Zërat
Nataliya Apostolova
Nataliya
Apostolova

Së bashku mund ta bëjmë një ndryshim për ndryshimin klimatik

Zërat June 27, 2017 - 09:19

Njëra nga problemet më të mëdha me të cilin po ballafaqohet bota sot është ndryshimi klimatik, një dukuri e cila shpesh po kalon e pavërejtur nga konfliktet dhe krizat politike në botë. Vëmendja tërhiqet vetëm atëherë kur dëgjomë për lajme për uragane dhe vërshime të cilat shpesh marrin edhe jetë njerëzish.

Çdo ditë e më tepër jemi dëshmitarë të ndryshimeve drastike të motit, të cilat e prekin në masë të madhe shëndetin tonë. Ngrohja globale që shkaktohet nga ndryshimet klimatike sjell një rritje të valëve të nxehtësisë dhe ne e dimë se çfarë do të thotë kjo për njerëzit me sëmundje të zemrës, me astmë dhe me sëmundje të tjera.

Pak dihet ose pranohet se aktiviteti njerëzor ka një rol të madh në shkaktimin e këtyre fatkeqësive, së pari me prodhimin e dyoksidit të karbonit dhe efekti serrë që kanë ndikim në ngrohjen e atmosferës. Efekti më i dukshëm i kësaj dukurie është rritja e nivelit të detit, që rezulton me përmbytje në zonat e ulëta bregdetare dhe si e tillë mund të jetë një kërcënim i vërtetë për shumë vende.

Shkencëtarët paralajmërojnë për më shumë stuhi të forta dhe thatësira të shpeshta në tërë planetin. Këto gjera mund të sjellin vetëm uri. Dhe kudo ku ka uri ka edhe konflikt. Dhe ky është konflikti më i keq. Dhe kështu bota bëhet më pak e sigurt dhe stabile dhe gjithnjë e më e dhunshme. Por, çfarë mund të bëjmë ne që t'i reduktojmë rreziqet e tilla dhe ta gjejmë një zgjidhje afatgjate? Zëvendësimi i naftës, i thëngjillit dhe i gazit me energji të ripërtëritshme, mbjellja e drurëve dhe riciklimi i më shumë produkteve mund ta përmirësojnë dukshëm situatën. Çfarë mund të bëjnë qytetarët për ta ndalur ndryshimin klimatik?

Përgjigjja ime do të ishte: Shumë. Shfrytëzimi i transportit publik në vend të veturave private, përdorimi i qeseve më të qëndrueshme në vend të atyre plastike, përdorimi i klimës vetëm në rastet kur absolutisht është e nevojshme janë vetëm disa nga gjërat të cilat mund të kontribuojnë ndjeshëm për ta ndalur dukurinë. Kjo është diçka që të gjithë ne mund ta bëjmë.

Ndryshimi klimatik është një problem global dhe Kosova nuk është imune ndaj rrezikut dhe kërcënimit që vjen nga kjo dukuri. Përveç këtij problemi, ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat e ambientit me të cilat ballafaqohet Kosova. Gjatë gjithë dimrit kemi marrë raporte të cilat kanë treguar një nivel alarmues të ndotjes së ajrit, i cili në shumicën e ditëve është cilësuar si i rrezikshëm. Ka qenë thjesht e pamundur të mos shqetësohemi dhe të frikësohemi për shëndetin tonë.

Dhe pastaj kemi problemin e menaxhimit të mbeturinave, i cili ka mundësi të jetë më i keqi në rajon dhe si i tillë është larg plotësimit të standardeve të BE-së në këtë fushë. Nuk na duhen argumente të forta për këtë, sepse mjafton që ta hedhim shikim përreth dhe ta shohim hedhjen e mbeturinave dhe një numër të deponive ilegale përgjatë rrugëve dhe në lumenj. Ne të gjithë kemi përgjegjësi që shkojnë përtej oborreve tona, që do të thotë se duhet të kemi rrugë dhe hapësira publike të pastra njësoj siç i kemi shtëpitë tona. Nuk ka dyshim se të gjithë ne duam të jetojmë në një mjedis të pastër dhe të sigurt, të pimë ujë të pastër dhe të thithim ajër të freskët. Prandaj kjo është një çështje e cila duhet të merret si prioritet nga të gjithë.

Është mjaft inkurajuese të shohim se përcaktimi politik global për të vepruar mbetet i lartë. 148 vende tashme e kanë ratifikuar Marrëveshjen e Parisit, që ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2016 dhe që drejtpërsëdrejti e prek këtë çështje. Por, nuk janë vetëm qeveritë ato të cilat duhet të veprojnë. Bizneset, shoqëria civile dhe qytetarët e zakonshëm kanë një rol vendimtar për të ndërmarrë veprime të cilat do të mund të bëjnë ndryshime dhe të cilat mund të aplikohen edhe në Kosovë. Ne do të vazhdojmë t'i mbështesim përpjekjet e Kosovës për t'u marrë me sfidat klimatike. Jemi të gatshëm për t’i ndarë përvojat e tona dhe mësimet e marra. Tashmë e kemi një bashkëpunim të gjerë për politikat klimatike me disa nga partnerët tanë kyçë.

Gjatë periudhës 2007-2013 (IPA I) BE-ja ka investuar mbi 40 milionë në sektorin e mjedisit në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe ndërtimin institucional dhe investimet në infrastrukturë. Më shumë se 200 milionë janë shpenzuar për masat e energjisë efiçiente, duke përfshirë edhe 19 milionë për masa në 65 ndërtesa publike, (shkolla dhe spitale). Nën kornizën financiare të  IPA II (2014-2020), më saktësisht periudhën 2018-2020, BE-ja po planifikon që të investojë substancialisht në përmirësimin e infrastrukturës në këtë sektor. Shpresoj që kjo mbështetje do të bëjë ndryshim në Kosovë.

Për ta përfunduar, ndryshimi klimatik është njëra nga kërcënimet më të mëdha për plantin tonë. Me të ardhmen tonë në rrezik është thelbësore të punojmë së bashku në mënyrë që ta bëjmë zgjidhjen klimatike një realitet. Nëse ne bëjmë ndryshime tani në mënyrën se si jetojmë, mund të shmangim probleme të mëdha në vitet që do të vijnë. Shkencëtarët, qeveritë dhe individët duhet të punojnë së bashku për ta tejkaluar këtë kërcënim. Kjo është diçka që na bashkon të gjithëve. Nëse nuk veprojmë tani refugjatët e parë klimatikë nuk do të duhej të ishin befasi për askënd. Së bashku ne mund ta bëjmë ndryshimin për ndryshimin klimatik.

(Ky OPED-i është shkruar me rastin e “Javës së Diplomacisë Klimatike 2017”, që organizohet nga Zyra e BE-së, nga përfaqësuesit e posaçëm të BE-së në Kosovë. Iniciativa do t’i mbledhë përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, të shoqërisë civile dhe të publikut të gjerë në Kosovë për ta ngritur vetëdijen për ndryshimet klimatike përmes një varg aktivitetesh, duke përfshirë ekspozita, tryeza të rrumbullakëta, shfaqjen e filmave, gara për vizatime, video për nxënës, etj. “Java e Diplomacisë Klimatike” është themeluar në vitin 2014 nga Bashkimi Evropian dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për ndryshimin klimatik. Aktivitetet në Kosovë do të mbahen nga 23 deri më 30 qershor 2017.)

(Autorja është shefe e Zyrës së BE-së, përfaqësuese e posaçme e BE-së në Prishtinë)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK