndërmarrjeve publike rajonale.

Si pasojë të varësisë së komunave përmes këtyre ligjeve qytetarët e Hanit të Elezit që nga paslufta përballen me mungesë të ujit të pijshëm pasi kompania rajonale e ujit “Bifurkacioni” nuk ka marrë nën menaxhim furnizimin me ujë për këtë komunë. Ndërkaq, Kuvendi Komunal i Hanit të Elezit kishte marrë vendim për themelimin e ndërmarrjes publike lokale për furnizim dhe menaxhim me ujë, por nuk i ishte miratuar nga Qeveria.

Sfidë tjetër e komunave mbetet edhe pavarësia financiare. Deri në 85% e buxheteve komunale varen nga grantet qeveritare.

Sipas Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, me përjashtim të tatimit në pronën e paluajtshme brenda kufijve të saj, komuna nuk është e autorizuar që të caktojë, të vjelë ose të mbledhë çfarëdo detyrime ose taksa të tjera.

Kësisoj të gjitha taksat, tatimet apo detyrimet tjera që paguajnë qytetarët grumbullohen në arkën shtetërore për t’u kthyer pastaj në formë të granteve në komuna. Po ashtu, caktimi i tavaneve buxhetore nga ana e Ministrisë së Financave i kufizon komunat për të orientuar buxhetin sipas nevojës reale të tyre.

Shpresë e komunave mbetet përfitimi i investimeve kapitale nga ministritë e ndryshme të linjës. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave për periudhën 2011-2016 ministritë e linjës kanë realizuar 1318 projekte, në vlerë prej mbi 300 milionë eurosh. Madje, edhe nga këto investime komunat nuk kanë pasur një trajtim serioz.

Shpërndarja e projekteve investuese është skajshmërisht e politizuar dhe lë mënjanë komunat që nuk kanë përfaqësim të fortë në nivelin qendror apo komunat që qeverisen nga partitë, të cilat nuk qeverisin në nivelin qendror.

Në mënyrë që komunat të kenë pushtet të plotë dhe kushte të favorshme për të ofruar shërbime publike është i pashmangshëm vlerësimi i zbatimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe procesit të decentralizimit.

Është e nevojshme të rishikohen të gjitha kompetencat dhe të gjitha kapacitetet e komunave me qëllim që të tejkalohen sfidat dhe problemet e qeverisjes në komuna dhe të ngrihen standardet e shërbimeve ndaj qytetarëve. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK