Zërat

Fitore Rubovci

Epoka e-mediale dhe e-kultura – elektrasia

26 gusht 2017 • 11 : 46

Titulli i mësipërm tingëllon disi i paqartë, e mbase edhe i ngatërruar, sidomos fjala “elektrasi”. Kështu ishte edhe për mua kur e lexova për herë të parë atë: fjalë e panjohur dhe nuk ia dija kuptimin. Kjo është, mbase, natyra e njohjeve të rastësishme: duke hulumtuar në internet për një çështje të artit që isha duke e shqyrtuar, hasa në emrin e Gregory Leland Ulmer. Teoria e tij, ndonëse e gjerë dhe me shumë risi për ta shquar, mund të karakterizohet me nocionin elektrasi.

U bëra kureshtare që të mësoja më tepër rreth këtij koncepti të panjohur më parë. Gjeta ca shkrime të Ulmerit, të cilat më qartësuan qasjen e tij risimtare. M’u hap, krejt befas, një perspektivë që as e kisha çuar ndërmend ndonjëherë. S’do mend, u frymëzova për ta sprovuar veten në një qasje të tillë, nga këndvështrimi ulmerian, prej nga rezultoi video-eseja Dictatorship and Writter, botuar në “Textshop Experiments”, nr. 3, 2017. Gregory Leland Ulmer është profesor universitar në Departamentin e Gjuhës Angleze në Universitetin e Floridas, në Gaineswille, si dhe profesor i Gjuhës Elektronike dhe i Cybermedies në Europian Graduate School, që është institucioni i arsimit të lartë për studime master dhe të doktoratës, në Saas-Fee të Zvicrës.

Përveçse si profesor, Ulmer edhe më i njohur është për preokupimet e tij teorike. Në trajtesat e tij ai rreket me sfidën më kuptimplote të zhvillimeve elektronike bashkëkohore, si qasje për t’i kuptuar dhe për t’i artikuluar risitë e zhvillimit teknologjik, duke kulmuar me Internetin. Ulmer ka botuar shumë vepra e studime në veprimtarinë e tij shumëdekadëshe të preokupimeve teorike. Porse veprat e tij kryesore, të cilat lidhen me kontributin e tij të veçantë teorik, ku ai sjellë risi konceptuale dhe që do të jenë objekt parashtrimi në këtë shkrim, janë: Applied Grammatology: Post(e)-Pedagogy from Jacques Derrida to Joseph Beuys (Johns Hopkins, 1985), Teletheory: Grammatology in the Age of Video (Routledge, 1989), Heuretics: The Logic of Invention (Johns Hopkins, 1994) dhe Internet Invention: From Literacy to Electracy (Longman, 2003). Sigurisht që interesimi dhe perceptimi më ndryshe i risive teknologjike është i mëhershëm, porse, ashtu sikurse mund të shihet nga koha e botimeve të këtyre veprave, nga kërkimi për qasje risimtare (1985) e deri te formësimi i një teorie të re të tij (2003) është një periudhë rreth dy dekadash.

Duke jetuar në kohën e ndryshimeve drastike të avancimit të teknologjisë, për të cilat ai është dëshmitar dhe përjetues i tyre, Ulmer nuk mbeti në nivel vetëm përdorimi, duke përfituar në mënyrë utilitare nga kapacitetet e reja teknologjike. Kjo po se po. E kështu bëjnë me miliona e mbase miliarda përdorues të teknologjisë bashkëkohore, si interneti dhe teknologjia inteligjente, kompjuterët, telefonat, tabletët, etj. Ulmer perceptoi diçka përtej pragmatizmit, në kuptimin e qasjes pozitive ndaj saj si mjete ndihmëse në shërbim të njeriut.

Teknologjia e sofistikuar bashkëkohore, sidomos Interneti, ishte një ngjarje e madhe, madje e jashtëzakonshme, diçka që shënonte një arritje të rrallë, të tillë që ndodhnin në histori. Interneti dhe mundësia elektronike ishin një risi që mund të krahasoheshin vetëm me shpikjen e shkrimit në parahistori, si dhe me teknikën e shtypjes së librave (shtypshkronjat) diku në mesjetë. Secila prej tyre kishin ndihmuar njerëzimin, artin, shkencën, kulturën në mënyrë të tillë që i kishin dhënë qëndrueshmëri, mundësi ruajtjeje dhe përhapjeje te të tjerët, ndër vite e mijëvjeçarë.

Po zhvillimi elektronik, e në këtë kuadër interneti, ç’risi sillnin? Komunikimi ishte ndër të parat që ndikohej, ashtu sikurse ishte ndikuar dikur prej telegrafit, telefonit statik e televizionit, të cilat kishin bërë përhapjen e informacionit me shpejtësi të paimagjinueshme më parë. Mjetet elektronike, e veçmas Interneti, e kishin bërë komunikimin të qasshëm në tërë globin (e madje edhe në hapësirën e universit) e nga secili, me një çmim të përballueshëm thuajse për çdonjërin.

Tërë këto zhvillime teknologjike nuk ishin thjesht vetëm mjete teknike, instrumente që mund të përdoreshin për qëllime e nevoja të ndryshme; ato ishin më shumë se kaq. Në të vërtetë, ato krahas ndihmës që na jepnin praktikisht, ndikonin edhe në qasjen tonë, në reflektimin tonë, në perceptimet tona dhe në mundësitë tona për t’u shprehur, për t’u artikuluar dhe për të komunikuar në një mënyrë tjetërfare nga më parë, gjithsesi më shumëdimensionale, ndërthurje dhe me komponentë të llojllojshëm.

Me të drejtë është karakterizuar kontributi teorik i Ulmerit si studim i ndryshimit të paradigmës nga letërsia tek elektrasia, që është shprehje e zhvillimit të një kulture elektronike në epokën e medieve. Kjo shihet edhe nga rrugëtimi i tij teorik i studimeve dhe i shqyrtimeve. Ulmer në veprën e tij Applied Grammatology. Gramatologjia, mbështetur te kuptimi i saj nisur prej linguistit Ignace Gelb e te Derrida, është studim shkencor i sistemeve të shkrimit, përkatësisht i mënyrës së të shkruarit. Libri është i ndarë në dy pjesë.

Pjesa e parë shpreh studimin e dekonstruktivizmit të Jacques Derrida në aspektin e gramatologjisë, teorisë, mnemonikës, modeleve dhe spekulimeve, duke kërkuar të dilet përtej dekonstruktivizmit. Pjesa e dytë, vetë nëntitulli “Post(e)-Pedagogy” shpreh qasjen ndryshe të autorit, një gërshetim të post-pedagogjisë, që domethënë pedagogjia në postmodernen, dhe duke aluduar njëherësh te risia që nuk kishte qenë asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit: e-pedagogjinë, domethënë edukimin përmes Internetit. Këtu autori do të flasë për skenën e mësimdhënies.

Një shqyrtim të pikëpamjeve të Jacques Lacantë, titulluar “seminar”, pastaj të Joseph Beuys, të titulluar “performanca”, si dhe lidhur me pikëpamjet e regjisorit Sergei Mikhailovich Eisenstein, të titulluar “film”. Në këtë vepër Ulmer studion bazat teorike e konceptuale për t’i artikuluar ndryshimet që ka sjellë zhvillimi teknologjik në shoqëri. Teletheory: Grammatology in the Age of Video, është vazhdim i hulumtimit teorik nga vepra e parë, ku Ulmer duket se ka filluar të gërmojë më thellë koncepteve teorike. Këtë e tregon termi i ri – teleteori. Sikurse e tregon vetë titulli i librit, teleteoria është gramatologjia në Kohën e Videos. Më konkretisht, teleteoria, e përcakton Ulmer, është aplikimi i gramatologjisë në televizion në kontekstin e arsimimit, me qëllim që prej saj të mësohet një pedagogji e re.

Ai niset nga besimi se teoria e Derridas dhe të poststrukturalistëve të tjerë francezë, të mbështetur nga praktika të ndryshme të artit, ofrojnë shpresën më të mirë për ta kuptuar një epokë në të cilën teknologjia e kulturës është duke ndryshuar nga printimi te videoja. Ajo, po ashtu, krahas pedagogjisë, përfshin edhe një program të popullarizimit e aftë për të ribashkuar hulumtimet e avancuara të disiplinave humane me kushtet e jetës së përditshme. Këtu, fjala vjen, ai, ndër të tjera, konstrukton fjalën e re – mistori (mystory).

Kërkimi këmbëngulës e i palodhshëm i Ulmerit do të bëjë të shkruhet një vepër tjetër e rëndësishme teorike: Heuretics: The Logic of Invention. Novatorizmi i Ulmerit bëhet më i shtrirë, duke përfshirë sfera të ndryshme. Një invencion është vetë fjala heretikë, e cila, sikurse e shpreh vetë titulli i vepër, është një teori mbi logjikën e shpikjes. Këtu autori, sikurse e pohon vetë, vëmendje të posaçme i kushton “degës së logjikës që trajton artin e zbulimit ose të shpikjes”.

Libri i ka katër pjesë, Në pjesën e parë të këtij studimi titulluar “How to Make a Theory of Method” autori kërkimin e tij e orienton në tri aspekte, në gramatologji, hipermedia dhe në eksperiment, duke i ndërlidhur ato ashtu që t’i shohë qasjet e duhura. Në pjesët e tjera autori i shtjellon në kontekste të ndryshme pikëpamjen e tij të heuretikës. Në këtë studim, ndër të tjera, sillet edhe një koncept i ri: korografia. Ajo që, përmbledhtas, mund të thuhet për këtë libër është se Ulmer parashtron një teori me një thellësi shqyrtimi, duke sjellë risi dhe duke sprovuar heurtikën në aspekte të ndryshme.

© zëri.info