Zërat

Pse Tahiri dhe Prokuroria duhet të kërkojnë falje?

Zërat October 29, 2017 - 14:07

Ndërsa politika e të dyja krahëve po përfshihet gjithnjë e më shumë në fatin e ish-ministrit Tahiri, duke rënduar punën e Prokurorisë si i vetmi institucion rëndësor që mund të trajtojë këtë çështje profesionalisht, ka një dimension human që ndërlidhet me të akuzuarin.

Tahiri është një figurë që gëzon breroren e imunitetit të ish-ministrit dhe deputetit, çka përbën një lloj dorëzanie kushtetuese që i mundëson Kuvendit të japë një autorizim paraprak për ndalimin dhe hetimin e tij.

Në anën tjetër, qytetarët nuk kanë një dorëzani të tillë, që në një interpretim më të gjerë reflekton një pabarazi kushtetuese, ku deputeti është i privilegjuar sipas parimit oruellian “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.

Më shumë sesa çështje e një neni a parimi kushtetuese, është në pyetje fati i qindra, në mos mijëra, të akuzuarve që janë përplasur burgjeve (gjatë kohës sa Tahiri ishte ministër i Brendshëm) për krime të natyrave të ndryshme.

Dhe në raste të tilla, larg bujës së mediave e zhurmërisë së kampeve politike, shteti zgjodhi gjuhën e ashpër (për ofeza të tilla si vjedhje e rrymës elektrike, ndërtime të paligjshme, shkelje në komunikacion, etj). Papërjashtimisht, Policia ka vepruar për këto raste si flagranca të rënda dhe ka arrestuar qindra mijëra njerëz. E tillë ishte kjo fushatë, sa ndillte përshtypjen e një mëtimi të mirëmenduar shtetëror që qytetarët të kishin frikë nga ligji.

Sot Tahiri gjendet para një situate kur duhet t’i thotë Prokurorisë “Ndal! Fillimisht gjej provat e pastaj vepro mbi mua”.

Në një situatë ku figurativisht Saimiri është duarlidhuri para një jurie që do të shqiptojë verdiktin ndaj tij, ai duhet t’i kërkojë falje përdëllimtare qytetarëve për përvijimin e asaj linje të ashpër të penalizimit të krimeve të mbijetesës.

Dhe në këtë kërkim-falje duhet të bashkohet edhe pala tjetër, që është Prokuroria.

Nëse forcat e rendit të drejtuara politikisht nga Saimiri kanë vepruar pamëshirshëm ashpërsisht, edhe Prokuroria është e fajshme meqë ka legalizuar këto veprime musjhare. Ajo do të duhej, sipas normativave kushtetuese, brenda 48 orësh t’i nxirrte këta qytetarë në mbrojtje në liri.

Kjo sjellje prej persekutuesish e prokurorëve, pavarësisht se një pjesë e tyre janë brez i ri i formuar në vitet e demokracisë, ngjan si një atavizëm me rrënjë nga koha e diktaturës.

Ky model i përndjekjes është inkuizitiv në natyrën e tij, ku mjaftonin dyshimet e organeve hetuese, prokurorisë dhe shtetit që të arrestohej dikush, e pastaj provat tubëzoheshin gjatë procesit hetimor.

Ndonëse ka 25 vjet që Shqipëria është në demokraci, Prokuroria vazhdon me të njëjtën mendësi.

Që të përmblidhet gjithçka u tha, Prokuroria dhe Tahiri, akuzues dhe i akuzuar, duhet të kërkojnë falje për sjelljen mujshare ndaj qytetarëve të penalizuar për krime, që mbase në vende të tjera do të cilësoheshin si kundërvajtje.

Por Prokuroria në këto raste ka vepruar ashpërsisht ndaj qytetarëve, ndërkohë që ironia rrokakrejtëse e gjithë kësaj është që tani një ish-ministër, që ka legjitimuar një sjellje të tillë, kërkon që të përmbysen standardet e vendosura dhe të mos zbatohen ndaj tij.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK