Zërat
Dritan Laci
Dritan
Laci

Kush po ‘i vret’ shqiptarët në det?

Zërat July 23, 2017 - 17:19

Trembëdhjetë të mbytur në një muaj plazh. Bilanc më tragjik se kaq, turizmi bregdetar shqiptar statistikisht nuk kishte parë në këto dy dekada të fundit. Tre u mbytën vetëm në një ditë në plazhin e Porto-Novas në jug të vendit. Një dramë të tillë humane në det nuk e shkaktojnë as peshkaqenët në brigjet koralore të Australisë që njihet për egërsinë e plazheve.

Por, Shqipëria nuk ka as peshkaqenë as nuk shquhet për egërsinë e detit, por me sa duket ka një faktor edhe më vrasës që quhet “neglizhencë totale shtetërore”. Kush shkon sot të pushojë nga veriu në jug të Shqipërisë, do të kuptojë se pushuesit janë vetëm disa portofolë që duhen rrjepur; që statistikisht duhen përdorur për të mbushur buletinët vjetorë të propagandës shtetërore për turizmin dhe asgjë më tepër. Askush nuk kujtohet se mbi të gjitha është siguria e tyre.

Nga Velipoja deri në plazhet e Ksamilit, edhe pse ka një Vendim të Këshillit të Ministrave nr 365 dt. 18.05.2016 të firmosur nga Kryeministri Edi Rama, ku përcaktohen qartë standardet që subjektet publike dhe private duhet të plotësojnë për të marrë në përdorim një stacion plazhi, ku përfshihen edhe vrojtuesit e plazheve, ky vendim duket se nuk ka gjetur zbatim në një asnjë nga stacionet e plazheve në vend.

Ku me sa duket këtë moszbatim të ligjit që këtë vit ka sjellë humbjen e jetëve të 13 personave në det e ka favorizuar edhe post situata elektorale si edhe fakti që aktualisht kemi një qeveri pa qeveri ku gjithsecili ha e pi e shin mesa duket sipas qejfit të vet, ndërsa Kryeministri i qeverisë gjysmagjel-gjysma pulë e shpenzon më shumë kohën duke kërcënuar në gjyqe publike drejtorët e tij pse nuk u kanë dhënë përgjigje ankesave të një zonje, sesa për faktin që në ditët e fundit kanë vdekur 13 persona në kushte paqe në det.

Kjo situatë është me të vërtetë paradoksale po të kthehesh pas, ku të paktën disa vite më parë në bregdetin e Durrësit gjeje në Kullat e Vrojtimit, vajza dhe djem të rinj me jelek dhe pajisje shpëtimi, që ishin në gatishmëri deri në orët e vona të mbrëmjes për tu ardhur në ndihmë pushuesve në rast nevoje por edhe shërbenin si pikë referimi për fëmijët që mund të humbin në plazh për ti adresuar më pas te prindërit. Jo vetëm kaq por në të gjithë hartën e bregdetit shqiptar nuk gjen kërkund tabela informuese për pushuesit që të jenë të shoqëruara me rreziqet përkatëse të zonës.

Askujt nuk i lejohet, për më tepër një Kryeministri, sikundër ndodhi në rastin e mbytjes së tre pushuesve në Porto-Nova, të justifikohet me faktin që shteti nuk ka përgjegjësi për pushuesit që lahen në plazhe të pa miratuara nga strukturat vendore, apo siç tani u kanë vënë edhe etiketimin plazhe “ të egra”.
Mendoni se çfarë justifikimi mund të gjente Presidenti i Meksikës, i Australisë apo i një vendi tjetër që njihet për ashpërsinë e bregdetit por edhe për masivitetin e pushuesve përgjatë pothuaj gjatë gjithë vitit.

Edhe sa kohë do ti trajtojmë pushuesit thjesht si statistika? Dhe sa duhet të presim që të mbyten që të ndërgjegjësohemi që ata nuk janë aty thjesht për të mbushur xhepat? /Opinion.al/

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK