Zërat
Dita Dobranja
Dita
Dobranja

Ballkani – integrim më të thellë apo integrim funksional?

Zërat July 13, 2017 - 12:18

Globalizmi. Integrimi ekonomik. Hapja e kufijve. Ulja dhe zhdukja e barrierave. Integrimi i mëtutjeshëm. Të gjitha rrugët të çojnë në Romë – drejt integrimit, sepse nga integrimi përfitojnë të gjithë. Sikur të kishte integrim më të thellë do të përfitonin edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Një ndër rajonet më jofunksionale, ky yni, propozohet të kalojë nëpër fazë të integrimit të brendshëm, para se të bëhet gati për integrimin e thellë në Bashkimin Evropian.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, që në mars të këtij viti, në takimin e krerëve të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB6) në Sarajevë, filloi të paraqesë idenë e integrimit më të thellë ekonomik në mes të shteteve. Samiti për jetësimin e kësaj marrëveshjeje mbahet këtë javë, më 12 qershor, në Trieste të Italisë.

Ideja e këtij integrimi ekonomik deri vonë nuk u qartësua. Varionte prej idesë së CEFTA plus, në idenë e një Unioni Doganor, deri te ideja e Tregut të Përbashkët. Emëruesi i përbashkët i këtyre ideve është integrim më i thellë ekonomik, se si ekonomi të vetme, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të vogla dhe si rezultat kanë vështirësi për zhvillim në izolim.

Nga këto ide, ajo e një tregu të përbashkët parasheh integrimin më të thellë dhe si e tillë u pa si më problematike. Kështu që, tani ideja për integrimin rajonal parashihet të jetë Zonë Ekonomike Rajonale – që emri të mos na frikësojë. Ideja gjithashtu është që ky rajon të kalojë nëpër integrim të brendshëm ekonomik si parapërgatitje për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – dikur, në një të ardhme.

Në princip, kështu u krijua Bashkimi Evropian dhe duket se asgjë e keqe nuk doli nga integrimi më i thellë. Mirëpo, në rastin e rajonit tonë ka shumë tangjente për t'u konsideruar, para se të kërcejmë në një marrëveshje për integrim më të thellë. E mbi të gjitha, është me rëndësi të kuptojmë se çka do të thotë për Kosovën secila nga fazat e integrimit të propozuara si të mundshme.

Secila nga këto faza të integrimit ekonomik ka dy elemente të rëndësishme, një është qasja në një treg më të madh në të cilin integrohet vendi dhe tjetra është heqja dorë nga autonomia e politikbërjes ekonomike – niveli i autonomisë varet kryekëput nga niveli i integrimit.

Momentalisht, Kosova dhe i tërë rajoni, duke përfshirë edhe Moldavinë, janë anëtarë të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për tregti të lirë (CEFTA), që do të thotë tregti e lirë – pa barriera në mes të vendeve anëtare. Anëtarësimi i Kosovës në CEFTA shpesh është cilësuar si i parakohshëm dhe që ka rezultuar në më shumë dëmtim se përfitim për industrinë e vendit.

Sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me anëtarësim në CEFTA Kosova ka zbatuar provizionet e heqjes së barrierave tregtare për vendet anëtare, gjë që anëtarët tjerë nuk e kanë bërë në relacion me Kosovën.

Edhe pse pjesë e një marrëveshjeje për tregti të lirë, vendet anëtare shpesh kanë vënë barriera jotarifore, të cilat kanë dëmtuar ekonominë kryesisht importuese të Kosovës. Këto barriera të vendeve të rajonit kanë qenë kryesisht të bazuara në argumente politike e jo ekonomike. Në rastin e tregtisë me Serbinë, Kosovës i janë ndaluar eksportet si rezultat i mosnjohjes së pavarësisë së shtetit – ndërsa Serbia mbetet eksportuesi më i madh në Kosovë.

E njëjta vlen edhe në relacion me tregtinë me Bosnjë e Hercegovinën. Nëse CEFTA, si hap i parë i integrimit, na ofron një pasqyrë të funksionalitetit të marrëveshjeve të tilla, Kosova, edhe pse respektuese e marrëveshjes, ka qenë humbëse për shkaqe politike.

Mirëpo, edhe pse CEFTA nuk paraqet storie të suksesit, Komisioni Evropian beson që integrimi edhe më i thellë i vendeve të rajonit do të ketë sukses. Duke ju referuar dokumentit, i cili është propozuar nga BE-ja për Themelimin e Zonës Ekonomike Rajonale, integrimi i Ballkanit Perëndimor parashihet të bëhet në katër shtylla kryesore: tregti, investime, lëvizje të lirë dhe integrim digjital.

Në shtyllën e tregtisë parashihet zgjerim i mandatit të CEFTA-s, duke përfshirë edhe tregtinë e lirë të shërbimeve dhe sigurimi i zbatimit të kornizës së CEFTA-s, gjë që deri tani nuk është bërë. Për Kosovën integrimi i mëtutjeshëm në kuadër të kësaj shtylle duhet të shihet me sy kritik.

Kosova, në formën ekzistuese të CEFTA-s, ka bilanc tregtar negativ me vendet e CEFTA si rezultat i moszbatimit të marrëveshjes nga vendet tjera, por edhe si rezultat i kapaciteteve eksportuese më të ulëta të Kosovës në krahasim me këto vende. Përveç kësaj, ekonomia e Kosovës është ende në faza të rimëkëmbjes industriale e si e tillë ende nuk është plotësisht konkurruese me vendet e rajonit. Ky fakt, dhe fakti që ekonomitë e rajonit janë kryesisht të ngjashme për kah përbërja industriale, e vë zhvillimin e industrisë dhe prodhimtarisë së Kosovës në disavantazh.

Zbatimi i mirëfilltë i një marrëveshje të tillë, edhe pse do të kishte implikime për industrinë e vendit, mund t’i hapte dyert për specializim në fusha tjera prodhuese, në të cilat Kosova do të gjente përparësinë krahasuese. Mirëpo, nëse CEFTA është çfarëdo baze krahasuese për Kosovën – zgjerimi i mandatit dhe thellimi i integrimit nën këtë marrëveshje, për Kosovën paraqet rrezik të vazhdojë të gjendet në pozitë të pafavorshme kundrejt ekonomive tjera të rajonit. Kjo shtyllë, bën tick karakteristikën e parë në tabelën e mësipërme.

Në shtyllën e dytë të integrimit, parashihet bashkërendimi i përpjekjeve për tërheqje të investimeve të huaja direkte – duke krijuar Agjendën Rajonale për Investime dhe pas kësaj formalizmin e agjendës me anë të instrumenteve ligjore, gjë që do të thotë harmonizim i kornizave ligjore kundrejt investimeve të huaja direkte.

Në këtë pikë do të ketë konvergjencë të legjislacionit të vendeve të rajonit drejt një kornize të ngjashme ligjore për investitorët e huaj. Si rezultat, Kosova, që ka hartuar ligjet në përputhje me direktivat evropiane, me gjasë do të shërbejë si pikë reference për vendet e rajonit – duke qenë që korniza ligjore e Kosovës nuk parasheh kushtëzime për investitorët e huaj (si rasti i Malit të Zi), por as subvencionime e marrëveshje specifike (si rasti i Serbisë e i Maqedonisë).

Shtylla e tretë, e cila parasheh lëvizje të lirë të fuqisë punëtore, sërish shpërfaq problematikën politike të rajonit. Me propozimin e Komisionit Evropian, fuqia punëtore, posaçërisht ajo e kualifikuar do të ketë mundësinë e mobilitetit nëpër rajon – si rezultat i njohjes së ndërsjellë të kualifikimeve nga anëtarët e marrëveshjes.

Si pikë e vetme reference për suksesin e kësaj shtylle është fakti që Kosova tashmë ka një marrëveshje të tillë me Serbinë, të arritur nën mbikëqyrjen e BE-së, e cila nuk po zbatohet. Sikurse CEFTA. Bashkimi Evropian për këtë shtyllë duket të qëndrojë në idenë “të provojmë edhe diçka tjetër, ndoshta funksionon”. Problematikë tjetër e mobilitetit të fuqisë punëtore është barriera e gjuhës, e cila Kosovën dhe Shqipërinë i vë në disavantazh krahasuar me vendet tjera të rajonit në relacion me njëra-tjetrën. Me propozimin e shtyllës së mobilitetit bëhet tick edhe pika e tretë në tabelë.

Ndërsa shtylla e integrimit digjital, është e mundur të shohë vendet tjera të rajonit të përafrohen me Kosovën, duke qenë se Kosova ka nivel më të lartë të avancimit digjital në rajon.

Së fundi, ky plan – edhe pse jo fort i elaboruar, parasheh që rajoni si tërësi të ketë bashkëpunim me ekonomitë e jashtme, që bën tick edhe pikën e fundit në karakteristikat e tregut të përbashkët. Kështu, edhe pse emrin nuk e ka të tillë, propozimit për Zonën Rajonale Ekonomike po i vjen era treg i përbashkët ekonomik.

E kjo, jo që duhet të jemi kundër një tregu të përbashkët ekonomik, po për të hyrë në një të tillë duhet të jemi të vetëdijshëm, e mbi të gjitha duhet t’i rregullojmë një sërë çështjesh paraprakisht. Rajonit tonë, para një integrimi më të thellë, i duhet integrim më funksional. (“Sbunker”)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK