Zërat
Mjellma Hapciu-Alijaj
Mjellma
Hapciu-Alijaj

PAN-i ecën vetë

Zërat August 08, 2017 - 11:52

Parashikimet e motit për muajin gusht ishin se do të kemi temperatura të larta, ndoshta më të lartat gjatë viteve të fundit. Si duket këto ngritje temperaturash po luajnë rol tejet të madh edhe te Kosova 9-vjeçare. Supozohej që deri më tani skena politike në vendin tonë duhet të ketë mësuar gjërat themelore nga miqtë e saj, të cilët e përkrahën gjatë gjithë kohës në realizimin e hapave të parë drejt një shteti demokratik dhe funksional. Tashmë do të duhej të kishim një themel të mirë për të vazhduar pasurimin me njohuri të reja për një të ardhme më të ndritur.

Megjithatë duket se ende kemi nevojë për kujdestarë/e, të cilët do të na këshillojnë dhe na mbajnë dorën derisa të arrijmë në një shkallë tjetër pjekurie.

Qysh në fillim të këtij viti, kur flitej për paqëndrueshmërinë e Qeverisë së Kosovës, mendohej që zgjedhjet do t’i japin zgjidhje, qoftë funksionimit të Qeverisë apo problemeve të cilat shkaktuan krizën politike të pashoqe deri më tani në Kosovën e pasluftës. Ja që ndodhi e kundërta. Si duket zgjedhjet në vendin tonë vetëm prodhojnë kriza të reja dhe assesi nuk ofrojnë zgjidhje për qeverisje stabile apo zgjidhje për problemet e shumta të grumbulluara tash e sa kohë.

Numërimi në vend

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit 2017, 41,30% e qytetarëve zgjodhën përfaqësuesit/et e tyre për Kuvendin e Kosovës, duke treguar se ende kishin shpresa për këtë vend. Më 3 gusht, 120 përfaqësues/e të zgjedhur/a u betuan se do të kryejnë detyrën e tyre me nder dhe me përkushtim duke e mbrojtur kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe integritetin e institucioneve të Kosovës.

Roli dhe përgjegjësia e këtyre përfaqësuesve/përfaqësueseve është të marrin vendime për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të cilët ua besuan votën.

Por, çfarë u dëshmua në seancën e parë?!

Numrat ishin gjëja më e përfolur e ditëve të cilat i prinin seancës. Koalicioni fitues dukej shumë i sigurt se i kishte numrat e duhur për krijimin e institucioneve të vendit, por mungesa e tyre qysh në minutat e para të seancës ishin tregues se diçka nuk shkonte sipas pritshmërisë së tyre.

Partitë, të cilat tashmë kishin refuzuar t’i bashkohen koalicionit fitues të zgjedhjeve, ishin të qarta në vendimin e tyre për mospërkrahjen e kandidatit të këtij koalicioni për kryeparlamentar. Kjo nuk ishte asgjë e re për opinionin, pasi ky qëndrim ishte shprehur ditë më parë nga lëvizje “Vetëvendosje” (LVV) dhe koalicioni LAA - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Alternativa, kurse PAN - Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma me insistim mbronin qëndrimin e tyre rreth kandidaturës së Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, me shpresën se do t’i sigurojnë votat e nevojshme.

Gungat përgjatë rrugës

Ftesat për mosbllokim të themelimit të institucioneve duket se vijnë nga të gjitha palët: PAN-i kërkon mundësi për sigurimin e përkrahjes për kandidatët e saj për kryeparlamentar dhe kryeministër; LVV-ja deklarohet se nuk duhet të ketë vonesa në krijimin e institucioneve, duke cekur se nuk përkrahin kandidaturën aktuale të PAN-it për kryeparlamentar; njëlloj shprehet edhe LAA-ja; minoritetet janë të heshtura, por ata shkojnë me palët fituese – jo se ka pasur ndonjëherë dyshime për atë punë.

Të gjitha palët shprehin shqetësimin e tyre për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve, kështu së paku tingëllon retorika e të gjithëve gjatë këtyre ditëve. Por sa janë duke kontribuuar veprimet e tyre në këtë drejtim apo në të vërtetë janë në favor të zvarritjes së procesit të krijimit të institucioneve: PAN-i bojkoton dhe kërkon shtyrje seance. Krahas saj ofron zgjidhje të cilat jo vetëm se nuk e favorizojnë situatën e krijuar por më tutje acarojnë. Oferta për ta votuar në pako kryeparlamentarin dhe kryeministrin duket një qasje përbuzëse ndaj palëve të tjera dhe nuk tregon aspak vullnet për një mirëkuptim me gjithëpërfshirje. Politikisht PDK-ja nuk dëshiron në asnjë mënyrë ta lejojë veten të heqë dorë nga kandidatura e kryetarit të saj, aq më tepër në një situatë koalicioni me AAK e me Nisma. AAK-ja, me këtë rast si partia më e vogël, do të përfitonte shumë më tepër me pozitën e kryeministrit. Të mos harrojmë se jemi duke negociuar për lider dhe për pozicionimin e tyre apo jo.

LVV-ja deklaron qartë se nuk do të marrë pjesë në takime konsultative me krerët e grupeve parlamentare dhe mbetet me pozicionet e saj të palëkundura e ndoshta edhe me shpresë se do t’i jepej mundësia për krijimin e institucioneve. Bën thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve, por në seancë të Kuvendit të Republikës së Kosovës vepron “me zemër”!

Kurse LDK-ja si “institucionaliste” nuk shfrytëzon metoda bojkoti, por e dëshpëruar nga tradhtia e PDK-së duket të jetë e vendosur që të mos bëjë kompromis kësaj radhe.

E ku mbetën përfaqësuesit/et e komuniteteve pakicë në këtë mes! Qofshin ata me trajtim special, apo edhe pakicat tjera. Përfaqësuesit/et e komunitetit me trajtim special tradicionalisht tashmë i kanë marrë udhëzimet se si të veprojnë nga shefi në shtetin fqinj. Ndërsa, pakicat tjera janë pak më të kuptueshme dhe mundohen të rreshtohen vetëm me atë që supozohet se do ta sigurojë shumicën e nevojshme për krijimin e Qeverisë.  

Çka më pas: A jemi gati për zgjedhje?

Parashikimet çka nëse nuk kemi konsensus? A do të mundë të qëndrojë PAN-i i vetmuar? Sa seanca do të mbahen derisa të arrihet një zgjidhje? Apo thjesht të shkojmë përsëri në zgjedhje, të cilat me gjasë mund të na sjellin prapë në situatë të njëjtë? Në demokraci zgjedhjet vërtet mund të japin zgjidhje, mirëpo me sa shihet në këtë demokracinë tonë të brishtë zgjedhjet nuk duket se po kontribuojnë në procesin e formimit të institucioneve. E derisa ne nuk mund të gjejmë zgjidhjen, të tjerët rreth nesh veprojnë. 

Edhe sa kohë qytetarët e Kosovës do vazhdojnë të jenë viktimë e inateve politike, e qasjeve bllokuese të partive dhe të koalicioneve derisa ne merremi me numra në Kuvend, proceset jo vetëm që janë bllokuar, por ato edhe po përkeqësohen edhe më shumë, vazhdojmë të mbesim vendi i vetëm pa lëvizje të lirë, ekonomia e vendit po mbijeton vetëm në sajë të diasporës sonë, perspektiva për një të ardhme çdo ditë e më e zymtë. Deri kur më kështu?

Është koha e fundit që palët t’i thërrasin mendjes dhe të vendosin interesin tonë shtetëror në rend të parë. T’i hapet rrugë krijimit të institucioneve dhe të fillojmë të merremi me tema reale që rëndojnë jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mjaft më me zvarritje, mjaft më me inate politike apo personale, hapni rrugë!

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK