Zërat
Prof. Dr. Emine Arifi-Bakalli
Prof.
Dr.
Emine
Arifi-Bakalli

Programi i Zoran Gjingjiq-it për Kosovën

Zërat August 30, 2017 - 12:08

Programi nacional serb për Kosovën, apo histori që sot e kësaj ditë këmbëngul për bashkëkohësinë.

A njihet dhe sa njihet nga bota shqiptare programi nacional serb për Kosovën, i ideuar nga ish kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiq (2001-2003) me titull “Strategjia për Kosovë e Metohi” i përfunduar në dhjetor 2002 dhe i botuar në librin me titull “Zoran Djindjić o Kosovu” (Beograd 2003), me iniciativën e Këshilli Nacional Serb-të serbëve të Kosovës?

Kjo pyetje imponohet nga fakti se ky program nuk figuron në diskursin politik e as mediatik shqiptar. Në debatet e shumta televizive këndej e andej kufirit, nuk ndodh që analistë e gazetarë t’i referohen këtij programi, madje as ata që pretendojnë se e përcjellin me vëmendje diskursin politik të Beogradit. Bie fjala, kohë më parë, një gazetar shumë i njohur kosovar në një intervistë me kryetarin serb Tadiq, po i bënte pyetje në kuptimin që përse ky kishte devijuar nga politika e Gjingjiqit për Kosovën? Tadiq u pa i habitur, dhe sigurisht që ai, sikurse dhe unë si shikuese, u gjet para dilemës se a kishim të bënim me një provokim apo ndoshta  mosinformim të gazetarit kosovar. Sepse, sikur ky gazetar ta kishte lexuar programin e Gjingjiqit për Kosovën apo dhe të kishte përcjell me vëmendje paraqitjet e tij publike lidhur me Kosovën, po dhe shqiptarët, do ta dinte mirë që pasardhësi politik i tij nuk bënte gjë tjetër përveçse praktikonte strategjinë kombëtare serbe për Kosovën, të aprovuar në fillim të vitit 2003.

Siç del nga hyrja e librit në fjalë, programi i Gjingjiqit, si rezultat i një studimi të përqendruar të çështjes nga ana e tij,  fillimisht iu prezantua  një rrethi të ngushtë entitetesh politike e shtetërore serbe. Ky program i aprovuar nga qeveria serbe dhe koalicioni qeverisës i kohës, u miratua edhe nga të gjitha entitetet politike serbe të Kosovës duke e konsideruar si të vetmen rrugë për “zgjidhjen e çështjes së Kosovës” ( Zoran ... f. 29).

Më 28 janar 2003, përfaqësuesit e koalicionit Povratak (Kthimi) dhe të Këshillave nacionalë serbë të pjesës veriore dhe qendrore të Kosovës, në një takim me kryeministrin Gjingjiq, u pajtuan për veprim të akorduar për jetësimin e programit të tij për Kosovën. Thënë shkurt, në fillim të vitit 2003, serbët definuan dhe aprovuan programin nacional për Kosovën  dhe strategjinë e veprimit për realizimin e tij. 

Minimi i procesit drejt pavarësisë dhe “federalizimi i Kosovës” si premisë për ndarjen e saj

Siç shihet nga programi i Gjingjiqit, thelbi i tij konsiston në minimin e procesit drejt pavarësisë së Kosovës dhe “federalizmin” si premisë për ndarje të saj. Pas aprovimit të programit për Kosovën, ashtu siç edhe kërkohej në të, fushata politike, diplomatike dhe propaganduese serbe u përqendrua  në imponimin e “temës” për zgjidhjen e “çështjes madhore për paqen në Ballkan”- çështjes së statusit të Kosovës.  Çdo intervistë, paraqitje publike brenda e jashtë Serbisë dhe nënkuptohet aktiviteti diplomatik i Gjingjiq-it, në thelb kishte kërkesën për Kosovën e dy entiteteve paralele, e përcjellë kjo me shantazhin se në të kundërtën rrezikohej demokracia në Serbi dhe me kërcënimin për destabilizimin e Ballkanit dhe riformatimin e kufijve të tij, përkatësisht kthimin në vitin 1990 (Većernje Novosti, 14 janar 2003; Politika, 8 shkurt 2003). Kryeministri serb po e akuzonte Bashkësinë ndërkombëtare për mungesë reflektimi ndaj Rezolutës 1244, e cila i garantonte “shtetit amë” kthimin e një kontingjenti të ushtrisë dhe policisë serbe si dhe kthimin e të përndjekurve dhe se ajo praktikisht po e krijonte shtetin e pavarur të Kosovës pa përfillur  “mbrojtjen e të drejtave të  Serbisë” (Zoran ... f. 32). Në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane Der Spiegel (1 janar 2003), Gjingjiq shprehte mendimin se nëse shqiptarët do të shpallnin pavarësinë, ky akt “do të paraqiste një precedencë të rrezikshme për popujt e Ballkanit” dhe do të rrezikonte paqen sidomos në Bosnje e Hercegovinë. Sipas tij, “çështja e Kosovës” do të duhej të zgjidhej sipas modelit të federatës myslimano-serbe në këtë shtet.  Nëse shqiptarët nuk do ta pranonin këtë solucion, atëherë Gjingjiq paralajmëronte kërkesën e tij për një konferencë të re “të Dejtonit”, e cila do të siguronte paqen duke rikompozuar kufijtë e rinj  në rajon. Në fakt, ideja e “federalizimit të Kosovës” përmes formimit të bashkësisë serbe, brenda së cilës do të siguroheshin “të drejtat kolektive” të serbëve e përcjellë me “garancinë që forcat shqiptare dhe policia  nuk mund ta pushtojnë atë”, ishte në agjendën e kryeministrit serb që në vitin 2001 dhe arsyetohej me faktin se serbët dhe shqiptarët nuk mund të jetonin së bashku. Kështu Gjingjiq doli i pari në Serbi kundër konceptit multietnik për Kosovën,  për të cilin koncept ai angazhohej në fillim me argumentimin se në këtë rast interesat serbë do të mbroheshin në rrugë institucionale në mënyrë që mos të lejohej majorizimi i tyre (Blic, 4 maj 2001). Transformimi i tij nga koncepti i organizimit multietnik në atë nacional për Kosovën ndodhi gjatë verës 2001.

Në fillim të shkurtit 2003, Gjingjiq  iu drejtua anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB me një shkresë përmes së cilës ata do të duhej të informoheshin për shqetësimet dhe dilemat e “qeverisë demokratike” të Beogradit për rrjedhat në Kosovë. Ai u përkujtonte atyre thelbin e Rezolutës 1244, e cila po rrezikohej nga zhvillimet në terren, gjë që do të destabilizonte jo vetëm Serbinë, po dhe gjithë Ballkanin. Në këtë shkresë potencohej se KFOR dhe UNMIK “kompetencat e Serbisë dhe Jugosllavisë”, shkallë-shkallë po i baritnin në strukturat qeverisëse vendore të Kosovës, gjë që do të rezultonte me një shtet praktikisht të pavarur, përveç njohjes ndërkombëtare. Duke u nisur nga konstatimi se shqiptarët nuk i duan serbët në territorin e tyre dhe në anën tjetër serbët nuk ndihen të sigurt në mesin e tyre, Gjingjiq propozonte krijimin e dy entiteteve nacionale. “Është e domosdoshme që serbëve në Kosovë t’u pranohet statusi i bashkësisë nacionale”,  kërkonte ai. Në këtë shkresë, kryeministri serb paralajmëronte dhe për pasojat e dëshpërimit të serbëve përkitazi me pozicionin e Bashkësisë ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës, i cili pozicion nuk dallonte nga ai i kohës së Millosheviqit. Si rrjedhojë, krahas humbjes së besimit ndaj Bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi do të ndodhte dhe dobësimi i pozicionit të forcave reformuese dhe demokratike (Zoran ..., f. 39).

Insistimi i faktorit ndërkombëtar në formulën e M. Shtajnerit “standardet para statusit”, bëri që Gjingjiq të sprapset nga kërkesa për zgjidhje të shpejtë  të çështjes së statusit të Kosovës, por këmbënguli që kjo çështje të shtrohej menjëherë përmes fillimit të një procesi negociatash, ndërkaq që kohëzgjatja e këtij procesi nuk çonte peshë. Po kështu ai kërkonte që  zgjidhja definitive e çështjes në fjalë, të nënkuptonte kompromis midis palësh dhe që në këtë proces të  përfshihej edhe Beogradi (Zoran ..., f. 36).  “Ne në Beograd presim që bashkësia ndërkombëtare ta thotë qartë se në rrugëtimin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, pozita e Beogradit do të merrej në konsideratë dhe që interesat e tij do të inkorporoheshin në të (në këtë zgjidhje- E. B.), si dhe  që zgjidhja do të jetë mbi bazën e kompromisit” (Po aty).

(Vazhdon)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK