Zërat
 Dimal Basha

Dimal
Basha

Kur fëmijët dënesin!

Zërat July 19, 2017 - 11:12

Ka tanimë mbi tri javë ku bashkë me familje kemi ardhur nga Nju-Jorku dhe jemi vendosur në Kosovë. Si zakonisht, mbrëmjen e djeshme ishim shtrirë për t’i vënë fëmijët në gjumë dhe pasi mbaruam së lexuari djali 9-vjeç filloi të qajë. Pas pak u ul edhe filloi duke dënesur! Filluam duke e pyetur se cili ishte problemi dhe dalëngadalë, ashtu në vaj, filloi duke shpjeguar se sa kishte qenë duke kaluar rrugën me një familjar të moshës së tij kishte marrë në thua në një nga penjtë që gjendeshin në rrugë, në të cilën kryheshin punimet që po bëhen në sheshin e qytetit të Ferizajt.

Gjatë këtij aksidenti aty kishin qenë prezentë edhe disa punëtorë të kompanisë që po i kryejnë punimet dhe kur e kishin parë se djali ishte rrëzuar dhe u ishin prishur penjtë në rrugë kishin filluar duke e përqeshur dhe duke e nënçmuar me fjalë denigruese dhe në fund e kishin qortuar duke i thënë "hup prej ktu".

Djali dëneske edhe nuk pajtohej se si burrat në moshë e kishin përqeshur, denigruar dhe ofenduar para të tjerëve. Pas një bisede familjare e siguruam se ai nuk duhet të brengoset nga fjalori i rrugaçëve të pavetëdijshëm, që në anglisht njihen si "unconscious bullies". Djali ka njohuri për “bullies” sepse në SHBA u kushtohet shumë rëndësi dhe ka ndëshkime të rrepta për ta, mirëpo ai kishte mësuar që denigrimi nga këta rrugaçë (bullies) vjen vetëm nga moshatarët e tij, por nuk e kishte pritur edhe nga të rriturit. Ia shpjeguam se këtu ka rrugaçë të moshuar (old bullies), mirëpo gjithashtu i treguam se nuk ka rëndësi çka thonë ata se njeriu nuk bën të ndihet i ofenduar prej injorantëve, sepse injoranti nuk ka njohuri për të vlerësuar më mirë.

Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Për vetëm mbi tri javë më ka rastisur të shoh shpesh raste të tilla dhe shpesh shtangem se çfarë kafshësh shoh dhe dëgjoj gjithandej. Para pak ditësh isha me djalë për të lozur me top afër ndërtesës dhe në një moment u parkua një makinë në trotuar, mu buzë fushës sportive ku loznin fëmijët. Unë isha larguar për një moment duke kërkuar topin më tej dhe në atë moment prej makinës doli një çun i ri i shoqëruar me një goce. Me të dalë nga makina u drejtua nga fëmijët që ishin të pranishëm në fushën sportive duke ju thënë: "Majmuna, runu po gaboni po m’i mshoni kerrit e kejve ju mys". E pyeta: "Shoku, cili është problemi?" "A", tha: "Jo mendova që janë vetëm fëmijët". "Po edhe me qenë vetëm fëmijët nuk ofendohen ashtu burrë i dheut. Edhe nëse merakosesh aq fort për makinën largoje nga aty sepse kjo është hapësirë ku luhet e jo ku parkohet". Nuk tha asnjë fjalë të vetme, vetëm më shikoi me një habi dhe vazhdoi rrugën e tij duke shoqëruar gocën, derisa makina e tij mbeti e parkuar në trotuarin për kalimtarë që gjendej rreth fushës sportive.

Këto raste tregojnë për kafshërinë që e has përballë fëmijëve, të cilët pastaj i imitojnë të rriturit dhe e vazhdojnë traditën e egërsuar dhe fatkeqësisht janë ardhmëria e rrugaçëve të vendit tonë. Kjo shoqëri ka probleme të mëdha dhe unë mendoj se problemi fillon te fëmijët dhe si po i rrisim ata. Fëmijët janë si sfungjerë, ata imitojnë çka shohin te të rriturit, të cilët i shohin si rol-model të tyre.

Nëse ne vazhdojmë me ofendime dhe me abuzime, atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm se po krijojmë një standard te ta, po krijojmë përshtypjen se ofendimi dhe abuzimi janë normë. Pasuria e kësaj shoqërie janë fëmijët dhe derisa ne nuk pajtojmë t’i mbrojmë ata nga rrugaçët dhe nga gjuha e tyre abuzuese ju premtoj se kurrë s'kemi për të pasur shoqëri të shëndoshë dhe krejt çka do të prodhojmë është një brez i ri abuzuesish. Vazhdimësia e kësaj qasjeje të rrugaçëve do të krijojë një cikël vicioz, ku krejt çka pritet është një dështim i vazhdueshëm shoqëror, i cili do të përsëritet prej gjenerate në gjeneratë.

Unë i quaj rrugaçë të pavetëdijshëm (unconscious bullies), sepse ka prej tyre që besojnë se sjellja e punëtorëve që kanë përqeshur tim bir ka qenë vetëm një formë disipline, por që pa dijen e tyre ata vetëm çka mbjellin rrugaçëri te fëmijët tjerë, por assesi edukatë. Kam hasur plot raste ku individë të ndryshëm marrin rolin e prindit dhe qortojnë fëmijë, të cilët nuk i njohin fare.

Gjithë këtë e bëjnë me bindje se po “edukojnë” dhe me bindjen se autoriteti i tyre rrjedh nga qasja e tyre e egër pa qenë të vetëdijshëm se janë rrugaçë të pavetëdijshëm, ose ndryshe të njohur si “unconscious bullies”. Ndoshta dikujt mund t’i duket normale një qasje e tillë dhe kjo që i ka ndodhur djalit tim nuk mund t’i duket problem i madh, por po ju premtoj se reagimi i tij flet për madhësinë e këtij problemi. Nëse mendoni se fëmijët tuaj janë mësuar me këso formash abuzimesh, po ju premtoj se këtu ka vetëm dy rrugë dhe që të dy rezultatet e mundshme janë katastrofale për ne si shoqëri. Këta fëmijë ose do të kenë pasoja të mëdha mentale dhe do të përfundojnë të mbyllur, ose do të jenë gjenerata e ardhshme e abuzuesve.

Ky vend ka shumë probleme dhe një prej tyre është zbutja e kafshës-njeri që haset gjithandej nëpër rrugë, në shkolla dhe në shtëpi. Nëse kërkojmë një vend të zhvilluar me mirëqenie të mirë, kjo fillohet duke krijuar një mirëqenie për fëmijët tanë duke i mbrojtur nga abuzuesit dhe nga denigruesit e përditshëm, të cilët përdorin abuzimin si formë të edukimit.

Përndryshe, nëse nuk reagojmë dënesja e fëmijëve tanë sot do të jetë rënkimi i të gjithë neve nesër.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK