Zërat
Armend Shkullaku
Armend
Shkullaku

Nuk është Saimiri, është Edi Rama

Zërat October 19, 2017 - 11:20

Një “dru të shtrembër në mesin tonë” e ka etiketuar Edi Rama, Saimir Tahirin, i gatshëm tashmë t’i japë një shtyrje drejt sharrës së drejtësisë, njeriut që deri dje ishte simboli i luftës kundër krimit dhe krenaria e “policisë që duam”.

Në fakt jo vetëm Rama, por edhe levat e propagandës së tij bajate, po përpiqen dëshpërimisht që këtë rast ta paraqesin si një fenomen të izoluar që fillon e mbaron te një njeri i vetëm dhe për të cilin, ai, lideri maksimal, jo vetëm nuk ka patur dijeni por është i gatshëm ta çojë drejt gijotinës pa iu dridhur dora. Dhe nuk harrojnë, si gjithnjë kur kapen me presh në duar, të krahasojnë qasjen “parimore” të liderit rilindas me atë të paraardhësve të tij, si një kamerdare të stërpërdorur për të dalë nga ujërat e ndotura ku janë zhytur kokë e këmbë. Ta trajtosh rastin Tahiri si një përgjegjësi individuale dhe si një shembull të qëndrimit parimor të Edi Ramës, nga njëra anë është tallje me shqiptarët, por në anën tjetër, përbën aktin e fundit të teatrit të një kryeministri- peng i një qeverisje të kapur nga krimi. Sot, nuk ka njeri në Shqipëri, por edhe tek ata që merren me Shqipërinë, që nuk e di se Saimir Tahiri nuk ishte një fenomen që ra nga qielli, por produkt direkt i nëntokës së Edi Ramës.

Saimir Tahiri nuk qëlloi një dru i shtrembër në stivën e drejtë të Rilindjes. Ai është një nga degët kryesore të trungut të deformuar që është vetë Edi Rama.

 

Dhe reagimet e këtij të fundit për këtë rast, e vërtetojnë edhe një herë një gjë të tillë. Një kryeministër i papërfshirë vetë në afera të dyshimta, sot duhet të dilte me kokën ulur dhe të pranonte përgjegjësinë e përbashkët dhe jo t’ia delegonte atë një njeriu të braktisur me nxitim nga rrethi i bashkëfajtorëve.

Edi Rama do duhej t’u thoshte sot shqiptarëve se përse në katër vite me radhë nuk reflektoi asnjëherë për akuzat serioze ndaj ministrit të tij. Përse i mbulonte me propagandën e tij të shpifur avionët e drogës, raportet e ndërkombëtarëve, emërimet skandaloze në polici, sasitë e tmerrshme të drogës, implikimin e kriminelëve në fushatat e tij elektorale, gjobat ndaj biznesmenëve, akuzat direkte për lidhjet e dyshimta të ministrit të tij me grupe kriminale dhe krimin që kishte pushtuar vendin dhe marrë peng Rilindjen.

Edi Rama, në asnjë rast të vetëm, nuk mori përgjegjësi për këtë situatë, duke lënë të kuptohej qartë se prapa ministrit të Brendshëm qëndronte ai vetë. Bashkë me Tahirin sajuan togfjalëshin “Fronti i së Keqes” për të relativizuar dhe mbuluar çdo akuzë serioze, që sipas tyre vinte nga balta e opozitës, kazani mediatik apo qarqet që nuk i donin të mirën Shqipërisë.

“Ne nuk jemi aspak një familje e përsosur”, thotë Edi Rama. Larg asaj, askush nuk e ka menduar se Rilindja qenka një familje e përsosur, përkundrazi. Por djali plangprishës nuk mund të jetë Saimir Tahiri, që u zbulua sot papritur. Atij nuk mund t’i ngarkohet mbi shpinë mëkati fillestar që shthuri familjen rilindase.

Ai mëkat zë fill ditën që Edi Rama vendosi ta kryqëzojë familjen normale socialiste me farën e kriminelëve që i solli në parlament, në bashki, në polici, në administratë. Saimiri dhe çunat e tjerë janë pjella rilindase e këtij kryqëzimi që historia do t’i njohë për baba Edi Ramën.

Fati politik dhe personal i Saimir Tahirit, nuk është pasojë thjesht e veprimeve të tij. Ai është një produkt i pritshëm që sjell alkimia e Edi Ramës ku përzihet politika me krimin.

Tentativa e kryeministrit për ta përcjellë përgjegjësinë e tij direkte te një individ apo për t’u justifikuar përsëri me baltën e opozitës dhe me fajin e ka Saliu, edhe në vitin e pestë në pushtet, është një shenjë e keqe se ai nuk ka ndërmend të ndryshojë diçka rrënjësisht në mënyrën se si po qeveris vendin.

Shqetësimi i Edi Ramës është si të kalojë hallin që e ka zënë sot dhe jo si të nxjerrë Shqipërinë nga bataku ku e ka futur. Përgjegjësia është krejtësisht e tij, zgjedhjet kanë qenë plotësisht të tijat, veprimet mbajnë të gjitha vulën e tij. Edi Ramës mund t’i shkojë ndërmend të bëjë me faj edhe popullin, meqë ka vendosur të “bashkëqeverisë” me të këtë mandat, mund të merret prapë me Saliun dhe katundin mediatik, por këto nuk do ta shpëtojnë as atë dhe as vendin.

Ai po braktis sot në fatin e tij ministrin më të besuar, kreun e PS të Tiranës, anëtarin e kryesisë etj., me shpresën që vetë të dalë sa më i paprekur nga kjo histori. Do të ishte kështu nëse rasti Tahiri do të përbënte një aksident në një qeverisje model. Në fakt po rezulton se vetë Edi Rama është një aksident me pasoja fatale për të gjithë.

Tahiri apo të tjerë janë “viktimat” e para të një sistemi të cilit kanë nisur t’i lirohen vidat ngado. Në Elbasan, në Vlorë, në Tiranë, në Lushnjë…, mekanizmi okult me të cilin po qeveris Edi Rama po shndërrohet në një monstër, që do të kërkojë kokën e atij që e polli.(mapo.al)

Armand Shkullaku 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK