Zërat
Gentian Kaprata
Gentian
Kaprata

Zgjedhje pa parti programore?!

Zërat July 01, 2017 - 12:34

Shqipëria ka domosdoshmëri një ‘Republikë të re’, por nuk mund të ketë një të tillë pa parti që konkurrojnë me projekte reformash të kuvenduara me qytetarët.

As këto zgjedhje nuk e realizuan ëndrrën bazike të atyre qytetarëve të cilët e presin demokracinë nga ndonjë ndërhyrje qiellore. E kam fjalën presin t’ju vijë nga qielli një udhëheqës i frymëzuar nga parime të ‘moralit të krishterë’. T’i dojë shqiptarët dhe Shqipërinë deri në vetëmohim; të punojë natë e ditë për të mirën e të varfërve e t’u mbajë dorën të fortëve; të mos iu grabitë paratë publike e pronat private; t’i pasurojë e të prodhojë të mira për ta, siç mund të na e përshkruante Nietzsche (Nice) një udhëheqës të tillë me arsyetimet e librit “Gjenealogjia e Moralit”. Për këtë fakt evident (ëndërrdështimin) janë koshientë një pjesë e madhe e shqiptarëve, ndërsa pjesa tjetër do ndërgjegjësohet përgjatë këtij mandati qeverisës. Kështu ka ndodhur për 27 vjet, dhe kështu do vijojë për sa kohë e shohim çështjen e politikës si çështje të moralit individual të liderit dhe jo bashkëkuvendim  të partive dhe shoqërisë, për të konceptuar reforma ekonomike e shoqërore!

Sigurisht që filozofi gjerman i shekullit të 19-të Friedrich Wilhem Nietzsche nuk e shkroi librin e tij për të na treguar se si moralisht duhet të jetë një lider. Ai e shkroi për të treguar se përqasja ndërkulturore është përqasja më e rëndësishme për të arritur në një përfundim të saktë. Sidoqoftë, nëse e huazojmë këtë tezë Niçeane në shërbim të çështjes për të cilën po flasim, na del se të kërkosh ‘liderin më të ndershëm se të tjerët’ është një dështim i sigurt për një shoqëri. Sepse si në dimensionin kohor edhe në dimensionin individual (të individëve që e përbëjnë), shoqëria nuk ka një moral të unifikuar. Çka e bën të pakuptimtë dhe jo produktive të kërkojmë liderin premtim-mbajtës duke larguar liderët që na zhgënjejnë! Nga ana tjetër, nëse bëjmë një rezyme minimaliste të diskursit diferencues midis dy partive kryesore përfshirë partitë mbushëse (aleate) të tyre në këta 27 vjet, do dallojmë se të gjitha tezat e tyre nuk kanë asnjë lidhje me politikën.

Përjashto tezën antikomuniste të PD-së 1991, të gjitha kanë qenë parapolitike apo jashtëpolitike. ‘Antikomunizmi’ dhe ‘antikorrupsioni’ kanë qenë tezat bazike, por në asnjë rast nuk krijonin diferencë politike midis partive. Secila parti, për 27 vjet, ka akuzuar të tjerat si komuniste e të korruptuara. Pjesa tjetër e ‘fushatës negative’ është dominuar nga ngjarjet më tragjike për kombin dhe vendin: firmat piramidale; vrasja e z. Hajdari; Gërdeci; 21 janari, të cilat gjithashtu nuk përmbanin asnjë thërrmijë ideje se si partitë mund ta ndryshonin për mirë ecurinë e shoqërisë. Mirëpo ky diskurs jo vetëm ka prodhuar të kaluarën dhe të sotmen, por po na projekton edhe të ardhmen, sepse është ky diskurs që ka strukturuar partitë! Njësimi i politikes me partiaken duke mënjanuar nga politika tezat për zhvillim të intelektualëve, dhe diskursi populist i premtimeve parazgjedhore janë plotësuese në formësimin e partive si bashkësi njerëzish besnik ndaj kryetarit.

Është kjo mishelë që prodhon struktura partiake të tejmbushura me njerëz që nuk kanë vetëdijen minimale politike. Është e kuptueshme se në partitë ku pushteti kërkohet ‘se kundërshtari është më i keq’ dhe në struktura partiake ku karriera ndërtohet me besnikëri ndaj kryetarit dhe jo në besnikëri ndaj tezave, njerëzit që mbajnë premtimet e tyre nuk i duhen kujt. Dhe në këtë kuptim të kërkosh ‘liderin më të ndershëm se të tjerët’ është një pamundësi e plotë shkencore. Është kjo arsyeja pse ka ardhur koha të braktisim këtë model të vjetër dhe të ndërtojmë një model të ri. Modelin e transferimit të sovranitetit nga i përfaqësuari te përfaqësuesi nëpërmjet projekteve të dakordësuara më parë midis të dyja palëve në marrëveshje. Për të dhënë një shembull praktik se si mund të funksiononte, dhe përparësitë e implementimit të këtij modeli do vëzhgojmë premtimin më të çuditshëm, më të pamundshmin për realizim, por edhe më intriguesin në këto zgjedhje.

Premtimin se ‘fëmijët 5 deri 18 vjeç do të ketë ushqim falas në shkolla’, të cilin z. Basha e hodhi si fishekzjarr në qiellin e ‘Republikë së Re’. Le të imagjinojmë për një moment që PD, në 44 muajt e opozitës, në vend të diskursit përsëritës e lodhës për koncesionet, kanabisin dhe çështje të tjera jashtë politike (përgjithësisht të drejtësisë), të trajtonte këtë tezë me publikun e gjerë. Në kuvendime të hapura t’ju shpjegonte qytetarëve se kush ishte problemi konkret; se si ky projekt do të adresonte problemin pa krijuar të reja; se sa do të ishin kostot publike dhe përfitimet private e shoqërore të tij, dhe në këtë kuvendim të ishte e hapur për modifikime të projektit nga qasje alternative. Më tej, le ta shtrijmë këtë ushtrim të imagjinatës për të gjitha premtimet elektorale. Përfundimi praktik do të ishte se qytetarët nuk do të shtrëngoheshin të votonin ‘timonierin e vetëm’ apo ‘politikanin europian’, por projektet që tashmë do të ishin të tyret po aq sa të partive.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK