Zërat
Agim Kasapolli
Agim
Kasapolli

Shkodrani tha: Biro, t’u rritë mendja!

Zërat July 06, 2017 - 10:01

Një shkrim i botuar në të përditshmen "Zëri", me titullin "Ekspertët e sportit", me autor gazetarin sportiv me karrierë të përshpejtuar njëfarë Leart Hoxha, i cili tani luan rolin “e moderatorit" në emisionin "Clic", ku nëse me kujdes e analizoni këtë shkrim fiton përshtypjen se gazetaria ka nisur me të!

Ky i gjithëdijshmi karrierën si gazetar i sportit e filloi dy-tre vjet pas lufte në TV21 me kualifikim të lartë të përballimit të suksesshëm të lisë së ujit, të fruthit dhe të kollit të keq, mirëpo si “sportist” karriera nuk duhet t’i mohohet ngase ka qenë kapiten i ekipit të basketbollit në mëhallën e “Hadumit”, ku aktivitetin e zhvillonte me ‘done’ të gjata që lidheshin me uqkurë.

Dhe pas lufte në ketë hallakamë mediatike, e cila mjerisht ende vazhdon në këtë vend të lodhur, ky syzi, vetull azgan dhe me mjekër të ujdisur shpejt gufoi si “ekspert i pazëvendësueshëm” sidomos në sportin e basketbollit, kur e bitisi punën këtu, na doli me nasihat në “Formulën 1” dhe tani e udhëheq një emision i pagëzuar "Clic", ku grin pordhë duke shitur kopalla dhe pastaj xhilit turret prapë në basketboll dhe me automobilizëm edhe na "arsimon".

Njëkohësisht që nga viti 2011 u katapultua edhe në Federatën e Basketbollit, duke ushtruar poste sipas qejfit. Prandaj ato medie apo ata gazetarë që nuk i përmbahen "të vërtetës" apo mendojnë ndryshe nga" Clic"-u dhe banda ku bën pjesë edhe ky e që quhet FBK, i shtyrë nga ata që e "krijuan" dhe e "faktorizuan" pas shumë hezitimeve siç deklaron vetë në gazetën “Zëri” vendosi më në fund të na mbajë nasihat jashtë syndyrmës së vet, ashtu si e kam dëshirë ta quaj unë TV21-shin në kolumnen që e shkretoi për ato "të vërteta" që fliten për FBK-në e të cilat edhe vetë në këtë paçavure në mënyrë indirekte i pranon pohimet e mia duke filluar nga të gjitha humbjet e reprezentacionit e deri te mosfunksionimi i asgjëje në FBK.

Se sa ka njohuri për lëmin që tjerëve po ua ligjëron po ua pasqyroj vetëm një shembull më të thjeshtë që është i pafalshëm për atë që pretendon të quhet gazetar sportiv. Në një ndeshje basketbolli shkretonte ky fakir duke mos ditur as largësinë e distancës së koshit nga vija e gjuajtjeve të lira! Për këtë mosdije nxënësi i klasës së pestë fillore ngel për vjeshtë! Për çudi e pranon se futbollin s’e paska për qejfi! Nuk po i shikuaka ndeshjet nëse nuk paguhet për këtë?! Në këtë shkrim "Clic" na qenka gazetar sporti, i cili nuk shikon dhe nuk preferon lojën e futbollit, por megjithatë në këtë shkrim dhe në disa portale ky analizon, filozofon bile në këtë kolumne i poshtëroi dhe i anashkaloi të gjithë trajnerët vendorë, të cilët çdo natë komentojnë pikërisht në televizionin ku ky punon.

E pra tash besoj po e kuptoni kush informon audiencën për sport?! A e dini si u bë "Clic"-u pjesë e FBK-së? Në Kampionatin Botëror të Basketbollit i cili u mbajt në Stamboll, në vitin 2010 delegacioni i Kosovës i cili i numëronte 7 veta e ku edhe unë isha në cilësinë e selektorit të Kosovës, ky erdhi në cilësinë e gazetarit (fillestar) të sportit ku e përfaqësonte TV21-shin, por pa u akredituar për këtë ngjarje, por me një marrëveshje ilegale me Eroll Belegun heshtazi u bë pjesë e Kosovës duke u kontrabanduar me delegacionin tonë me akreditim të falsifikuar dhe sorollatej në hapësirat që ishin të dedikuara për mysafirë dhe për personelin zyrtar e jo për gazetarë.

A e dini kush e kontrabandonte akreditimin për t’u futur aty ku s’e kishte vendin? Këtë e bënte hiç më pak se kryetari i tanishëm dhe i atëhershëm i Federatës së Kosovës Eroll Belegu. Reagimi im ishte i menjëhershëm, sepse zbulimi eventual nga sigurimi shtetëror i Turqisë do të kishte pasoja të paparashikueshme për Federatën tonë, por edhe për Kosovën si shtet. Dhe kjo praktikë e çoroditur dhe klandestine nga kryetari shfercer i një Federate të një shteti që priste pranim në FIB-a u ndërpre. Dhe në vazhdim "Clic"-u kampionatin e përcolli si shikues i rëndomtë me biletë hedije nga shfeceri kryetar. Me t’u kthyer nga Stambolli në TV21 pason reportazhi për Eroll Belegun, i cili ma përkujtonte Lukashenkon e Bellorusisë?! Prej asaj kohe e deri më sot kumbaria e Belegut me TV21-shin "kombëtar" dhe natyrisht me "Clic”-un s’ka të ndalur.

Ky i gjithëdijshmi i quajtur "Clic" pa pikë turpi rren kur flet për selektorin Arben Krasniqin dhe thotë se Krasniqi si trajneri më i mirë i të gjitha kohërave në Kosovë ka pasur bashkëpunim dhe përkrahje nga ai dhe nga Federata. Së pari, Krasniqi ka qenë i sabotuar nga Bordi i FBK-së. Së dyti, nuk di apo prapë rren kur thotë se Krasniqi ishte trajneri më i mirë i të gjitha kohërave të reprezentacionit të Kosovës. Trajneri më i mirë i të gjitha kohërave i reprezentacionit të Kosovës është ai që ka rezultatet më të mira, e di ti por e di edhe banda juaj e quajtur FBK.

Se në vitin 2010 në Prishtinë në turneun ndërkombëtar më të madhen, të organizuar prej paslufte e deri më sot, ku morën pjesë përveç Kosovës që nuk ishte ende anëtare e FIB-ës edhe Emiratet e Bashkuara Arabe me trajner profesional amerikan dhe Shqipëria po ashtu me trajner nga SHBA-ja. Qe të dyja anëtare të FIB-ës. Siç dihet fitues i këtij turneu u bë Kosova pas fitores bindëse kundër Emirateve me 69 pikë dallim. Rezultat që duhet pritur gjatë të shënohet me udhëheqjen e bashibuzukave aktualë. Më kujtohen transmetimet televizive të këtyre ndeshjeve që i transmetonte pikërisht TV21-shi me komentimin e "Clic”-ut ku gjatë të gjitha transmetimeve selektorin e shtetit të Kosovës me direktiva të bandës së FBK-së gjatë dy transmetimeve asnjëherë nuk u filmua.

Qëllimi dihet, ishte urdhër që të eliminohen ata që nuk janë pjesë e kësaj bande dhe ky bashkëpunim i pistë i këtyre kodoshëve vazhdon edhe sot, ku me metoda përafërsisht të njëjta pësoi edhe Krasniqi. “Pas ngadhënjimit në ketë turne, i vetëdijshëm nga gracka të përditshme, unë selektor i Kosovës me krenari pas suksesit të arritur, e i cili mjerisht është i vetmi deri më sot, jap dorëheqje të parevokueshme”.

Prej vitit 2010 e deri më sot Kosova, e udhëhequr nga Krasniqi dhe të tjerët, nuk ka shënuar asnjë fitore zyrtare në garat ndërkombëtare, me të cilin kriter ndan epitete të rrejshme. Krasniqi ka qenë trajneri më i suksesshëm i pasluftës në Kosovë në garat e ligës së Kosovës, sepse i ka fituar 6 tituj të Kampionatit Kombëtar dhe disa kupa të Kosovës. Kurse para luftës basketbolli, sidomos ai femëror, ishte më tepër se sport, ku Universiteti në vitet e vështira për shqiptarë, më 1981-n, nën udhëheqjen time ishte krenari e kombit.

Nuk ka ngelur skuadër në ish-Jugosllavi në ligën më të fortë në Evropë që vajzat tona nuk e kanë mposhtur nën drejtimin tim si trajner me licencë të kategorisë më të avancuar. Në sajë të këtyre rezultateve edhe disa që nuk na donin si komb shqiptar realitetin sportiv e pranuan dhe pikërisht kolegët e mi të ligës së parë federative (trajnerët) nga Sezhana deri në Gjevgjeli më votuan për trajner të vitit, për dallim prej teje dhe shfercerave tu që përpiqen me gënjeshtra ta mashtrojnë opinionin vetëm për t’i ruajtur postet e zaptuara.

Në paçavuren që e kishe shkretuar e kishe përmendur Qaçakun dhe Valeven, dy qytete të Serbisë, ku si lojtar i “Buduqnost”-it të Pejës kam luajtur kundër dy emrave më të spikatur të basketbollit botëror, kundër Kiqanoviqit, i cili atëbotë mbronte ngjyrat e ekipit të Zhelezniqarit të Qaqakut dhe Zhelko Obradovqit, sot njëri prej trajnerëve më të mirë në botë. Kujtime që nuk harrohen, sepse me lojën që e kam bërë çdo shqiptar në atë kohë ndihej krenar.

Nëse dyshon ekzistojnë arkivat dhe dëshmitarët. Një sugjerim e kam për ty “Clic”, populli që e harron të kaluarën nuk mund të ketë ardhmëri. Prandaj të preferoj, frenoje narcisoizmin dhe dija hallin vetes. Unë asnjëherë nuk kam lëvizur nga bindjet e mia. Kam lundruar në ujëra të kthjellëta, edhe në ato të rrepta, besa edhe në ato të turbullta e sidomos tani jam duke u përballur me ujëra të zeza, por asgjë nuk më frikëson.

Në shkrimin tënd vërejta që je “i brengosur” për pleqërinë time, unë si i ri, por edhe tani i moshuar gjithmonë tërë jetën jam mbështetur në takatin tim dhe kam jetuar vertikalisht dhe jam krenar për gjithë atë që e kam bërë dhe e bëj.

Por, po më çudisin edhe po më neverit ti dhe eshët e tu që për interesa meskine zanatin e hershëm të gazetarisë e keni shndërruar në prostitucion.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK